Nga Blerim Kore
Tashmë Kalaja e Gjirokastrës është kthyer në një simbol të qytetit të gurtë. Ajo përbën një prej ndërtimeve më të veçanta të këtij lloji, jo vetëm në vendin tonë por edhe më gjerë. Gjatë shekujve kështjella e gurtë është lidhur pazgjidhshmërisht me jetën e vet qytetit, duke u shkrirë dhe bërë njësh me historinë e Gjirokastrës. Aktualisht me dhjetëra njerëz dhe personazhe vazhdojnë që jetën e tyre ta shohin të lidhur në mënyrë të pandashme me kalanë e gurtë. Artistë, poetë, artizanë, restauratorë, këngëtarë popullore të Festivaleve Foklorike Kombëtare, etj e ndjejnë kështjellën e gurtë si pjesë të veçantë dhe të pandashme të jetës së tyre.
Arjan Shehu, këngëtari popullor
Për këngëtarin vyrtuoz të isopolifonisë labe, Arjan Shehu, kështjella e Gjirokastrës përbën skenën e gurtë të jetës artistike të tij. “Bedenat, muret e gurta të kësaj kalaje kanë qenë spektatorët e palëvizuar të këngës sime popullore jo vetëm në festivalet folklorike por edhe në dhjetëra aktivitete të tjera të folkut shqiptar”, thotë Arjani.Polifonia labe e kënduar prej tij është ngjitur në skenën e gurtë të kalasë së Argjiros, gjatë organizimeve të shumta të folkut dhe veçanërisht Festivalit Folklorik Kombëtar. Zëri i tij si marrës i grupit do ta shndërronte mërmërimën e këngës iso-polifonike në një ujëvarë ndjenjash dhe emocionesh. Ai do të këndonte me të njëjtën drithërimë, duke pasur si sfond ison burrërore, këngët e dashurisë dhe kurbetit, ato të dasmës dhe lirike. “Dëshira për të këndur këngën labe , thote Arjani, ka ardhur natyrshëm. Qysh në moshë të vogël përpara sofave të portave karakteristike gjirokastrike, bashkë me shokët e mi kishim dëshirë që ato që nuk i shprehnim dot me fjalë, t’i jetëzonim në ison e polifonisë labe “. Me kalimin e viteve kënga labe u kthye në pjesë të jetës së tij. Në vitin 1980 së bashku me 6 shokë të tjerë ai do të bëhej pjesë e grupit “Të rinjtë e Gjirokastres”, aq i njohur për artëdashësit e polifonisë. Ndërkohë në vitin 1983 do të ngjitej për herë të parë në skenën e Festivalit Folklorik. Tani e ndjen se isoja labe është një mesazh për të tjerët, për ndjenjat, emocionet, dhimbjet dhe gëzimet që mbart shpirti i tij. “Gjithmonë spektatori e ka dashur këngën popullore sepse ajo ka qenë pjesë e natyrshme e ceremonive familjare, dasmave, gëzimeve apo brengave. Polifonia labe-thotë ai, ka bërë për vete jo vetëm shqiptarët por edhe të huajt”. Të këndosh këngën labe , për Arjanin, nuk është aq e thjeshtë. Marrësi krahas zërit kumbues, duhet të ketë një shpirt artisti. Dëgjuesi duhet të ndjejë në ulje-ngritjet e zërit, atë drithërimë plot jetë të shpirtit të vet. “Unë mor unë jam bir i juaj/ kur këndoj e qesh, e vuaj” do të ishin vargjet sintezë të karrierës së tij 50 vjeçare si këngëtar i polifonisë labe .
