E ftuar në emisionin “Historia ime” ka qenë Jozefina Topalli e cila si rrallë herë ka folur më gjatë për jetën personale, familjen dhe karrierën e saj në politikë.
E pyetur nga moderatorja e njohur Mirela Milori se si i ka përballuar bashkëshorti i saj përballjet e forta në politikë apo në parlament, Jozefina ka treguar se ai ka qenë gjithmonë mbështetës dhe nuk është ndarë asnjë moment nga ajo.
Madje Topalli ka treguar se periudha kur u vra Azem Hajdari dhe momenti i arrestimit të Berishës nga Ilir Meta në vitin 2000 ka qenë shumë e vështirë për të.
Mirela Milori: Si u njohët me bashkëshortin?
Jozefina Topalli: Ne kemi qenë afër në një lagje, ne flisnim më përpara por nuk kishim asnjë gjë. Në një moment të caktuar, ai u afrua. Fillimisht isha në distancë por ne kishim edhe një lidhje tjetër familjare, kushërira e tij ishte e martuar me djalin e tezes time.
Pastaj më ndërroi mendjen, është më i madh se unë, por qëndrimi i tij për të qenë i njëjtë si përpara se unë të hyja në parlament, si kur unë isha në parlament, sikurse jemi sot, ka qenë një vendim shumë i mençur.
Mirela Milori: Disa përballje shumë të forta që janë më shumë kosto personale sesa në emër të partisë, kur ktheheshit në shtëpi çfarë ju thoshte bashkëshorti jam kurioze?
Jozefina Topalli: Në ’98-ën kur u vra Azem Hajdari ishte një situatë shumë e tmerrshme, edhe në 2000-shin pastaj, kur Ilir Meta arrestoi Sali Berishën në mesnatë, e çoi në drejtori dhe unë isha mbas dhe përfundova në Drejtorinë e Policisë.
Nuk më është ndarë asnjë sekondë, ka lënë çdo gjë në shtëpi dhe në momentet më të vështira ka qenë bashkë me mua. Nuk hynte në zyrë për të qenë bashkë me mua, por rrinte aty dhe ndiqte çdo gjë me sy, sigurisht që nuk më ka lënë asnjëherë vetëm.
Në përballje me Ilir Metën, ka një dozë të madhe civilizimi, unë nuk besoj që çdo burrë do e përballonte me qetësi dhe mirëkuptim atë që ai ka përballuar gjatë asaj situate në më mënyrë të veçantë, kur çdo gjë thuhej në parlament dhe ndonjëherë kapërcehej, sepse mund të bëhen sulme politike dhe nganjëherë kapërcehej fjalori.
Nuk them se nuk është mërzitur por ka shumë zotnillëk që e ka nga familja e tij që kanë qenë njerëz të jashtëzakonshëm. Këshilla më jep vazhdimisht edhe sot edhe në fillim. Për shembull, për çfarë të duhet, po lëre. Në fakt po ta kisha dëgjuar pak më shumë edhe ndoshta më mirë do kishte qenë për mua.
Topalli ka ndarë me publikun një ngjarje të rëndë që ka ndodhur në vitin 2000 në Vlorë gjatë një fushate elektorale. Ajo tregon se e kanë ndaluar disa persona me kallash dhe ishin në rrezik për jetën.
Jozefina Topalli: Im bir ka pasur disa përjetime të rënda kur ka qenë i vogël. E para kur ka ndodhur një ngjarje në Vlorë, ka qenë shumë i vogël. Në vitin 2000 ishim në fushatën elektorale.
Mirela Milori: PD-ja ishte në ditët e saj më të errëta duhej ngritur.
Jozefina Topalli: Kishte filluar të ngrihej. Unë kam shkuar në që ’97-ën në Vlorë, meqë burrat nuk shkonin, shkoja unë. Nuk ekzistonte Partia Demokratike dhe unë nuk i harroj kurrë ata vlonjatë që në atë klimë që ishte, bashkoheshin dhe më kanë dashur shumë. Edhe unë i kam dashur shumë. Shkuam të bënim fushatë elektorale në periferi të Vlorës dhe një moment të caktuar, dihet vendi ishte me probleme të mëdha, dëgjoj disa të shtëna.
Çlidhje kanë me mua, unë isha në makinë, afër meje ishte një zonjë që është mikja më e veçantë vlonjate Dorotea Konomi, është një ndër familjet më të mira. Ishte shoferi, truproja sepse isha nën kryetare parlamenti. Nga të shtënat që po dëgjonim, afrohen 4 veta tek makina dhe na ndalin. Hapën të 4 dyert dhe i vunë kallashin shoferit, kallashin tek koka e bodygardit, dhe kallashi tjetër që ishte afër qafës së Doroteas dhe që vinte tek koka ime. Përpara meje ndaluan dhe makinat e tjera që më shoqëronin nga dega e partisë demokratike në Vlorë. Thyen xhamat e makinës tjetër që ishte përpara. Ku është Jozefina? Jozefina ishte mbrapa. Njëri prej tyre kishte vrarë shumë të tjerë gjatë ’97-ës dhe ai thotë cila është Jozefina Topalli këtu?
