Qeveria lokale e Sardenjës në Itali po ofron grante prej €15,000 si një nxitje që njerëzit të vendosen në ishullin e bukur turistik. Zyrtarët thanë se kanë gati 45 milionë euro për skemën e popullimit të ishullit dhe të zonave të tjera rurale të Italisë, për nxitjen e tregtisë në qytezat e vogla, duke ofruar ndihmë financiare për rezidentët.
Sardenja është ishulli i dytë më i madh në detin Mesdhe dhe konsiderohet prej kohësh si një xhevahir natyror me një histori të pasur kulturore dhe më shumë se 1500 km plazhe me rërë, përveç porteve piktoreske dhe rrënojave të epokës së bronxit që datojnë prej viteve 1,500 p.e.s.
Por ndryshe nga zona të tjera rurale të vendit, rajoni po vuan nga humbja e popullatës dhe zvogëlimit të ekonomisë teksa brezi i ri largohet drejt qyteteve të mëdha. Presidenti i administratës së ishullit Christian Solinas tha në një deklaratë: “Falë këtyre kontributeve për blerësit e shtëpive këtu, Sardenja do të kthehet në një terren pjellor për ata që vendosen për të nisur një familje”.
“Nuk mund të ketë rritje pa një nxitje të ekonomisë së territorit, të zonave të paavantazhuara dhe politikave të reja të ripopullimit”.
Grantet raportohet se janë pjesë e një skeme kombëtare për inkurajimin e të rinjve në blerjen e shtëpive të vjetëruara dhe ringjalljen e zonave të vogla komunitare në zonat rurale të Italisë. Por kjo mundësi granti për t’u vendosur në një prej ishujve më atraktivë të Evropës, vjen me disa kushte të veçanta, shkruan rrjeti Schengen Visa News.
Kushti kryesor është që paratë të përdoren për rinovimin e një shtëpie në Sardenja. Shtëpia duhet të jetë e vendosur në një komunitet me më pak se 3,000 njerëz, siç janë qytezat me më shumë nevojë për nxitje ekonomike.
Në shumicën e rasteve qeveria thotë se do të japë të gjithë grantin prej €15,000, por jo në rastet kur kjo kalon shumën e vlerës së shtëpisë apo rinovimit të saj, keshtu që pronarët e rinj duhet të fusin edhe para nga xhepi. Italia kishte nisur një iniciativë të ngjashme vitin e kaluar për nxitjen e popullimit të rajonit të Kalabrisë, që gjendet në ‘majë të çizmes’ së hartës së vendit. Ne te tjera inciativa qeveria ka nxitur shitjen e shtepive te vjetra per 1€ ne zonat me nevoje ripopullimi.