Vjollca Mezini, qëndistarja
Kështjella e gurtë e Gjirokastrës mbizotëron në shumicën e punimeve të artizanes qëndistare Vjollca Mezini. Për 30 vite ajo vazhdon të punojë plot pasion dhe dëshirë dantella dhe qëndisje të ndryshme në tekstil. “Më pëlqen dantella me dorë”,pohon qëndistarja Vjollca Mezini, ndërsa me gjilpërën dhe perin e bardhë ravijëzon format e qëndisjeve në tekstil. Gjatë këtyre viteve prej duarve të saj janë zbukuruar me dhjetëra shtëpi gjirokastrite. Të preferuara për të ngelën që nga punimet e thjeshta në qëndisje deri tek ato me motive të veçanta si qëndisja me pe të bardhë e Kalasë së Gjirokastrës. “Më pëlqen shumë të punoj në qëndisjen me dorë, thotë ajo, sidomos të realizoj me pe profilet e shtëpive të gurta gjirokastrite apo motive të tjera artistike”. Madje qëndistarja është në kërkim të motiveve të reja për punimet karakteristike. “Jam duke kërkuar në familjet gjirokastrite punimet që realizoheshin në qëndisjen e traditës, të cilat janë lënë në harresë”, thotë ajo, ndërsa plot emocion rrëmon mes disa dantellave të realizuara vite më parë nga qëndistaret gjirokastrite. Ndërkohë zanatin e qëndistares ajo nuk e shikon të shkëputuar nga tradita e artizantit dhe e trashëgimisë kulturore në Gjirokastër. “Më pëlqen artizanati, thotë Vjollca, i shkon qytetit tonë në strukturën që ka, nuk dua të humbasë kjo traditë pasi në vendet e tjera e preferojnë shumë artizanatin sepse e shikojnë të lidhur me historinë, me tradicionalen dhe zhvillimin e tuirzmit”.
Engjëll Fino, poeti
Ai do ti thurte me dhjetëra vargje historikut të kështjellës së gurtë. Këngët popullore të shkruara nga poeti popullor Engjëll Fino janë kënduar në të gjitha Festivalet Folklorike Kombëtare të Gjirokastrës. “Kështjella vazhdon të ngelet pjesë e veçantë e jetës sime”, thotë poeti gjirokastrit, ndërsa tregon njerin prej librave të tij të fundit, në kopertinën e të cilit bie në sy një fotografi e kështjellës së gurtë. Ai mbart ende emocionet e krijimtarisë poetike dhe hartimit të teksteve të këngëve popullore, të cilat nëpërmjet interpretimit të artistëve të folkut janë ngjitur në skenën e gurtë të Kalasë së Gjirokastrës. Për gati 40 vite rresht ka shkruar tekste për këngët popullore të cilat janë interpetuar në FFK-të. “Kontaktet e mia me folklorin janë të hershsme”, thotë Ëngjëlli. “Në vitin 1968 unë do të përfshihesha në Festivalin e Parë Folklorik të Gjirokastrës në grupin e hartimit të teksteve”, shprehet ai ndërsa kujton vargjet e para, të cilat do të shërbenin si bazë për këngët popullore. Me kalimin e viteve dhe pjesëmarrjen në festivale do të bëhej një nga penat e spikatura përsa i takon teksteve të folkut. “Janë me dhjetëra vargje që kam krijuar të cilat më pas janë kënduar si këngë popullore në skenën e festivaleve, thotë Engjëlli si kënga popullore me vargjet “Moj Kala ç’nur të ka rënë/ këndej armë e andej këngë”, e cila është kënduar në Festivalin Folklorik të vitit 1978. Ndërkohë në Festivalin Folklorik të vitit 2004 ai do të hartonte tekstin e këngës popullore që do të korrte duartrokitjet e spektatorëve si dhe do të nderohej me diplomën e festivalit. “Ndezi këngën Shqipëria / në Kalanë e Festivalit / tek ky shesh që s’harron kurrë / këngën e Xhevat Avdallit”. “Ajo ishte një këngë homazh për gjithë këngëtarët e folkut duke filluar nga Xhevat Avdalli, Demir Zykja, Fatime Sokoli etj, të cilët mbajtën gjallë këngën popullore shqiptare në vite”, thotë poeti Engjëll Fino.