Makina e ndalur në mes të rrugës, me xhama të thyer, teksa shenjat e përleshjes janë të qarta. Marjel Mejdi është avokati i cili mbeti i plagosur rëndë sot në Sarandë pasi persona të paidentifikuar i zunë pritë, e zbritën me forcë nga makina e tij tip “Benz” dhe e rrahën me shkop bejsbolli duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Mejdi gjatë fushatës ishte caktuar Koordinator Politik në Qarkun e Tiranës.
Mësohet se disa kohë më parë avokatit i kanë rrahur edhe xhaxhain, shtetasin me iniciale I.Mejdi dhe djalin e hallës A.K., në dy ngjarje të ndryshme. Ngjarja ndodhi sot në hyrje të portit, në sy të pushuesve dhe banorëve të zonës. Tre persona ende të paidentifikuar i kanë zënë pritë një automjeti tip ‘Mercedes Benz’ dhe pasi kanë thyer xhamat kanë nxjerrë drejtuesin e mjetit duke e goditur me shkop bejsbolli.
39-vjeçari u transportua drejt Spitalit të Sarandës në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai ka dorën dhe këmbën të thyera, ndërsa ka dhe fraktura të shumta në trup. Gjatë dëshmisë së tij para oficerëve të policisë, nga shtrati i spitalit avokati tha se shkak i sulmit është bërë një konflikt pronësie mes familjes se tij dhe disa personave të tjerë. Aktualisht policia po vijon hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.
Njoftimi i policise per ngjarjen
Rreth orës 13:05, në lagjen Nr.4, në afërsi të Portit, Sarandë, dyshohet se si pasojë e një konflikti të çastit është dëmtuar me sende të fortë, shtetasi M. M., 39 vjeç, banues në Sarandë, i cili është dërguar për ndihmë mjeksore, jashtë rrezikut për jetën. Sherbimet e Policise kane shkuar menjeherë në vendngjarje. Është ngritur grupi hetimor i cili vijion veprimet në vendin e ngjarjes me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Në ambientet e Komisariatit të Policisë Sarandë janë shoqëruar disa persona për tu marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen.