Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” ka bërë ndryshime në listën e kandidatëve për deputet, duke shkaktuar polemika dhe paqartësi. Babai i Adriatik Lapajt, Ferman Lapaj, i cili më parë kryesonte listën e këtij koalicioni në Berat, nuk figuron më në versionin e finalizuar në KQZ. Në vend të tij, lista kryesohet nga Aleksandër Bacaj.
Lajmi për përfshirjen e babait të Adriatik Lapajt në listën e kandidatëve bëri bujë në media, duke sjellë reagime të shumta. Vetë Lapaj, në një reagim publik, e cilësoi këtë një keqinterpretim, duke theksuar se ishte përdorur një listë paraprake dhe se strategjia e koalicionit është refuzimi i sistemit të listave të mbyllura. Sipas tij, emrat e vendosur në pozicione të sigurta do të tërhiqen në rast të fitimit të mandatit, duke lejuar që mandatin ta marrë kandidati me më shumë vota nga lista e hapur.