Nga Andrea Danglli
Një nga këshillat prindërore të marra qysh në vegjëli ishte që të mos e shkelnim bukën pasi përbënte mëkat. Kështu na thonin, andaj nisur nga kjo, edhe kur nuk na hahej më, e puthnim kafshatën e ngelur tri herë dhe e vendosnim në ndonjë vend të dukshëm për ta ngrënë zogjtë. Në këtë mënyrë asnjë thërrime nuk shkelej, por merrte respektin e duhur. Atëherë nuk mund të kuptonim aq shumë nga kjo filozofi e tërë jete, duke u mjaftuar veç me idenë se do të na përndiqte ndonjë e keqe nëse do të shkonim kundrejt porosive të prindërve. Sot mund ta kuptojmë më mirë këtë simbolikë të paraardhësve tanë për të na mëkuar mirënjohje ndaj mundit dhe djersës që investohet për sigurimin e bukës, duke i dhënë vlerën e duhur çdo grimce të saj.
Kjo histori m’u kujtua gjatë këtyre ditëve kur çështja e bukës është kthyer në një stacion debatesh publike a thua se jemi në shekullin e kaluar dhe do të na duhet të përgatitemi për “Depresionin e Madh” dhe jo në vitin 2021 kur duhet të mendojmë për sfida madhore të kohës sonë.
Sot buka jo vetëm po shkelet, por po bastardohet në forma të ndryshme duke dalë tej ligjeve shoqërore, civile apo edhe atyre hyjnore po të doni. E kur them buka nuk e kam fjalën për kallamarë dhe karkaleca krudo, por për produktet jetike, energjinë elektrike, çmimin e karburantit, etj, ku çdo ndryshim i vogël lëkund balancat ekonomike të qytetarëve. Shqipëria nuk është veç Tirana e 1001 restoranteve, shijeve apo orekseve: çudi që Kryeministri nuk e merr parasysh këtë gjë para se të mprehë lapsin dhe të hartojë fjalime të dendura me metafora apo gjuhë sfilitëse që në këtë rast ndjell panik tek njerëzit e zakonshëm.
Para tyre duhet një analizë e mirëfilltë e situatës nga ekspertë të fushës dhe jo nga “poetët” e zyrës së tij që më shumë u kushtojnë rëndësi fjalimeve patetike me luftëra kalorësiake sesa zgjidhjes reale, më shumë moralit ndaj kundërshtarëve politikë sesa instrumenteve konkrete të rrugëdaljes, më shumë ngjyrave të tonit pesimist sesa iniciativave që duhen ndërmarrë në mënyrë që çdo efekt i krizës së re globale të mos shndërrohet në një krizë ekonomike kombëtare.
Në këtë pikë duhet të kemi një paraqitje më elegante dhe një qasje më serioze, ku qeveria ta nisë nga vetja duke premtuar se do t’u reduktojë “ushqimin” të babëziturve dhe do t’ua japë të uriturve. Këtu është fjala për programe zbatimi që vihen në veprim për të kuruar stabilitetin monetar dhe jo për fjalë si të ishim duke rrëfyer bëmat e banditi hero të folklorit anglez Robin Hood.
Që ta mbajmë në kurriz këtë krizë që thuhet se na është hedhur sipër, atëherë duhet të zbresim nga kurrizi të pasurit e këtij vendi, shumë prej të cilëve jo vetëm na kanë kërrusur për vite me radhë, por edhe na kanë shtypur përmes taksave indirekte, shfrytëzimin e pasurive publike, licencat e panumërta koncesionare, etj.
Për këtë, Parlamenti duhet të ndërpresë punimet dhe të merret urgjentisht drejtpërdrejt me përballimin e kësaj çështjeje, ku të rishihet i gjithë sistemi i taksave dhe tarifave që mbështesin ekonominë e familjeve shqiptare, biznesit të vogël si dhe biznesit që lidhet me produktet e shportës për të pasur lehtësira.
Tashmë më shumë se programi “Shqipëria 2030” që predikuan funksionarët e lartë socialistë 1 muaj më parë në parlament, na duhet një zgjidhje “Shqipëria sot” që kjo e fundit të mos përpëlitet në rrënojat ekonomike që na la pas tërmeti e pandemia. Lipset t’i bëhet radiografia problemit dhe të rivlerësohen disa politika që sot fatkeqësisht po favorizojnë bizneset e mëdha, korporatat dhe produktet e luksit, duke u dhënë atyre shansin të vjelin ndër vite mineralet, hidrokarburet, privatizimet, ujërat tokësore, nëntokësore, diellin, erën dhe shumë pasuri të tjera natyrore duke përfituar ndër vite lehtësira të shumta fiskale që u shmangen detyrimeve të duhura.
Nuk mendoj se u prish shumë punë xhepit të tyre të nginjur tashmë nëse të gjithë mjeljen e vazhdueshme që u kanë bërë pasurive të këtij vendi “për dy groshë”, do t’ia kthejnë në këtë situatë të jashtëzakonshme shoqërisë në formën e tarifave apo kontributeve të veçanta që duhet të paguajnë.
Krejt e thjeshtë: nëse ndokush ka fituar dhe po fiton më shumë nga shfrytëzimi i së mirës së përbashkët të ndërtuar në breza po nga puna e përbashkët, atëherë duhet që të paguajë realisht shumë më shumë se të tjerët.
Në këtë mënyrë, nuk kemi pse mbushim rezervat boshe të shtetit me xhepin e shpuar të të varfërve, kur mund t’i mbushim ato me llogaritë e panumërta të atyre që e kanë të vështirë të kalkulojnë zerot e përfituara duke përdorur levat shtetërore që u janë ofruar me shkëmbime modeste prej vitesh.
Këtë “luftë” të re dhe shumëdimensionale që u shpall nga kryeministri plot patos, qeveria duhet t’ua kursejë shqiptarëve të zakonshëm dhe të angazhohet profesionalisht për një zgjidhje konkrete që nuk rëndon mbi energjinë elektrike, karburantin, produktet e shportës, pra të gjitha kostot bazike që të çojnë drejtpërdrejtë te KAFSHATA E BUKËS!
Për mijëra vjet shqiptarët vërtet kanë predikuar “buk’ e kryp’ e zemër” si virtyt i vlerave dhe zakoneve të tyre, por kjo s’do të thotë që duhet t’u ngelet mbi tryezë veçse kripa.
Kjo situatë është e hidhur! Mos e shkelni bukën zoti Kryeministër, kafshata që i merret të pamundurit sot është helm dhe në këtë rast nga ai mund të të shpëtojë mjekësia por kurrsesi historia…
Shqipëria 2021 s’mund të flasë më për kafshatën!/TemA