Nga Roland Bejko
Kush pretendon se është ndarë prej dy vitesh me Non Gratën duke thënë se me këtë rast u nda njëherë e mirë nga berishizmi, nga e kaluara komuniste dhe e korruptuar e PD-së me besimin se do jetë pjesë e një partie që do t’u vijë shqiptarëve si ofertë e re, e pastër, e qartë politikisht, properëndimore në parime, dhe del sot me rastin e zgjedhjeve lokale në Kukës, e predikon bashkimin me atë që po mban peng për hallet e tij familjare të ardhmen e shqiptarëve,- rezervohem që ta quaj idiot politik, sepse nuk dua të fyej kërkënd, ndaj po e quaj thjesht naiv politik.
Po, po, naiv politik që me naivitetin e vet, po e dëmton edhe më shumë PD duke përcjellë çoroditje të mëtejshme tek ata 105 mijë votuesit që na besuan me votë në 14 maj. Më vjen keq që ende nuk është nxjerrë asnjë mësim nga dëmi që i sollën PD me sjelljen ambiguine disa prej drejtuesve të lartë të saj në zgjedhjet lokale, duke shkaktusr paqartësi të qartë në elektoratin tonë. Ndarja është ndarje, dhe përfundimtare, me kushtin që mund të rishikohet veç po u largua arsyeja që na ndau, S.B. Nuk mund të ndahesh, e pastaj të thuash, hajd flemë ndonjëherë në të njëjtin krevat për hir të fëmijëve se ata po e vuajnë shumë ndarjen prindërore. Kjo është hipikrizi.
Jo, secila nga palët, duhet të marrë përgjegjësitë që i takojnë në situatën e re. Dy vite ishin të mjaftueshme për ta gjetur pozicionin e tij kushdo që ka pasur dilema. Bashkimi po, mund të ndodhë, por kur të largohet arsyeja që na ndau. Ai quhet Sali Berisha i cili është lideri më i izoluar dhe më i refuzuar nga Perëndimi edhe se Enver Hoxha.
Është vetvrasje politike të pretendosh të dalësh me kandidat të përbashkët me atë lëvizje politike që ti, SHBA, Britania e Madhe dhe opinioni publik e kanë etiketuar si përfaqësuese të korrupsionit, minuese të demokracisë dhe si një strukturë që bashkëpunon me krimin e organizuar dhe oligarkët në afera financiare të dyshimta.
Kujt i mungon Sali Berisha me të vetët nga ata që deri më sot kanë qenë me demek kundër tyre, është më e ndershme të shkojënë me vrap t’u bashkohet atyre dhe të na lënë rehat me këto mjaullimat se me demek nga ndarja me non gratën, fiton Edi Rama.
Jo mor jo, edhe po u bashkuat të gjithë me Berishën, përsëri Edi Rama do fitojë, ashtu i korruptuar moralisht e financiarisht siç është, sepse shqiptarët nuk mund të heqin një bandë politike nga pushteti e ta zëvendësojnë atë me një bandë tjetër po aq hajdute e të korruptuar sa e para.
Harruat që disa ditë më parë Berishën e akuzuat publikish se në qendër të Tiranës do ndërtojnë kullën e korrupsionit me të njëjtët ortakë që punon edhe Rama e ministrat e tij. Pra, Mali në mes të Tiranës e nxori zbuluar bashkëpunimin e oligarkisë politike, Rama-Berisha. Në gjithë këtë histori, më “i ndershmi”, dhe më i qarti në qëndrimin e tij të palëkundur për të mosbashkëpunuar me ata që e refuzojnë atë, është vet Berisha. Ai e di, e ka ditur që nga çasti i parë se pas shpalljes non grata me akuza të tmerrshme për një udhëheqës politik në një shoqëri demokratike, se shanset për të ardhur në pushtet i ka zero. ZEROOOO! Por ai fraksioni i PD që i shkon verbazi nga mbrapa, i duhet si tribunë për të sulmuar SPAK-un, Amerikën, Perëndimin, dhe gjithkënd që e kundërshton. Ai e di që kjo gënjeshtër e madhe që u bën militantëve që e ndjekin, është kriminale duke u tallur me shpresën e tyre. Por, ashtu kriminale siç është, është një akt që duhet ta bëjë, për lëkurën e vet….
Mësoni prej palëkundshmërisë së tij. Në rastin konkret, ai ka të drejtë. Nuk mund të bashkëpunohet me ata që të refuzojnë. Ne nuk jemi me të, sepse ne nuk jemi si ai. Ndaj dhe nuk mund të bashkëpunojë as ai me ne, as ne me atë. Kaq e thjeshtë është. Ajo që duhet bërë, është të harohet historia e bashkimit me ata që kanë zgjedhur të ndjekin një rrugë pa krye që nuk të çon kurrë në pushtet, sepse nuk është, e nuk mund të jetë non grata oferta e së ardhmes për shqiptarët. Ne duhet të fokusohemi vetëm te ringritja reale e Partisë Demokratike. Paqartësitë, hallakatjet, pavendosmëritë, veç e rrudhin edhe më shumë PD-në, dhe kjo është pikërisht ajo që do non grata.