Mëngjesin e sotëm u grabit shtëpia e një të moshuare në Lushnje. E moshuara Lume Zela jetonte e vetëm dhe në mëngjes një vajzë 16-vjeçare i ka trokitur në derë për t’i kërkuar ndihmë me pretendimin se ishte e sëmurë.
Pasi e moshuara e ka futur brenda, ajo e ka spërkatur me spraj lotsjellës dhe ka filluar të kontrollojë shtëpinë për të vjedhur sende me vlerë. Më pas 16-vjeçarja është ndihmuar nga i dashuri i saj 18-vjeçar për t’u larguar nga banesa. “Më tërhoqi zvarrë”, thotë Lume Zela, në rrëfimin e saj pas ngjarjes.
Pasi dy adoleshentët janë larguar, e moshuara thotë se e kanë lënë të kyçur në dhomë. Ajo ka dalë duke thyer xhamin, ka telefonuar policinë dhe ka mundur të shpëtojë. Gruaja tha pas ngjarjes se në banesë ka patur disa florinj, të cilët nuk dihen nëse i ka marrë, pasi është ende duke kontrolluar.
Ngjarja është parë edhe nga fqinjët, të cilët kanë deklaruar në polici se kanë fiksuar momentin kur 16-vjeçarja ka trokitur në derë, por nuk janë afruar pasi kanë menduar se ishte mbesa e Lume Zelës.
Të dy janë identifikuar dhe janë arrestuar nga Policia, ndërsa mbi ta rëndon akuza e “Vjedhjes me dhunë” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim”.
Mësohet se 16-vjeçarja është Kristjana Beqiri, një personazh i njohur i rrjeteve sociale si “Tik Tok” dhe “Instagram”.
Madje ajo ka marrë pjesë edhe në disa video-klipe të këngëtarëve të njohur shqiptarë, si Stine.