I thashë unë jam. Çfarë bën ti këtu më tha, i thashë jam për fushatë. Kujt i ke marrë lejë më tha, s’po dija t’i jepja përgjigje dhe i thashë ju thashë që jam në fushatë dhe më thotë kujt i thua ju, ti? Tek dera ku isha unë nisi të gjuajë me kallash poshtë tek makina, kurse tjetri vazhdonte ma mbante kallashin tek koka.
Mirela Milori: Pate frikë?
Jozefina Topalli: Jo, gjëja e parë që mendova thashë unë nuk mund të shoh më djalin, fëmijët e mi dhe mora celularin për të tentuar të flas me djalin, por pashë që s’kishte valë dhe shpresa ime e fundit dhe e lashë celularin. Pastaj fillova të mendoj për shoferin dhe bodygardin sepse ishin djem të rinj. Mendoja po fati i tyre, mirë që unë jam e angazhuar në politikë, ndërkohë që Dorotea mbante një qëndrim stoik, nuk i lëvizte qerpiku sepse po te lëvizte ajo ne do ishim të shuar në sekondë.
Kjo mua mu duk sikur ka qenë 20 minuta dhe besoj se ka qenë aq. Ndoshta dhe mu duk mua, sepse mu duk sikur nuk po mbaronte kurrë. Ai vazhdonte të bërtiste, të gjuanin mbi makinë, nën makinë, pas 20 minutash më iku kallashi nga koka dhe ja hoqën kallashin atyre të dyve. Shoferi im nisi t’i jepte pak gaz makinës, unë nuk i thosha as jepi as mos i jep sepse asnjëri prej nesh nuk e dinim se çfarë të bënim dhe filluam të ecnim avash avash me 4 dyert e hapura, po prisja të kërciste plumbi pas koke, por nuk ndodhi dhe pastaj mbyllëm dyert.
Në televizor shkruhej antentat ndaj Jozefina Topallit, në shtëpi Megi me Genarin po luanin. Megi shikon në televizor dhe e lexon me zë të lartë, ky e dëgjon dhe fillon të qajë mama, mama. Nga ai përjetim i keq, ai nuk binte të flinte se thotë kam frikë se mbase nuk e dëgjon baba dhe mbet mami pas dere.
Në një moment të intervistës kur ajo po fliste për nënën, u përlot dhe ndërhyri Mirela Milori duke thënë se në parlament ajo ishte një grua e fortë dhe madje zoti Balla nuk duhet të ketë ndonjë përvojë tjetër që dikush t’i thotë “ Kapeni për zhele dhe nxirreni jashtë”.
Mirela Milori: Gjatë kohës në parlament keni qenë një grua e fortë, e ashpër. Zoti Balla s’besoj që dikush tjetër t’i thotë… Atë batutën e famshme që është bërë tani, batutë… (qesh).
Jozefina Topalli: Nganjëherë të shet një fjali që… Unë kujtoj që kishim të ditën e buxhetit. Gjithmonë kur ishte buxheti, kishte 10 orë debat, aty kishte sulme nga të gjitha anët, që kryesisht pas kryeministrit, vinin tek unë dhe në një moment të caktuar, pas 10 orësh seancë pa u ndal, sigurisht që edhe njeriu lodhet, edhe presioni bën efektin e vetë. Por unë i them një gjë, nëse ky është mëkati im i vetëm gjatë 20 viteve, ky është një kompliment, kështu që unë e kam kapërcyer në mënyrën time.
Jozefina Topalli ka folur më gjatë për jetën private, fëmijërinë dhe karrierën e saj në politikë. Ajo ka treguar se kur ishte e re, nuk i dhanë mundësinë e shkollës, pasi familja e saj kishte një emër të keq në atë kohë, kështu u detyrua të punojë në bujqësi tek stacioni i misrit. Për të kjo punë ishte tepër e vështirë, por ishte e detyruar të bënte çdo gjë që të kujdesej për familjen e saj.
Jozefina Topalli: Ai më ndihmoi për të filluar punë tek stacioni i misrit si punëtore bujqësie.
Mirela Milori: Çfarë pune ishte?
