• Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti
Nuk ka rezultate
View All Result
  • Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti
Nuk ka rezultate
View All Result
Nuk ka rezultate
View All Result

Çam…

20/07/2025
Çam…

Nga Eda Derhemi

Çamët janë një histori me rrënjë ngulur thellë, një grup me tipare të spikatura përvijuar mirë në historinë e folklorin e shqiptarëve, që nuk ka gjetur kurrë as njohjen dhe as empatinë që ka kërkuar për trajtimin e padrejtë në atdhetë e vet. Para pak kohësh lexova një vëllim në prozë poetike të Luan Ramës për ta, “Ode për tempujt që nuk u harruan”, si dhe pashë versionin filmik të një pjese të librit, shfaqur dhe diskutuar masivisht në Noli Albanian Film Festival, konceptuar e drejtuar prej regjisorit Bujar Alimani, në Boston, këtë qershor. Një strukturë filmike e përshtatshme për gjininë “poemë filmike” – siç u prezantua edhe në festival, ndihet qartë në pjesën e parë (e pasur me më shumë elemente lirike) të vëllimit. Një lloj skenari tejshihet nëpër rreshta, dhe bëhet më fort i tillë nga fotot (screenshots) e aktorit Alfred Trebicka, që shoqërojnë rrëfimin e masakrës kundër çamëve, në rolin e syrit që rindjen dhe prek pas shumë vjetësh, me sy e duar, gërmadhat e katundeve çame, skelete kujtimesh e dertesh.

Në fjalët e vetë autorit, libri i dedikohet “kujtimit të çamëve të masakruar nga ushtria greke në qershor-shtator të vitit 1944 dhe në mars 1945, në katundet e vjetra të Çamërisë”. Që këtu, dhe më pas shpërndarë nëpër tekst, autori, fort dhe disa herë, akuzon Greqinë si shtet (pra, jo njerëzit apo individët që kryen masakrat) për vrasjet e përshkruara në makabritetin e hollësishëm të gjymtimeve, sy-nxjerrjes, djegies së foshnjave, prerjes a shpimit të gjinjve të grave, varjeve të pleqve dhe nënave me sisë që rridhnin qumësht, si dhe masivitetin e këtyre akteve në gjithë fshatrat e Çamërisë në periudhën specifike. Shumë rrallë në tekst akuza kalon nga shteti (ushtria dhe udhëheqësit e saj – sidomos Zerva, andartët, dhe ndonjë prift që printe masakrën) tek njerëzit, “urrejtja e popullit tjetër” (p.12). “Faji i tyre ishte se flisnin një gjuhë tjetër, se kishin një fe tjetër”, shton disa herë autori, “se ishin çamë dhe jo grekë”. Dhe më pas: “Si nuk u gjet një shenjt grek të na mbronte!” – por kjo fjali e fundit nuk është një qarje e autorit, por e njërit prej karaktereve që kaloi masakrën. Autori distancohet nga ankesa, dhe pozicionohet në rolin e akuzuesit që lyp dhe pret përgjigje për akte që ai i konsideron pjesë të një masakre të planifikuar masive në natyrën e gjenocidit.

Ngjarjet bazohen në dëshmitë e atyre që qenë aty, panë dhe shpëtuan duke u arratisur për në Qafë të Botës, drejt Shqipërisë, gra fëmijë e burra që merrnin arratinë të tmerruar duke lënë pas të dashur e familjarë të masakruar. Flitet për Xhelon, Xhafon, Myrton, Kasemin, Irfanin, Hodon, Shabanin, Shefqetin, Nazon, Feron, Esatin e plot të tjerë. Ka edhe një sasi karakteresh grekë, miq e komshi të çamëve, që iu gjendën në dasma – si Kosta e Anastasio, dhe ndonjëherë edhe në hallin e madh që i pllakosi kur i vranë e dëbuan – si bëri Jorgua grek për Feron çame (bazuar në historinë reale të një kushërire të autorit quajtur Ferro) që merrte arratinë me dy fëmijët e vet të sapolënë jetimë prej një ati koka dhe krahë e të cilit mezi u gjetën, flakur larg trupit.

