Në një kohë kur ka ashpërsuar ligjin e tubimeve me gjoba përmes paketës antidhunë, nga ana tjetër qeveria ka hartuar një projektligj si mburojë e pjesëmarrjes publike në cështje me interes publik.
Si rrjedhojë e detyrimeve të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë europian, Ministria e Drejtësisë ka nxjerr për konsultim publik draftin për mbrojtjen e lirisë së shprehjes nga paditë e pabazuara dhe procedurat gjyqësore abuzive.
Ky propozim synon që të forcojë pjesëmarrjen qytetare dhe të parandalojë përdorimin e gjykatave për të ushtruar presion dhe për të heshtur zërat kritike.
Mbrojtja nuk përfshin vetëm aktorët tradicionalë të medias por edhe aktivistë, studiues, akademikë apo qoftë edhe qytetarë që protestojnë.
“Fenomeni nuk kufizohet vetëm te gazetarët apo subjektet mediatike. Pjesëmarrja publike mund të realizohet nga një kategori e gjerë personash dhe subjektesh që kontribuojnë në debatin mbi çështje me interes publik. Përkufizimi i interesit publik është qëllimisht i gjerë dhe përfshin çështje që lidhen me të drejtat themelore të njeriut, shëndetin publik, sigurinë, mjedisin, klimën, çështjet që shqyrtohen nga institucionet shtetërore, korrupsionin, mashtrimin, veprat penale ose shkeljet administrative, si dhe mbrojtjen e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër dezinformimit”.
Nisma përcakton masa jo vetëm për rrëzimin e hershëm të padive haptazi abuzive, përfshirë ngarkimin me shpenzimet gjyqësore e shpërblimin e dëmit, por parashikon edhe vendosjen ndaj paditësit një gjobë nga 50 000 deri në 300 000 lekë, duke marr në konsideratë natyrën dhe pasojat e shkeljes, për të mos lejuar përsëritjen e sjelljes.
“Veçantia e këtyre procedurave lidhet me faktin se efekti kufizues ndaj pjesëmarrjes publike mund të prodhohet pavarësisht rezultatit përfundimtar të procesit gjyqësor. Vetë detyrimi për t’u përballur me një proces të gjatë, kompleks dhe të kushtueshëm dhe pasojat e mundshme në drejtim të reputacionit, mund të krijojnë një efekt frenues jo vetëm ndaj personit të paditur, por edhe ndaj personave të tjerë që mund të angazhohen në pjesëmarrje publike”.
Gjoba vlerësohet e nevojshme jo thjesht si masë ndëshkuese por edhe funksion parandalues dhe dekurajues ndaj përdorimit të procesit gjyqësor për të ushtruar presion ose për të kufizuar pjesëmarrjen publike.