Jozefina Topalli: Mbillja, rralloja, mbaja thasë që shkarkoheshin me misër, të gjitha punët e bujqësisë që kanë ciklin e vetë, nga pranvera deri në vjeshtë ishim në fushë dhe gjatë muajve të dimrit në fusnin brenda nëpër magazina për punët e tjera. Viti i parë ishte më i vështirë, kur na jepnin rreshtat për të rralluar etj etj, ato zonjat e fshatit e bënin shpejt e shpejt rreshtin dhe unë mbetesha në fund, ato ishin aq të mira sa ktheheshin me ndihmonin për të mbaruar rreshtin dhe më thoshin, hajde mos u mërzit. Ka qenë një eksperiencë që më ka dhënë mundësi për të kuptuar jetën e fshatit në atë kohë, pavarësisht se ne ishim të varfër, ata të fshatit ishin eksremisht të varfër.
Mirela Milori: Nga Shkodra vije në fshat, kjo vajza e fisshme e bukur, elegante dhe më pas shkoje atje dhe merreshe me brigadierin, si u jetua kjo?
Jozefina Topalli: Vitin e parë unë e laja me lot tokën ku punoja. Pastaj fillova të adaptohesha, kur nuk ke asnjë mundësi tjetër, ti je e detyruar që të bësh çdo gjë për të ndihmuar familjen. Do kujtoj një moment që më vjen të qesh tani por në atë kohë e kisha hall të madh.
Kur shkova në bujqësi unë mora një kapele dhe ato më thanë hiqe kapelën, do marrësh një shami të bardhë sepse dielli të dëmton fytyrën se do punoje 8 orë aty. I thashë jo shami nuk vë në kokë, po ato gratë ishin shumë të mira, përpiqeshin që të shpjegonin se do më mbronte fytyrën. Aty refuzova dhe vazhdoja të mbaja kapelën time, e ato më shihnin me çudi.
Një ditë të bukur na tha ai që ishte brigadier, hipni në karrocë që ishte me kalë dhe do shkonim në disa parcela që ishin në një fshat tjetër. Do i binin nga qyteti për të shkuar dhe ajo ishte tmerr për mua sepse thashë do më shohin në qytet me karrocë më kalë. Thashë o zot inshallah po bie shi që të ul kapelën që mos më njohin aty. Tani më vjen për të qeshur, kur i kujtoj gjërat e tilla por ashtu ishte koha.
Gjatë intervistës me moderatoren Mirela Milori Jozefina ka treguar këshillat që nëna e saj i jepte kur e shihte në parlament dhe historinë e prindërve të saj. Ajo ka treguar se prindërit kanë një diferencë prej 20 vitesh bashkë dhe kur babai i saj doli në pension ishte shumë e vogël.
Jozefina Topalli: Ka punuar shumë gjithë jetën, ka një histori shumë të veçantë me babain tim. Në një farë mënyre për shkak të kësaj ka qenë kolona e shtëpisë, ajo ka punuar për të na mbajtur ne, për të na inkurajuar që të mësonim, ka qenë shumë strikte, por në të njëjtën kohë nuk e kam dëgjuar kurrë të çojë zërin, asnjëherë në jetën time. Do të të them një sekret, kur isha në parlament, dy fraza më thoshte, “kam frikë moj bijë se mos të të bëjnë gjë” dhe pastaj thoshte “mos shaj të lutem, mos i thuaj gjë atyre”. Kështu që është një brez shumë interesant, kanë pasur një edukatë shumë të thellë. Ka një diferencë shumë të madhe në moshë me babin.
Mirela Milori: Më the që ka një histori të veçantë me babain tuaj, cila është?
Jozefina Topalli: Kanë pasur 20 vite diferencë në moshë, kur unë kam lindur dhe kam qenë e dyta në familjen tonë, babai ka qenë 54 vjeç. Babai ka lindur në Shkodër dhe shumë herët kanë shkuar dhe jetuar në Tiranë, kanë pasur një vilë sepse babai i tij ka qenë në funksione të rëndësishme. Pastaj ka shkuar së bashku me vëllezërit dhe hallat e mia të gjithë në Itali dhe kur është kthyer ka filluar punë në Bankën e Shtetit. Në 45-ën pastaj, dy xhaxhallarët e mi edhe pse ishin shumë të ri morën dënimin me pushkatim dhe babain e dënuan nga Tirana.
Pavarësisht se ishte ekonomist dhe një nga njerëzit më me integritet, u kthye në Shkodër dhe e çuan të punonte në hamall, të mbante sapunët, nuk e di se çfarë punë bëhej. Arrkat e sapunit, t’i ngarkonte, t’i shkarkonte etj. Ai nuk pranoi të martohej sepse me rrogën që kishte, donte të ndihmonte vëllezërit e tij që pastaj u dënuan burgim të përjetshëm dhe bënë nga 25 vite burg. Deri në një moment që thanë po ne u shuam si familje dhe kështu që është martuar vonë, ka pasur diferencë me nënën dhe unë kam qenë shumë e vogël kur ka dalë në pension, pastaj pësoi një paralizë, kështu që ishte nëna që i jepte kurajo, forcë.