Nga Marko Caka
E njoha në Tetor të 94-ës në auditorët e fakultetit kur mu afrua e më tha -jemi patriot se edhe unë jam nga Derviçani i Dropullit.Pasi shtrënguam duart, i thashe me pak sarkazëm – është e vertet se jemi nga njëjti i vend por ti je “Vorio Epiriot” e unë shqiptar dhe kështu që nuk jemi të drejta të barabarta këtu në Greqi – Fytyra e tij reagoi menjëherë si një mos pëlqim i termit “VorioEpiriot”, por ma tha prerë, për të mos u përsëritur më- unë ndjehem shqiptar i minoritetit dhe asnjëherë mos ma thuaj fjalën “vorioepiriot”. Kështu që respektova të drejtën e tij dhe filluam një miqësi me studentin e shkëlqyer minoritar, dropollitin Ilia.
Ishte një djalë shumë kavalier dhe shumë i dashur. Më kujtohet kur hynin në leksione dhe më përpara ndalonim për të marrë kafen dhe ziheshim se nuk të linte të paguante, por ai këmbëngulte si “koka e shqiptarit” duke më thënë- i di vështirësitë që ke, por tani që e kam mundësinë pak më tepër më pëlqen të ta jap unë kafen.
Duke e falënderuar i them- vështirësitë ekonomike i kemi lënë prapa një herë e në një kohë, që ishin të përbashkëta, por tani kapitalizmi na i ka dhënë shanset e barabarta, gjithësesi unë vlerësoj më shumë njërzillekun tënd dhe vlerat qe ke ruajtur.
Për politikën më fliste shumë pak, se nuk donte të prishte klimën, aq më tepër që u njohëm në periudhën më të keqe, kur ura lidhëse me Greqinë që mbahej nga pakicat ishte prishur që me burgosjen e 5 minoritarëve nga pushteti i Berishës dhe në opinionin grek ishte mbjellë një farë urretje ndaj emigrantëve shqiptarë, si dhe një hakmarrje ne politikat emigruese , por tek Ilia ishte diçka sikur nuk ekzistonte.
Sepse ai e dinte shumë mirë se në këtë histori nuk kishin asnjë lidhje e as nuk kishte pse të fajësoheshin shqiptarët e Greqisë për një veprim që vinte nga Tirana, nga një e lojë e pisët e disa aktorëve politikë me shumë interesa të fshehta nga të dyja palët në monopolizimin e bizneseve të mëdha. Në këtë lojë përfitonin palët që donin destabilizim të marrëdhënieve të fqinjësisë për qëllime politike e demografike. Ishin krijuar shoqata e forca politike vetëm për të turbulluar ujërat e fqinjësisë të përjetshme harmonike, për përfitimet e tyre politike e personale.
Me pak fjalë gjithë këto klane silleshin si hiena për të përfituar milionat në kurriz të të gjithë emigrantëvë që luftonin për bukën e gojës së familjes dhe edukimin e fëmijëve të tyre në shtetin helen. Por Ilia kishte qëndruar larg ketyre pazareve politike sado që shumica e minoritarëve të tjerë jetonin vetëm me anën të benefiteve dhe favoreve që u kishte siguruar shteti grek për sa i përket ndërtimit të bizneseve, të lejeve të qëndrimit në Greqi dhe pensioneve në Shqipëri.
Ndërsa ai dhe familja e tij ishin distancuar dhe i kishin refuzuar, sepse siq më thoshte, asnjëherë nuk ishin joshur për të marrë bursë e pension që u takonte me ligj, vetëm se nuk donin të bëheshin pjesë e disa klaneve për interesa antishqiptare .
Ai nuk studionte me ndonjë bursë siç përfitonin studentët e partisë së Dules por punonte duke ndihmuar babain e tij si shitës ambulant tek tregu javor fshatar (Laiki) nëpër lagjet e Athinës. Kishte preferuar që çdo gjë që fitonte në jetë ta nxirrte nga djersa e ballit të tij, se kështu do të ishte gjithmonë i pastër me vetveten dhe i pavarur nga të tjerët.
Kështu e kishte mësuar babai që sado që kishin ardhur nga diktatura pa asnjë gjë me vete6, por përsëri u ishin mirënjohës regjimit për sjelljen ndaj minoritetit që nuk bënte asnjë dallim etnik, por të gjithë ishim me të drejta të barabarta, dhe njësoj para ligjit- më thoshte.
Kështu që Ilia ishte nga ata student që i përkiste 100% minoritetit grek por kur vinte fjala për shqiptarët ai jepte gjithçka sepse e ndjente si një obligim ku mirënjohja dhe respekti ndaj shqiptarëve komshinj të mirë e të përjetshëm u duhej kthyer më mënyrën më të mirë të mundshme. Mbi të gjitha atij i pëlqente që një ditë të kthehej në vendlindje, prandaj dhe priste me padurim të mbaronte studimet. Në 98-ën kur Ilia u diplomua për Psikollogji në fakultetin filozofik të Athinës, por pas kësaj ai aplikoi për pedagog në fakultetin e Psikologjisë në Tiranë ku dekan ishte Ylli Pango.
Ngaqë kishin nevojë për pedagog i komunikuan vendin e punës si gjenerata e parë që mbaronte për psikollogji e aq më tepër i diplomuar jashtë vendit, ai u entuziazmua aq shumë se ishte ajo që kishte ëndërruar ku një ditë ti sherbente vendlindjes së tij. Deri këtu çdo gjë mirë por gjatë procesit dikush i kishte thënë nën zë se paga është qesharake afërsisht 400 mijë leke të vjetra por mos harro se do bëhesh milioner me provimet e studenteve dhe me akseset e tjera që të favorizon profesioni i Pedagogut.
Kur i dëgjoi këto jo vetëm që u shokua por u zhgënjye se nuk e besonte të prishte karrierën e tij e moralin vetëm sepse paga ishte shumë e vogël dhe se duhej edhe veprimet e kundraligjshme për të ndërtuar një standart më të lartë që ta impononte elita e krijuar asokohë në Shqipëri. Arsyeja pse pse mora si shembull Ilian i cili për arsye të pagës së ulët dhe rrushfetit që i kërkonin për vendin e pedagogut, braktisi ëndërrën e tij, sepse të ardhurat që merrte në Greqi duke ndihmuar babain ishin më shumë se 5-fishin e padagogut.
Ai nuk e pranonte këtë lloj shkëmbimi me investimin e tij disa vjecar të mbarimit të studimeve, dhe që feedback-un e priste vetëm nëpërmjet profesionit të ndershëm dhe jo nëpërmjet veprimeve të paligjshme. Pikërisht janë këto milionat e pista që bënë disa studentë që mbaruan jashtë dhe u kthyen jo për ti shërbyer atdheut, por si hiena për tu pasuruar duke vjedhur e rrjepur shtetin nga të gjitha anët.
Gjithë ata shuma marramendëse që nuk e justifikonin rrogën e tyre u kthyen në prona e investime madje gjoja strategjike në argumentimin e të gjithë pushtetëve të qeverive të tranzicionit post komunist që nuk ishin gjë tjetër veçse bashkëpunëtor me krimin duke i favorizuar si aktivitete të ligjshme. Si mundet që me rrogën qesharake që i propozuan Ilias ata arritën të kenë vila, apartamente, prona të patundshme.
Prandaj kërkohet një veting për të gjithë sferat aq më shumë në politikë sepse ka edhe nga ata politikanë që u shkolluan jashtë jo për ti shërbyer me ndershmëri vendlindjes siç donte Ilia, por për tu bërë milioner brenda ditës me anë të rrushfetit në postet e tyre zyrtare publike.
Shpresojmë se këmbanat e alarmit tek SPAK kanë rënë dhe se Vetingu po i afrohet pragut të tyre për të kuptuar se sa shumë është vjedhur Shqipëria e ëndrrave të çdo emigranti, të çdo minoritari që një ditë duan të kthehen për ti shërbyer vendit të tyre me plot intigritet e ndershmëri por që vazhdojnë të gjejnë pengesën e hienave të politikës që po plakën nën errësirën e botës të fshehtë të pazareve politike.