Detaje të reja janë zbuluar për jetën e familjes prej 4 anëtarësh që u shua mëngjesin e sotëm në aksidentin tragjik në autostradën Fier-Vlorë. Mesohet se Eduardi, babai i dy vajzave të mitura 14 dhe 9 vjeçe ishte emigrant prej 20 vitesh në Greqi. Ata kishin ardhur në Shqipëri për pushime. Por paraprakisht do të shkonin në shtëpinë e prindërve të vajzës në një fshat të Vlorës e prej andej do të nisnin pushimet. Në shtëpinë e Eduardit në fshatin Dukas të Patosit nuk jeton askush pasi edhe prindërit e tij jetojnë në Greqi. Një i afërm tha se kishte marrë edhe familjen në Greqi dhe prej 2 vitesh nuk e kishin parë. “Ka 1 vit e gjysmë, 2 vjet që kanë ikur në Greqi. Ikën për të punuar. Këtu në Shqipëri kishte të atin, në Greqi i ka të gjithë. Kishte nja 2 vjet që nuk ishte kthyer. I kam kushërinj të afërt. Kam qenë për vete në Greqi. Bashkë ikën ata”, tha i afërmi për mediat.
Kush janë viktimat
Mësohet se viktimat që ishin duke udhëtuar me makinën tip “Toyota” më targa greke janë: Eduart Gushi, Silvana Gushi, Anastasia Gushi dhe Eva Gushi. Aksidenti i rëndë ndodhi rreth orës 08:23 të mëngjesit, por ende nuk dihen shkaqet që shkaktuan përplasen e fortë dhe tragjike. Ndërkohë policia është duke punuar për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti tragjik që tronditi mbarë opinionin publik.