Nga Liarda Kondakçiu
“Vdiq Kadare”, do të thoshte Kamy po të ishte këtë 1 korrik duke shkruar “Të huajin” e tij. Në një nga rrëfimet e pakta që kolosi i letërsisë shqipe ka bërë, ka treguar se bota filloi ta njihte përmes kuriozitetit të rastësishëm… Nëse lexuesit shkonin në bibliotekat franceze për të marrë kryeveprat e Kamys apo Kafkës, interesoheshin dhe për shkrimtarin e ri nga Shqipëria, Kadare. Kështu lajmi “mori dhenë” dhe të gjithë filluan të njihnin vizionarin me ëndrra, i cili depërtoi në më shumë se 45 gjuhë të botës.
Prej vitesh ka pasur diskutime të pafundme, nëse Kadare u bë i njohur si djali që vinte nga vendi i vogël, Shqipëria, apo ishte Kadare që i rrëfeu botës komunizmin shqiptar. Diçka është ditur gjithmonë, që në çdo kalldrëm të Gjirokastrës, ka një histori, që të gjithë e njohin përmes “Kronikë në gur”.
“Ky ishte një qytet i pjerrët, ndoshta më i pjerrëti në botë, që i kishte thyer të gjitha ligjet e arkitekturës dhe të urbanistikës. Nga shkaku i pje¬rrësisë së madhe ndodhte që në nivelin e çatisë së njërës shtëpi gjendeshin themelet e tjetrës, dhe me siguri ky ishte i vetmi vend në botë ku njeriu, po të rrëzohej në anë të rru¬gës, në vend që të binte në hendek, mund të binte mbi çatinë e ndonjë shtëpie të lartë. Shumë gjëra këtu ishin të pabesueshme dhe shumëçka ishte si në ëndrra.”
Në po këtë rrugicë të cilës i ringjalli emrin e çuditshëm “Sokaku i të marrëve”, Ismail Kadare ishte vetëm 11-vjeç kur kopjoi me dorë Makbethin duke menduar se në këtë mënyrë do të ishte pjesëmarrës në krijimin e Shekspirit. E kujt ia merrte mendja se një vogëlush gjirokastrit do të çelte në këtë mënyrë krijimtarinë e tij letrare?!
***
Ndonëse ka rreth 40 vite që është shkruar, “Pallati i ëndrrave” mbetet një kult që i përshtatet çdo kohe. Kur u publikua pati presione, ndalime dhe kritika, madje Kadare mendonte se do e arrestonin, pasi fryma anti-sistem në të ishte e dukshme, por vijon të jetë po aq aktual dhe pas dekadash të tëra, duke u vlerësuar kështu nga kritika ndërkombëtare.
Sipas Jean-Christophe Castelli-t në prestigjozen Vanity Fair, “Pallati i Ëndrrave” është “romani më i guximshëm i Kadaresë” dhe “një nga vizionet më të plota të totalitarizmit të hedhura në letër”. Mirëpo, romani që i dha famën ndërkombëtare dhe të merituar gjeniut letrar ishte pikërisht “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, i përkthyer në 33 gjuhë të botës.
Dikur vetë Kadare është shprehur: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur është përherë “Gjenerali” dhe ma merr mendja që edhe sikur t’ia kisha ndërruar titullin shumë herë ai do të thirrej përherë me emrin e parë ashtu si gjeneralët e dikurshëm, që mund të bëhen më pas ministra madje, presidentë, por për masën e gjerë mbeten përherë gjeneralë”.
Ismail Kadare ishte aq i shumëanshëm, sa ndërkohë që zbulonte të fshehtat e regjimit komunist, prekte zemrat me poezitë shumëdimensionale. E kush e ka përshkruar më dhimbshëm “Nënën” se legjenda e letërsisë sonë?
-Mesnatës ti sonte, o nënëë, me zgjo!
-Mir’, biri nënës, fli, bir! – tha ajo.
Ai si i vdekur në gjumë ra pastaj
dhe nëna mbi të nuk i ndan sytë e saj.
Shikon ajo traktet dhe lutet për të
“Fli, biri i nënës, se ora s’është një”.
Po dashurinë?
Dhe s’kish se si të ndodhte ndryshe
Të ndodhte ndryshe s’kish se si.
U desh të zhdukeshin përbindshat
Që te kjo botë të vije ti…
Po mallin?
Ca pika shiu ranë mbi qelq.
Për ty unë befas ndjeva mall.
Jetojmë të dy në një qytet,
Dhe rrallë shihemi sa rrallë.
Por pse Kadare, shkroi gjithmonë në gjuhën shqipe? Përgjigjen e ka zbuluar vetë ai, duke rrënjosur edhe një herë një element shumë të rëndësishëm të kombit tonë.
“Mendoja se mund ti jepja më shumë artit tim me këtë gjuhë. Gjuha shqipe më ka dhënë gjithë hapësirën për të shprehur përmes saj përfytyrimet e mia. Nuk kam ndjerë asnjëherë pengesë në artin tim nga kjo gjuhë, por jam magjepsur vazhdimisht pas bukurisë së saj”.
Vlerësimet për Ismail Kadarenë kanë qenë të panumërta, aq sa edhe kandidimi plot 15 herë për çmimin “Nobel” nuk ishte më një surprizë. Në Shqipërinë e ndodhur në udhëkryq vepra e Kadaresë ka qenë dhe mbetet një shpresë apo një ogur i bardhë për të.
Ai ka treguar përmes romanit idilik “E penguara”, që personazhi i fantazmës përfaqëson jo vetëm vellon e injorancës që ndan të gjallët nga të vdekurit, por gjithashtu individin nga shteti totalitar.
“Fantazmat nuk vdesin”.
Shqipërisë iu shua ylli i vetëm që ndriçonte qiellin me dijësi, i papërsëritshëm dhe në një jetë tjerët. Me fat që jetuam, prekëm dhe mësuam në epokën e Kadaresë. Yjet i dhurojnë vetëm një herë shkëlqim Tokës.
“Një herë, u ula në një breg të qetë të një lumi, dhe në atë moment ndjeva që bota mund të vazhdonte pa mua, ndërsa unë do të vazhdoja të gjeja qetësinë time në përqafimin e natyrës”.