Nga Leonard Hide
FORCËN E KARTONIT JUA DHAMË NE, POR DHIMBJEN E KËSAJ DITE NUK E FSHIN DOT ASNJË VOTË!
Dje reforma territoriale u votua me 85 vota. Forcën e kartonit jua kemi dhënë ne, qytetarët, dhe sigurisht mes tyre kam qenë edhe unë. Por dje, përpara Parlamentit, banorët e Libohovës dëshmuan se, përtej çdo bindjeje politike, ekziston një emër që na bashkon të gjithëve, Libohova ❤️. Ata dolën me dinjitet për të mbrojtur vendin e tyre, duke mbajtur në zemër flamurin kombëtar dhe emrin e trevës së tyre.
Kundërshtimi im ndaj kësaj reforme nuk ishte një reagim emocional, por një bindje se pas hartave dhe numrave ka njerëz, familje, histori dhe identitet. Njerëz që kanë ndërtuar jetën e tyre me punë e sakrifica, shpesh duke ia dalë vetë, ndërsa shpresonin për një Libohovë më të mirë kur na besuan. Pikërisht këtu qëndron dhimbja ime më e madhe, jo vetëm te vendimi që u mor, por te besimi që njerëzit na dhanë dhe te përgjegjësia që kishim ndaj tyre.
Sot dua t’u kërkoj falje atyre që më besuan personalisht. Jo sepse u tërhoqa nga bindja ime, as sepse nuk bëra gjithçka që munda për ta mbrojtur Libohovën, por sepse e di se përballë shpresës së tyre, çdo përpjekje që nuk arrin ta ndryshojë rezultatin lë pas një ndjenjë të rëndë pafuqie. E di që një falje nuk e zhbën një vendim dhe nuk e shëron vetvetiu një zemër të thyer. Por nuk do të ishte e ndershme të heshtja përballë atyre që më besuan. Dua t’i jap të drejtë edhe atij votuesi që më tha: “Na bëtë t’ju donim dhe në fund na braktisët!” Këto fjalë dhembin, sepse pas tyre qëndron një besim i zhgënjyer, jo thjesht një votë e humbur.
Sot shohim sy të përlotur dhe zemra të thyera. E zemrat e këtyre njerëzve nuk ngjiten lehtë. Ka nga ata që thonë se “çudia më e madhe tri ditë zgjat”. Kanë të drejtë, por ndoshta në kahun e kundërt, sepse çudia më e madhe mund të fillojë pikërisht pas tri ditësh, kur emocionet të bien, por pasojat të mbeten. Sot shohim dyer të mbyllura, që zor se do të çelen përsëri, dhe njerëz që duhet të përballen me një të ardhme që nuk e dëshiruan.
Nuk kam pasur iluzione se rezultati do të ishte ndryshe, por diçka brenda meje nuk më lejonte të heshtja. Ishte e njëjta ndjenjë që dje bashkoi banorët e Libohovës, pavarësisht bindjeve politike. Vendimi u mor dhe asgjë nuk e kthen më pas. Por, nëse sot nuk mund t’ua ndryshojmë atë që u vendos, të paktën të mos ua mohojmë dhimbjen dhe të drejtën për t’u ndier të zhgënjyer.
Falja ime nuk është përpjekje për të lehtësuar ndërgjegjen time. Është detyrimi moral për të mos u kthyer shpinën njerëzve që më besuan, pikërisht në çastin kur ata ndihen të braktisur. Zoti bëftë më të mirën për këta njerëz, për familjet e tyre dhe për Libohovën tonë.









