Tre avionë të rinj për përballimin e zjarreve pritet t’i shtohen flotës ajrore të Shqipërisë, dy prej të cilëve do të mbërrijnë në dhjetor dhe i treti në mars të vitit 2027.
Kështu deklaroi kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Mbrojtjes, duke bërë të ditur se kontrata është mbyllur dhe se vitin e ardhshëm flota do të jetë në kapacitetin maksimal.
Çako deklaroi se gjatë vitit 2026 Shqipëria nuk ka paraqitur asnjë kërkesë për ndihmë pranë Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile për përballimin e zjarreve. Sipas tij, kjo është bërë e mundur falë gatishmërisë së flotës ajrore, me 3 helikopterë Cougar, 2 Black Hawk dhe 2 avionë Air Tractor, të cilët mundësuan menaxhimin e zjarreve në kohë reale.
Ndryshe nga viti 2026, Çako tha se gjatë vitit 2025 Shqipëria kishte marrë asistencë nga vendet partnere të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, me 22 mjete ajrore për përballimin e zjarreve. Ai sqaroi se kjo ndihmë nuk ishte pa kosto, pasi qeveria shqiptare mbulonte një pjesë të shpenzimeve përmes anëtarësimit në mekanizmin evropian, si dhe një pjesë të kostove operacionale.
Pjesë nga raportimi i Haki Çakos në KOmisionin Parlamentar për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes:
Çako – Lidhur me flotën e helikopterëve, viti 2026 ka shënuar një nga arritjet operacionale më të suksesshme të shtetit shqiptar. Çfarë do të thotë? Në 2026 ne nuk kemi adresuar asnjë kërkesë pranë Qendrës së Koordinimit të Drejtorisë së Përgjithshme në Bruksel për ndihmë dhe mbështetje.
Kjo lidhet me gatishmërinë e flotës së helikopterëve që ne kemi në dispozicion, me 3 helikopterë Cougar dhe 2 Black Haëk dhe me 2 avionë Air Tractor që u vunë në dispozicion nga operatori përkatës dhe arritëm të menaxhonim në kohë reale të gjitha zjarret.
Kontrata është mbyllur. 2 avionët, të cilët janë të destinuar posaçërisht mbi bazën e kontratës, vijnë në dhjetor dhe i treti vjen në mars. Kjo është mbyllja përfundimtare e flotës që në 2027 do të jetë në kapacitetin maksimal.
Në 2025 patëm një inspektim nga Brukseli për kërkesat e shtuara që ne patëm bërë, pasi në 2025 ne patëm një asistencë me 22 mjete ajrore të ardhura nga vendet partnere të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile Evropiane. Në fund është një pjesë e kostos që qeveria shqiptare likuidon nga anëtarësimi në Mbrojtjen Civile Evropiane, por edhe një pjesë e operacionalitetit. Nuk ka asnjë gjë free.









