Rreziku i shembjes së banesave të braktisura në qytetin e Gjirokastrës vazhdon të jetë një problematikë e mprehtë që kërcënon jetën e banorëve.
Pjesa më e madhe e pronarëve të këtyre shtëpive janë larguar në emigracion.
Si shkak i mungesës së investimeve për mirëmbajtjen e tyre këto shtëpi gjysmë të rrënuara po kthehen në problematike për jetën e përditshme të banorëve në disa lagje të qytetit. Sipas shifrave të publikuara nga institucionet publike në Gjirokastër në pjesën e sipërme të qytetit janë rreth 100 banesa të braktisura nga pronarët e tyre dhe ku aktualisht nuk jeton njeri.
Për pjesën më të madhe të tyre banorët kanë kërkuar mirëmbajtjen pasi në këtë mënyrë do të evitohet shembja e mureve dhe çative të gurta të cilat në jo pak raste kanë rrezikuar edhe jetën e banorëve që jetojnë pranë këtyre shtëpive.
Familja Vrenjo ndjehet e rrezikuar pasi banesa e tyre ndodhet afër një shtëpie të braktisur nga pronarët dhe që ditët e fundit ka pësuar shembje të mureve dhe çative. “Ne jemi 10 veta, pjesëtarë të familjes të cilët jetojmë me rrezikun se banesa që ndodhet afër nesh do të rrëzohet duke na zënë nën vete”, thonë pjesëtarët e familjes.
Shtëpia e gurtë dy-katëshe që ndodhet pranë banesës së familjes Vrenjo prej vitesh është braktisur nga pronarët e saj ndërkohë që mungesa e mirëmbajtjes ka bërë që çatia dhe muret e gurta të pësojnë shembje të vazhdueshme. “Vazhdimisht nga kjo banesa dëgjohen zhurma të forta të shembjes së mureve dhe dhomave të brendshme madje ditët e fundit një pjesë e pllakave të çatisë dhe gurëve të mureve kanë rënë në brendësi të banesës sonë”, thonë pjesëtarët e familjes Vrenjo ndërsa përshkruajnë rrezikun që përbën për jetët e tyre banesa e braktisur me shembjet e saj të vazhdueshme.
Ata kanë tentuar të kontaktojnë me pronarët e shtëpisë që ndodhen në emigracion por sërish situate nuk ka ndryshuar. “Vazhdimisht pronarët e shtëpisë gjysmë të shembur na kanë premtuar se do të mirëmbajnë banesën por sërish kjo problematikë nuk po gjen zgjidhje”, shprehen komshinjtë e shtëpisë së braktisur./konica.al









