Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Janullatos ndodhet në ditën e 11 të shtrimit në spital, por sërish gjendja e tij mbetet kritike. Sipas mediave greke, mjekët kanë tentuar që nga mëngjesi që ta zgjojnë, pasi ende është i intubuar në Repartin e Mjekimit Intensiv.
Nëse procesi i zgjimit rezulton me sukses, në fazën e dytë do të tentojnë që ta ‘ekstubojnë’, por kjo do të varet nga mënyra sesi Janullatos i përgjigjet mjekimeve të personlit që drejtohet nga profesoresha Anastasia Kotanidou.
Kryepeshkopi ka pasur gjakderdhje gastrike, të cilën mjekët u përpoqën ta trajtojnë. Ky ishte edhe qëllimi i operacionit që u krye me nxitim. Gjatë ditëve që ka qenë i shtruar në Athinë, shëndeti i 95-vjeçarit ishte përkeqësuar dhe orët e fundit ishte intubuar e transferuar në Repartin e Kujdesit Intensiv.
Fortlumturia e tij, Janullatos ndodhet në spitalin Evangelismos që prej të premtes së kaluar, kur u transferua në Athinë nga Tirana me avionë të Forcave Ajrore. Prej datës 30 dhjetor, ai ishte i shtruar në një klinikë në Tiranë. Diagnoza fillestare ishte një virus sezonal. Megjithatë, duke pasur parasysh shëndetin dhe moshën e tij, virusi u shndërrua në një infeksion dhe ai pësoi gjakderdhje gastrike. Ndaj u pa e nevojshme transferimi i tij në Athinë, në të njëjtin spital ku edhe u kurua kur u prek nga pandemia e koronavirusit. Fillimisht gjendja e tij ishte e kontrolluar dhe as nuk u intubua, por me orët që kaluan gjendja e tij u përkeqësua dhe tashmë konsiderohet kritike.