Kryetari i Partisë Demokratike në Lazarat është arrestuar nga policia për vjedhje të energjisë elektrike në biznesin e tij. Argjirolajm.net mëson se ai është konstatuar me lidhje të paligjshme në karburantin pranë rrugës nacionale Gjirokastër-Kakavijë. Më poshtë njoftimi i plotë i policisë Gjirokastër.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin N. K., 42 vjeç, banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, punonjësit e OSSHE Gjirokastër kanë konstatuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në biznesin e tij, në lagjen Kordhocë, Gjirokastër.
Materialet në ngarkim të shtetasit N. K. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprime të mëtejshme.









