Nga Denis Dyrnjaja
Demokratët kanë data të shpeshta historike kujtesash, sidomos çdo fund dhjetori dhe fillim viti, në muajt anar, shkurt e deri në mars. Psh dhjetorin e lidhin me ditët e lëvizjes studentore ’90, që prodhoi pluralizmin politik në Shqipëri, për rrjedhojë edhe krijimi e Partisë Demokratike, pastaj në janar e shkurt ka disa data të tjera simbolike, të cilat lidhen me zhvillime të ndryshme sikurse është psh 5 janari i vitit ’91, që shenjon krijimin e Rilindjes Demokratike, organit zyrtar të PD si gazetë e shtypit të shkruar.
20 shkurti i po atij viti i thërret kujtesës së demokratëve për rrëzimin e shtatores së ish diktatorit Enver Hoxha në qendër të Sheshit Skënderbej në Tiranë, ndërsa 22 marsi1992 kujton fitoren e parë ndoshta dhe më bindëse e më të vërtetë të të gjitha zgjedhjeve të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri, kur PD erdhi për herë të parë në pushtet. Në fakt për një forcë politike kronika historike me të tilla ngjarje është jetike, pasi mbi historinë e së shkuarës projekton motivimin politik të së ardhmes. Por palmaresin e datave të bukura e simbolike e thyen dhe shëmton 8 janari i vitit 2022.
Kjo datë, është një nga ditët më të errëta për të mos thënë më të rëndat e të turpshmet për PD. Dhe për ironi atë e prodhuan vetë demokratët në luftën për pushtet mes tyre, për karrige, për vulë, për seli. 8 janari ishte dita e kulmimit të të gjithë lumit të vrerit, akuzave, denoncimeve dhe fakteve që demokratët i përplasën publikisht njëri tjetrit për aferat dhe dallaveret e tyre gjatë kohës që ishim me pushtet e pa pushtet. PD e mbetur nga gjithë ajo parti gjigante e ’92-it ishte tkurrur tashmë në dy grupime që akuzonin njëri tjetrin për flirte me Edi Ramën.
Çfarë komoditeti për këtë të fundit që ndiqte me kërshëri nga selia e tij në qeveri, sesi partia që duhet të rrëzonte atë nga pushteti, po rrëzonte e rrënonte vetveten. Dhe kjo ndodhi thjeshtë dhe vetëm për një shkak, sepse Lulzim Basha preu në besë Sali Berishën. Pra ishte kulmi i karmës. Basha preu në besë njeriun më besprerë në PD, vetë Sali Berishën. Ai që dominoi për vite e vite me radhë PD, u përjashtua, papritur pikërisht nga Lulzim Basha, njeriu më i besuar i tij, njeriu për të cilin kishte prerë koka bashkëpunëtorësh e bashkëudhëtarësh në parti, njeriu për të cilin Berisha nuk mori parasysh as kontribute e as sakrifica, por shkeli me këmbë e largoi qoftë dhe përmes pseudopadijes, shurdhërisë e heshtjes, çdo kënd që prishte rrugëtimin e beniamit të tij, me të cilin kishte menduar se kishim një pakt të përjetshëm të bashkëdrejtonin PD, njëri duke marrë vendime e tjetri duke i mbështetur ato hapur apo në prapavijë.
Kështu gjatë dekadës me bashkëkryesimin Basha-Berisha, PD pësoi një nga hemorragjitë më të mëdha në trupin e saj politik, duke shpallur “non grata” nënkryetarë e sekretarë, pjesën kryesore të kryesisë e këshillit kombëtar, shumica me akuzat se ishin shkaktarë të degradimit që prodhoi humbjen e vitit 2013 dhe largimi i tyre u bë në emër të rifreskimi të PD. Basha mblodhi në parti “bishtajorët” e tij, Berisha miratonte në heshtje me bindjen e thellë se 9 shtatori i përjashtimit të tij nuk do ishte kurrë një realitet, një akt, një përjashtim i vërtetë. Nga 9 shtatori i 2021 e deri më 8 janar të 2022, nuk mbeti gjë pa u thënë akuza e pazare nga më të fëlliqurat. Ishte një depersonalizim i dyanshëm i grupeve që u rreshtuan kundër njëri tjetrit, Berisha me një shpurë të besuarish e pjesa tjetër e atyre që Basha kishte sjellë në parti për t’i patur nën hyqmin e tij.
Berisha kishte mbetur vetëm me Tritan Shehun, Flamur Nokën, Albana Vokshin e ndonjë tjetër. Ndërsa Basha kishte marrë me vete karrieristët e rinj, që menduan se doktori kishte marrë fund e se gjithçka për të kishte perënduar politikisht. Por këto llogari Basha, Alibeaj, Bardhi, Tabaku, Duma, Salianji, Gjekmarkaj, Alizoti e shumë të tjerë syresh prej tyre që nuk lanë kusur pa i thënë Berishës personalisht e familjarisht, i kishim bërë gabim. Pasi të gjithë së bashku ata ishin në fakt njerëz të paprovuar si të votuar, madje ata të gjithë bashkë nuk mbledhin vota as sa gjysma e votave që Berisha mbledh individualisht në elektoratin opozitar. Dhe këtë ai e dinte mirë, ndaj me shpejtësi organizoi kundërsulmin me aksion politike e juridike për të rimarrë kontrollin e PD, aksion që kulmoi më 8 janar me tentativën për të marrë selinë e SHQUP-it.
Basha me të tijtë që kishin ende në duar vulën legale të partisë dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe njohjen e tyre si opozitë nga ana e qeverisë, blinduan selinë me dyer hekuri, ndërsa Berisha me të tijtë morën leva, hunj e drunj e mësynë. U rrahën, u shanë e degjeneruan deri në të qarë burra e gra, të tmerruar e lebetitur me njëri tjetrin, si të ishin armiq lufte e jo anëtare, qoftë dhe kundërshtarë të një partie politike. Pas asaj që ndodhi e që shqiptarët panë, 8 janari nuk ishte dhe në fakt nuk mund të jetë dhe sot thjeshtë një datë dhe ditë e errët, por është një vulë turpi për ata që sot bëjnë sikur kjo shëmti nuk ka ndodhur. Ishte një turp i cili u pasua nga të tjera paturpësi, pasi ato që kishin thënë e bërë ndaj njëri tjetrit, palët kundërshtare të përbetuara publikisht se nuk do bashkërrugëtonin më kurrë, i përtypiën e lepinë sikur të mos kishin ndodhur.
Të gjithë deshën s’deshën ulën kokën dhe u rreshtuan përsëri si dele poshtë këmbëve të Berishës, pasi kuptuan se pa të do ishin thjeshtë të dhjerë, ndërsa më të, të paktën janë të dhjerë, por krenarë, jo vetëm çdo 8 janar!