Nga Artur Ajazi
Edi Rama, vazhdimisht ka rifreskuar dhe rinovuar Partinë Socialiste. Ndryshe nuk do të kishte qëndruar kaq gjatë në pushtet. Nuk e pranoj faktin se “largoi staturën e gardën e vjetër”.
Jo aspak. Ai me të “vjetrit” konsultohet, dhe bashkëpunon vazhdimisht në dobi të partisë. Dihet se “koha e gjatë në pushtet, të shtyn të bëhesh abuziv”. Kjo ka ndodhur deri sot, me ata që dikur Edi Rama, i besonte, u jepte vendi nderi në qeveri, administrate, parti, etj. Ka ardhur koha të bëj një rifreskim radikal të Partisë Socialiste.
Ka ardhur koha të flaken nga administrata, dhe institucionet e qeverisjes, ata që janë “bukëshkalë”, ata që natën flasin në telefona me krerët e opozitës, ata që nuk bëjnë “1 lek punë”, dhe kanë zhvatur para nga thesi i investimeve publike. Ka ardhur koha të përgjigjen para organeve të drejtësisë, dhe jo të vegjetojnë akoma nën propogandën bajate që bëjnë në takime dhe tavolina kafenesh. Askush nuk i beson më ata, që e zhgënjyen Ramën dhe Partinë socialiste. Ashtu siç ka ardhur koha që, ata që u ndëshkuan nga SPAK, të “ulin bishtin”, dhe të mos shpresojnë se, “Rama po shkon drejt ikjes”. Grupimi “anti-Rama”, u krijua brenda Partisë Socialiste pasi u “ngop” me para, me prona dhe pasuri të paligjshme.
Ata janë gati që sot, ti dalin pas shpine Edi Ramës, por jo përballë. Ata janë “shushunja”, që nuk u bën dobi asnjë parti, asnjë kryetar partie, dhe asnjë kryeministër, veç interesit personal. Ata futen në politikë si parazite, si të shitur, dhe shpesh arrijnë deri në maja pushteti. Nuhatja dhe inteligjenca e Edi Ramës, e ka shpëtuar shpesh në këto 2 dekada Partinë Socialiste. Rama nuk “fle mbi dafina”. Aq më tepër kur në 14 vite pushtet, ka pësuar kaq zhgënjime, nga ata që dikur i konsideronte miq, shokë, kolegë, etj. Jo, nuk ka më kohë për mëdyshje, në rast se duan që pushteti të mos konsumojë gjithçka të bukur, qysh kur u nis në 2013.
Mbledhja e Asamblesë në 14 Nëntor, natyrisht do të sjellë “surpriza” të këndshme. Edi Rama po bën gati “qilizmin” historik, që do ti sjellë dhe sigurojë atij fitoren e 9 Majit 2027, apo dhe fitoren e mandatit të pestë në 2029. Përballë një opozite inekzistente, mbetet detyrimi moral, politik dhe patriotik i Edi Ramës, ti japë vendit garanci të përhershme, mbi qeverisjen e duhur, si kushti për integrimin në Bashkimin Europian. Dhe natyrisht, kjo nuk arrihet veçse me punë, dhe kontribute personale të çdo socialisti nga baza deri në majat e pushtetit.
Edi Rama, u ka vënë kushtin themelor, çdo deputeti dhe çdo funksionari, që të zbresin tek njerëzit, dhe ti kthejnë institucionet dhe zyrat e shtetit, në dobi të halleve dhe problematikave të çdo qytetari. Ky është objektiv, ky është edhe kushti që do ti shërbejë atij si “test provues” për vazhdimësinë bashkëqeverisëse duke nisur nga ministrat deri tek drejtorët e bashkive në bazë./ Javanews









