Barça triumfon 3-0 përballë Aston Villa-s, një fitore e jetike, shumë e rëndësishme, që e vendos ekipin blaugrana në pozita komode, provizorisht në vendin e dytë me 9 pikë, po aq sa edhe Aston Villa. Në “Camp Nou”, anglezët bën “vetëvrasje” që në start ku një gafë në mbrojtje pas vetëm 6 minutash lojë i dha mundësinë Lamine Yamal të zhbllokonte ndeshjen me një goditje shumë të bukur brenda në zonë.
Në fraksionin e dytë stafetën e mori braziliani Raphinha, me kapitenin që realizoi një “dopjetë” golash. Në të 52-të, Raphinha u shërbye në qendër dhe me një goditje të saktë dyfishoi shifrat. Ylli brazilian nuk u mjaftua me kaq pasi në minutën e 64-ët Joao Felix dhuroi spektakël duke shërbyer një assist fantastik për Raphinha-n, me brazilianin që tundi rrjetën për herë të dytë duke kompletuar “tripletën” e golave për Barçën. Për Raphinhan ky ishte goli i tij i 23-të në Champions duke u ngjitur në podiumin e golashënuesve më të mirë në historinë e këtij turneu për ekipin blaugrana. Në vendin e parë renditet Messi, i ndjekur nga Suarez.
Pas suksesit 3-0 përballë Aston Villa-s, Hansi Flick u ndal te paraqitja e shkëlqyer e repartit defensivë: “Ishte e rëndësishme të mbroheshim së bashku, të ishim kompakt. Mbrojtja bëri një paraqitje të shkëlqyer. Është kënaqësi të shohësh kaq lojtarë të rinj të luajnë në këtë nivel në Champions”, u shpreh Hansi Flick.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb






