Shteti i ri bektashian, plani për të cilin u prezantua ditën e djeshme nga kryeministri Edi Rama në fjalimin e tij në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB, u pasqyrua dhe ka marrë vëmendjen edhe të mediave turke.
Hurriyet shkruan se kryeministri shqiptar Edi Rama planifikon të krijojë një mikroshtet sovran islamik për bektashinjtë në Tiranë.
Në artikull evidentohet fakti se në rast ese gjithçka shkon sipas planit, shteti i ri, do të marrë edhe statusin e shtetit më të vogël në botë.
“Vendi ballkanik po përgatitet të krijojë një mikroshtet sovran që do të qeveriset nga kupola drejtuese e fesë bektashiane, sektit shiit sufi i themeluar në Turqi në shekullin e 13-të.
Duke folur për gazetën amerikane New York Times, kryeministri i vendit Edi Rama tha se do të shpallnin planet për themelimin vitin e ardhshëm dhe se synimi i tyre ishte të promovonin “një version tolerant të Islamit për të cilin Shqipëria krenohet”, thuhet në artikull.
DRAFTI ËSHTË DUKE U PËRGATITUR
Shteti, i cili planifikohet të krijohet në një tokë 109 dekare në kryeqytetin Tiranë , do të ketë administratën dhe pasaportën e tij, ashtu si Vatikani. Një ekip ekspertësh ligjorë, duke përfshirë avokatë ndërkombëtarë, po përgatit një projektligj që përcakton statusin sovran të shtetit të ri. Projektligji duhet të miratohet nga Parlamenti, i cili kontrollohet nga Partia Socialiste në pushtet e Ramës. Ndërsa është ende e paqartë se cilat vende do ta njohin sovranitetin e shtetit bektashi nëse ai zbatohet, Rama shprehet se nuk i intereson reagimi që mund të vijë nga Irani.
Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin me arsyetimin se ishte pas sulmeve kibernetike ndaj institucioneve shtetërore në vitin 2022. Dervishi bektashi Edmond Brahimaj, i njohur si “Baba Mondi”, do të marrë presidencën e shtetit të ri. “Zoti nuk ndalon asgjë; “Kjo është arsyeja pse ai na dha urtësi,” tha Baba Mondi. Toleranca fetare do të jetë thelbësore në shtetin e tij. Nuk do të ketë ndalim të alkoolit, gratë do të lejohen të vishen si të duan dhe nuk do të vendosen rregulla të stilit të jetesës. Do të krijohet një njësi e vogël e inteligjencës për shtetin bektashi ; por nuk do të ketë ushtri, roje kufitare apo gjykata. “E gjelbërta”, e cila lidhet me Islamin, do të preferohet si ngjyra e pasaportës.
“Ne meritojmë një shtet. Ne jemi ata që themi të vërtetën për Islamin”, thotë Baba Mondi, duke pretenduar se të gjithë myslimanët, që përbëjnë gjysmën e popullsisë së vendit, janë bektashi.