50-vjeçari shqiptar, i cili kërcënoi ish-gruan e tij se do ta digjte me benzinë dhe më pas tha se do t’i vinte flakën vetes është lënë në burg nga autoritetet greke.
Kosmoslarissa.gr shkruan se ngjarja ka ndodhur natën e ndërrimit të viteve në sheshin qendror të Larisës, ndërsa ditën e djeshme ai kërkoi falje. Shqiptari ka mohuar akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë.
“Nuk kam dashur të dëmtoj askënd, madje as veten time”, tha ai.
Sipas tij e gjithë ngjarja ka ndodhur për t’i tërhequr vëmendje ish-bashkëshortes, e cila e ka injoruar dhe nuk i përgjigjet kërkesës së tij për të takuar fëmijën. Por ky pretendim nuk ishte bindes nga ana e hetuesve, të cilët dhanë urdhër për arrestimin e tij.
Shqiptari, i cili punon në ndërtim në shtetin helen në hyrje të pallatit priste ish-bashkëshorten e tij 41-vjeçare. Ndërkohë që ajo parkonte makinën ku ishte edhe djali i tyre ai e ka spërkatur me benzine, duke e kërcënuar se do ti vërë flakën.
Sipas policisë, ka qenë djali i tyre 17-vjeçar i cili ka reaguar me qetësi dhe ka neutralizuar të atin, ndërsa nëna e tij është larguar dhe më pas ka telefonuar policinë. Më pas 50-vjeçari është larguar me biçikletë dhe ka shkuar në sheshin qendror ku ka kërcënuar se do të digjte vetën, por në këtë moment ka ndërhyrë policia dhe e ka arrestuar.