Një raportim në disa media lokale të Korfuzit, por edhe nga televizioni publik grek për mundësinë e furnizimit të ishullit me ujë të pijshëm nga Syri i Kaltër në Shqipëri ka ndezur debatin në radhët e përfaqësuesve të PD-së në degën lokale të Sarandës. Fillimisht ka qenë deputetja Ina Zhupa që ka bërë një reagim për këtë cështje.
“Të transferojnë ujin e burimit nëntokësor të Syrit të Kaltër në Greqi, kjo mund të jetë papërgjegjshmëria dhe çmenduria e rradhës e Qeverisë Rama! Syri i Kaltër është park natyror dhe ka statusin zonë e mbrojtur nga viti 2002. Punimet, tubacionet, ndërhyrjet do ishin kategorisht të ndaluara dhe në dëm të kësaj pasurie natyrore. Saranda, Delvina, qytetet e tjera vuajnë nga mungesa e ujit të pijshëm por ska shkuar kurrë ndërmend një ndërhyrje e tillë e paligjshme në Syrin e Kaltër. Si mund të mendohej që kjo ndërhyrje e paligjshme të bëhej për të furnizuar Greqinë?!”, shprehet Zhupa.
Pas reagimit të saj ka ardhur një reagim nga Jolio Dine, ish-kandidati i PD-së për deputet në Sarandë, i cili edhe më herët ka akuzuar subjektin e tij dhe kandidatë të tjerë për tjetërsim të vullnetit të zgjedhësve më 25 prill 2021. Edhe pse nuk e përmend me emër, reagimi i Dines i drejtohet pikërisht Ina Zhupës.
“Sa te cuditshem dhe sa panik hapin dashamiret e Sarandes qe e shohin qytetin tre-kater here ne vit dhe flasin neper media sikur e jetojne perditshmerine dhe qajne hallet e banoreve te kesaj zone me nje devotshmeri te papare. Te nderuar vota-mbledhes, vota-vjedhes, opozitare me telefon e me facebook. Ka plot probleme Saranda, Konispoli, Finiqi e Delvina. Mos u merrni me perkthime gabim ne “Google Translate” e mos i hidhni hi syve banoreve te zones me “Tema fake opozite” sa per te bere lajm ne media. Ejani takoni banoret e votuesit! Ejani ne Sarande e mos beni fresk nga lokalet e bllokut!”, shkruan Dine teksa sqaron se projekti i marrjes së ujit nga Syri i Kaltër për në Korfuz është diskutuar prej vitit 2007 më shumë si një dëshirë e palës greke apo ide në letër, por nuk ka asgjë konkrete.
Përcarja në radhët e demokratëve është aq e thellë sa një Zot e di se si mund të ringrihen sërish. Ina Zhupa e sjell në PD nga Lulzim Basha i doli kundër ish-kryetarit dhe më pas u afrua me grupimin e Berishës, madje ajo u zgjodh edhe në Kryesinë e re të Partisë Demokratike me kryetar Sali Berishën. Ndërkohë Jolio Dine ka qëndruar indiferent në përballjen Basha-Berisha, të paktën publikisht. ©argjiroja.net