Punime publike të paguara, por të pakryera sipas volumeve të deklaruara, dhe rekomandime për rikuperimin e miliona lekëve që vazhdojnë të mbeten të pazbatuara. Këto janë ndër problematikat më të forta që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar në Bashkinë Gjirokastër.
Një nga rastet më të rëndësishme lidhet me ujësjellësin e Lazaratit, ku një auditim i mëparshëm kishte konstatuar 17.19 milionë lekë pa TVSH dëm ekonomik, si pasojë e punimeve të situacionuara, por të pakryera.
Në raportin e ri, KLSH rikërkon marrjen e masave për arkëtimin e kësaj shume. Sipas audituesve, bashkia nuk ka paraqitur dokumentacion që të provojë zbatimin e rekomandimit, ndaj ai është klasifikuar i pazbatuar.
Një tjetër rast lidhet me masat inxhinierike për stabilizimin e rrëshqitjes së masës në Kodrën e Cfakës, pranë rrugës Gjirokastër–Kakavijë. Edhe për këtë kontratë, KLSH rikërkon arkëtimin e 3.16 milionë lekëve pa TVSH, të konstatuara si dëm ekonomik në auditimin e mëparshëm.
Probleme janë identifikuar edhe në kontrata të tjera për rikonstruksione rrugësh dhe objektesh publike. Audituesit kanë konstatuar diferenca mes volumeve të punimeve të paguara dhe atyre të realizuara në projekte si rruga Zhulat–Gjirokastër, rruga Taroninë–Zhulat dhe ndërhyrjet në shkollën “Muhamet Gjollesha” në Lazarat.
Për këto raste, raporti kërkon rikuperimin e shumave të konstatuara si dëm ekonomik dhe forcimin e kontrollit mbi zbatimin e kontratave.
Një problem më vete është moszbatimi i rekomandimeve të mëparshme të KLSH-së. Në disa raste, audituesit theksojnë se, megjithëse nga administrata është deklaruar se masat janë në proces, nuk është paraqitur dokumentacion që ta provojë këtë.
Kjo e zhvendos vëmendjen nga konstatimi fillestar i shkeljes te një pyetje edhe më e rëndësishme: përse paratë që KLSH kërkon të rikuperohen vazhdojnë të mbeten pa u arkëtuar?
Raporti ngre shqetësime për kontrollin e punimeve publike, përgjegjshmërinë e strukturave të bashkisë dhe efektivitetin e masave të ndërmarra pas auditimeve.









