Një 32-vjeçar nga Tirana është arrestuar nga Policia e Gjirokastrës, pasi u kap në flagrancë duke transportuar kundrejt pagesës një emigrant nga Afganistani, i cili kishte hyrë ilegalisht në Shqipëri nga kufiri me Greqinë.
Operacioni policor i koduar “Zona 3” u finalizua nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Policisë së Gjirokastrës.
32-vjeçari me inicialet K. B. u ndalua në aksin rrugor Sarandë–Gjirokastër, në vendin e quajtur “Ura e Kardhiqit”, teksa drejtonte një automjet tip “Renault”, në të cilin udhëtonte edhe një 27-vjeçar, gjithashtu banues në Tiranë.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se drejtuesi i automjetit kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Tiranës për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Ndërkohë, pasagjeri 27-vjeçar, me inicialet M. Gj., u procedua penalisht për moskallëzim krimi dhe mallra kontrabandë, pasi gjatë kontrollit në automjet u gjetën dy çanta me veshje të ndryshme, të dyshuara si mallra kontrabandë, të cilat i përkisnin atij.
Në cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi automjetin, dy çantat me veshje dhe dy telefona celularë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.









