Aksidenti i ndodhur mesjavën e shkuar në ‘Qafën e Muzinës’, ku humbën jetën pesë persona, duket se po hyn në një etapë të re hetimesh. Burime konfidenciale nga grupi hetimor, konfirmojnë se drejtuesja e ‘Range Roverit’ Rexhina Celhaka, udhëtonte me automjetin e djalit të xhaxhait të saj nga Tirana, në drejtim të Sarandës e mandej drejt destinacioneve të panjohura për të.
Celhaka nën shoqërinë e shoqeve të saja, kishte përshkuar rrugën nga bregdeti jonian me ndihmën edhe të GPS në celular pasi ishte një terren i panjohur për të. Nisja drejt Gjirokastrës ndodhi ditën kur ndodhi aksidenti.
Sipas ekspertëve, në momentin e ndodhjes së aksidentit ka pasur rreshje të pakta shiu cka ka favorizuar aksidentin e ndodhur. Përplasja mes dy mjeteve ka qenë tangenciale dhe kjo është përcaktuar edhe nga pozicionimi i Range Roverit ne dy metra pas ndodhjes së aksidentit. Gjurmët e frenimit në vendngjarje mungojnë cka do të thotë se s’ka pasur fare frenim dhe nëse do kishte, mbi atë bazë do përcaktohej sa shpejt ka qenë Range Roveri.
Ekspertët konfirmojnë se nëse do të kishte përplasje frontale, përgjithësisht energjia e cliruar nga të dy mjetet do të varej nga pesha e secilit mjet dhe në këtë rast, pasojat do të ishin vecse me lëndime. Por në rastin në fjalë me përplasjen tangenciale një pjese e energjisë e përthith goditja, kurse pjesa tjetër e ruan lëvizja-thuhet në raport. Pyetja që shtrohet është nëse të dy mjetet do të kishin respektuar shpejtësinë e lejuar prej 30 km në orë që është dhe shpejtësia e lejuar, do të ndodhte ky aksident me këtë pasojë? Ndërkaq Rexhina Celhakaj, ndodhet në spitalin e burgut në gjendje të rënduar mentale si pasojë e asaj që ndodhi. Madje edhe në masën e dhënë të arrestit që iu komunikua teksa ishte shtruar, ajo vetëm ka qarë dhe shfajësuar duke thënë se nuk ka qenë me shpejtësi dhe se furgoni me pasagjerë drejtuar nga Bardhi Proda, erdhi me një shpejtësi skëterre aq sa nuk e pandehte se nga erdhi.
Ditët vijuese, grupi i ekspertëve të ardhur nga Tirana, do të përcaktojë edhe konkluzionet që do t’i shërbejnë organit të akuzës për të zbuluar shkaqet reale të aksidentit ku humbën jetën 5 persona mes të cilëve edhe drejtuesi i furgonit të pasagjerëve.









