Nga Mustafa Nano
Një vrasje si kjo e Klodian Rashës nuk është se ndodh përditë në Shqipëri. Dhe “me vrasje si kjo” kam parasysh një “vrasje të bërë nga policia”. Ky është rasti i parë, nëse kujtesa nuk më bën ndonjë hile.
Më 21 janar 2011 kemi parë një regjim vrasës të urdhërojë të shtihet mbi popullin, por shí për këtë shkak nuk ka lidhje me këtë krim policor, që përbën një episod tragjik në historinë e policisë sonë, në qendër të të cilit është një polic që nuk dyshohet se ka dashur të vrasë, por që është, megjithatë, autori i një krimi. Një polic që, sipas shumë gjasash, nuk e ka merituar ta veshë atë uniformë.
E prandaj, ky ishte rasti për të organizuar një protestë, nëpërmjet së cilës do të duhej të ngrihej zëri kundër praktikave të relaksuara në rekrutimin e policëve, kundër mendjelehtësisë me të cilën shumë policë e ushtrojnë atë profesion, që është një nga më të nderuarit e më të vështirët, kundër informacionit pikë-pikë, tek-tuk kontradiktor, të dhënë nga policia mbi këtë ngjarje, apo edhe kundër ministrit të Brendshëm.
Zërat që kërkojnë dorëheqjen e tij nuk duken të paarsyeshëm. Një ministër i Brendshëm edhe mund të largohet pas një ngjarjeje kësodore, edhe pse ai vetë është krejt i palidhur me të. Një ministër nuk largohet vetëm kur rezulton me faj drejtpërdrejtë në një tragjedi apo të pabërë. Ai mban përgjegjësi edhe për gjëra që ndodhin mes/prej atyre, që janë nën hyqmin e tij. Ka qenë edhe ai vetë që na ka ftuar ta shohim kështu këtë punë, kur është shprehur në një rast se “prapa çdo veprimi policor duhet të shihni fytyrën time”.
Është një nga frazat më inteligjente që kanë dalë nga goja e tij, s’ka gjë se nga e njëjta gojë kanë dalë edhe fraza budallaqe, njëra prej të cilave nuk ka mundur t’i shpëtojë vëmendjes së askujt. “Polic ke qenë, polic ke për të mbetur,” i tha një deputeti në Kuvend. Vini re! Për ta denigruar apo poshtëruar një deputet të opozitës, ai gjeti t’i përmendte atij të shkuarën dhe mendësinë prej polici.
Donte ta bënte me turp për këtë fakt. Dhe ky njeri e ekspozoi këtë përbuzje për figurën e policit, teksa ishte (dhe është) i veshur me kostumin e kreut të Ministrisë së Brendshme. Ajo ishte një rrethanë, në të cilën atij i duhej kërkuar dorëheqja.
Përgjegjësitë e tij duhen kërkuar edhe në reagimin pas asaj që ndodhi. Fillimisht, bëri përshtypje një përpjekje e policisë për ta mirëkuptuar, a ndoshta mbrojtur, shkaktarin e ngjarjes. Deklarata e parë, dhe më pas njoftimet përditësuese, ishin në përputhje me (në ndjekje të) çfarë dilte në dritë pa dashjen e saj, apo që zbulohej nga media. Fillimisht, u tha se polici ka qëlluar në tym, ngaqë ishte errësirë, dhe këtë e shitën si një rrethanë që e nxirrte policin me pak, ose aspak, faj.
Lëre që është një justifikim i lig, por është edhe i trashë. Fakti që ka shtënë në terr, nuk e nxjerr pa faj. Përkundrazi, e nxjerr edhe me më shumë faj, pasi në këtë mënyrë ai ka rrezikuar potencialisht edhe jetën e njerëzve krejt të pafajshëm që mund të qëllonin në trajektoren e atij plumbi të lëshuar kuturu. Pastaj, u tha se një armë u gjet shumë larg vendit ku ndodhi krimi, dhe kjo armë iu faturua Klodianit, pa qenë në gjendje ta mbështesnin këtë pretendim me ndonjë provë. Më tej, zunë t’i bënin biografinë viktimës.
Ky vesi i përgojimit të viktimës me synimin për ta kriminalizuar pas vdekjes (vrasjes) është një nga sjelljet më absurde tonat. Nuk e di nëse ky zhbirim i jetës së viktimës, në rastin e Klodianit, ka qenë me burim policor, por di që policia s’e ka për gjë ta bëjë këtë veprim. Para disa muajsh, kryepolici i Shqipërisë, Ardi Veliu d. v., u pa në televizion duke legjitimuar në një mënyrë shumë të çuditshme dhunën policore ndaj dikujt.
Ai publikoi një video, ku shfaqej nëna e keqbërësit me kobure në dorë, dhe me këtë donte të na thoshte: “Nuk është vendi të provoni empati për djalin e dhunuar. Shikoni se çfarë nëne ka!!!!” Më pas doli që nëna e tij ishte duke aktruar, me kobure uji në duar.
