Helidon Bendo i Shërbimit Informativ Shtetëror, ka deklaruar sot në Kuvend se shtete jomiqësore me Shqipërinë kanë ndërhyrë në punët e brendshme të vendit tonë. Gjatë raportimity në Kuvend, drejtori i SHISH tha se synohet destabilizimi i rajonit.
Bendo ka treguar disa mënyra sesi shërbimet e inteligjencës së vendeve të treta kanë ndikuar në vendin tonë dhe në vendet e tjera të rajonit.
“Këto shtete e shërbime jomiqësore me Shqipërinë, përdorin aktivitetet klasike dhe hibride për realizimin e synimeve të tyre. Në veprimtaritë e spiunazhit, ato përdorin një kombinim të metodave të mbyllura dhe të hapura, që përfshijnë propagandën, dezinformimin, sulmet kibernetike, grumbullimin e informacionit sensitiv nëpërmjet ndërhyrjes në rrjetet kompjuterike, për qëllime spiunazhi kibernetik, për të realizuar aktivitete/operacione influence informative dhe psikologjike”, është shprehur Bendo.
Më tej, drejtori i Shërbimit Informativ ka theksuar se në rajon ka tentativa pengimin e procesit të integrimit.
“Situata në rajon është karakterizuar nga zhvillime të brendshme politike të brishta, të cilat kanë sjellë paqëndrueshmëri qeverisëse në disa shtete. Mosmarrëveshjet ndërshtetërore po shfrytëzohen nga vendet e treta për të mbajtur situatën në rajon të destabilizuar, me qëllim pengimin apo shtyrjen në kohë të proceseve integruese në BE e NATO të vendeve të caktuara të rajonit.”