Pavarësisht këtyre çudive të policisë shqiptare, duhet thënë se ka qenë ajo që e ka dhënë lajmin e para, duke mos e fshehur se Klodiani ishte vrarë nga forcat e saj. Sot, ky polic është i ndaluar. Dhe po hetohet. Ai do t’i nënshtrohet një procesi gjyqësor, që do të zhvillohet në sytë e të gjithëve. Dhe ai do të marrë dënimin e merituar. Përgjegjësia do të jetë e tij. Përgjegjësia e të tjerëve, e ministrisë, e qeverisë etj., është e natyrës morale e politike. Dhe në këtë pikë duhet ta fokusojë diskutimin e vet opozita. Mirëpo, ajo ka zgjedhur rrugë tjetër.
Gjëja më e parë që bëri Lulzim Basha ishte një vizitë rrufe, në të nxehtë, në shtëpinë e viktimës!!! E përfytyroni dot të jeni duke vajtuar njeriun tuaj (ju kërkoj ndjesë që po ju ftoj të zhyteni në përfytyrime të tilla të pakëndshme), dhe në derë t’ju shfaqet një njeri që kërkon ta përdorë dhembjen tuaj për një shfaqje politike? Unë do ta kisha nxjerrë me shkelma jashtë dikë, kryeopozitar apo kryeministër qoftë, në një situatë të tillë.
Basha nuk u mjaftua me këtë gjest mizerabël. Ai i urdhëroi të vetët të bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë se çdo gjë tjetër në këtë botë: të dalin në rrugë e të zhvillojnë protesta të dhunshme. Dhunën e kanë në ADN-në e tyre. Mes arsyeve që më bëjnë të mos e shqyrtoj asnjëherë idenë për t’ia dhënë votën kësaj opozite, është vandalizmi i tyre. Janë vandalë me patentë. Ta shpifin. Ta bëjnë këtë qytet të pabanueshëm. Nëse nuk zhvillojnë një protestë të dhunshme, u ngjan vetja si të kotë, të ngeshëm, të përbuzshëm.
Një protestë e bukur, paqësore u ngjan me gjënë më të shëmtuar në botë. U ngjan si një demonstrim spektakolar i dobësisë dhe paaftësisë së tyre. Edhe sikur të jenë në gjendje të mbledhin një milion vetë kundër qeverisë, ata po njësoj do të mbeten të pakënaqur e të trishtuar po të mos kenë mundësi të ushtrojnë pak dhunë. Nuk është pjesëmarrja dhe numrat që i ngushëllojnë. Është dhuna.
Pak dhunë u bëhet shëndet, gjak e dhjamë, u kthehet në antikorpe, apo në vaksinë kundër COVID-it. Pak dhunë ka efekt terapeutik tek secili prej tyre. Dhe për ta legjitimuar dhunën e djeshme nuk e patën për gjë t’i mbushnin mendjen vetes se krimi ishte shtetëror. “Frymëzuesi i këtij brutaliteti është Edi Rama dhe Sandër Lleshaj,” tha Basha.
Mes tyre kishte disa që i mëshuan paraleles mes Klodian Rashës të ndjerë dhe George Floyd-it, amerikanit me ngjyrë që u vra nga policia në Minneapolis. Por kjo paralele është shumë e kërkuar, nuk qëndron as në qiell, as në tokë, ndonëse dy vrasjet kanë dy gjëra të përbashkëta: 1. U bënë nga duar policësh; 2. U bënë në shkelje të ligjit. Por këtu ndërpritet analogjia. Krimi policor në SHBA u bë me dashje dhe për motive raciste. George Floyd-i pra, u vra se ishte me ngjyrë.
Dhe reagimi i fuqishëm më pas erdhi, ngaqë ajo vrasje ishte provë e faktit që racizmi mes një pjese të policisë amerikane është një dukuri e përhapur. Protestat për këtë shkak u kthyen në të dhunshme (për mua Trump-i është Presidenti më i keq që kanë pasur ndonjëherë SHBA-të, por në përplasjen mes tij e protestuesve të dhunshëm e plaçkitës unë isha i tëri me të, që ishte në mbrojtje të rendit e ligjit), ndonëse ndaj autorëve të krimit nisi një proces penal.
Ndërsa Klodiani nuk u vra se kishte një identitet të caktuar racor, fetar, politik apo etnik. Ne duhet të presim që kjo ngjarje të zbardhet, por një gjë mund ta themi që tani: Vrasja nuk është bërë nën motivime të tilla. Në fund ne do të kemi një fajtor, dhe ai fajtor do të jetë polici që ka shtënë pa asnjë arsye në drejtim të tij. Prandaj, protestat e dhunshme janë absolutisht të papranueshme.
Bëhen edhe më të papranueshme prej faktit, që dhuna nëpër rrugë nuk ushtrohet prej njerëzish të cilëve u vjen keq për Klodianin, apo të cilët duan një polici më të mirë (e kemi të qartë se ç’polici dinë të ngrenë). Dhuna ushtrohet prej njerëzish që duan të rifitojnë çfarë kanë humbur, pushtetin.
Dhe sa më shumë kuptojnë që nuk e kanë të lehtë ta marrin pushtetin, aq më të dhunshëm bëhen. Duhet të përgatitemi për ditë më të vështira për shkak të tyre. U ka vajtur atje ku nuk mban më për pak pushtet.