Vëllimi ka një strukturë disa-copash: shtatë pjesët e para janë përjetime të autorit që njësohet me ata që vuajtën, si pasardhësi i tyre që ua dëgjon ende zërat nga brenda vetes, si edhe si shkrimtari i një eposi të thyer në histori personale e përjetime lirike, duke përdorur vetën e parë njëjës dhe shumës në rolin e rrëfimtarit. Në shtatë akte, në formën e një proze poetike, rrëfehen vajet e shpirtërave që ngelën pa varre, dhe atyre që mbetën gjallë por morën arratinë. Në aktin e shtatë, koha ka ecur dhe jemi 80 vjet pas masakrave: ikin korbat e tmerrit dhe shfaqen harabelat e paqes. Shpirtrat janë paqëtuar dhe duan qetësinë e kthimit që nuk ua ndalon dot më kush, së paku në dimensionin poetik. Ata kanë falur, dhe zbresin si hyj në tokat, vreshtat, kullat dhe portat e veta të dikurshme. Sidoqoftë, autori nuk ka falur, së paku për aq kohë sa shteti grek nuk kërkon falje. Ky qëndrim është më i dukshëm në jetën private dhe publike të autorit Luan Rama, përfshirë letrën e hapur drejtuar kryeministrit, presidentit dhe parlamentit grek vetëm para pak ditësh.

Në këto shtatë kumte gjëmash, lirizmi vajtues përshkon gjithë narrativën, sido që ka plot elemente epike: shifra, emra të përveçëm njerëzish të vrarë, përshkrime makabre gjymtimesh reale, si edhe emra katundesh çame; mes faqeve 17 dhe 25 shifra të sakta të vrarësh, të masakruarish e dëbuarish, si edhe radha e fshatrave të boshatisur, zënë vend me shumicë për t’i dhënë trup vajit të rrëfimtarit dhe mbështetje atyre që ruajtën dhe ruajnë kujtimin e asaj që ndodhi. Një rol të madh autori i le natyrës në mungesë të atyre që s’janë më në sfondin e boshatisjes së dhunshme të Çamërisë duke iu afruar folklorit dhe mitologjisë: “lulet ndienin erën e gjakut dhe mishit të djegur”, “Yjet u zhdukën dhe hëna heshti symbyllur”, “të nesërmen, deti u tërhoq dhe dielli nuk deshi të dalë”, “17 puset e Mazrekut mbetën me gojë të hapura” dhe “15 puset e Filatit i shteroi dhimbja”.

Pas këtyre shtatë copave-akte, ndjek një dëshmi në formë tregimi historik real të njërit prej episodeve të arratisjes tragjike të një gruaje çame, Feros që përmenda më lart, me ty djemtë e vegjël Bedon dhe Hyson, dhe udhëtimin e tyre drejt Qafës së Botës e më tej, Shqipërisë plot me të tjerë çamë të traumatizuar. Një duzinë faqesh me bazë një ndodhi reale që shkrimtari e përshkruan si literary fiction. Është një tregim prekës dhe i fuqishëm, por përsërit elemente të përshkruara ndërkaq ose që rishfaqen më vonë në copën e fundit të vëllimit. Por autori i ka mëshuar modalitetit të ndryshëm dhe simbolikës së kësaj ndodhie dalë prej një personazhi të vetëm të pranishëm në masakër. Kjo copëz është pjesa më homogjene dhe e fuqishme e vëllimit. Në një përshkrim artistik me një dozë poetike më të lehtë se shtatë pjesët e para, ky fragment që rri si tregim i veçantë, hedh dritë të fortë realiste mbi ndodhitë dhe mënyrën si u ndien çamët viktima, që këtu analizojnë e komentojnë direkt në komunikim me njëri-tjetrin dhe lexuesin se çfarë u kish ndodhur.

Përdorimi i shumë fjalëve të vjetra të shqipes në format e tyre fonetike dialektore tipike të çamërishtes, si klumsht, fëmilë, golë, gluhë, si edhe edhe ndonjë folje, u japin vërtetësi e dritë përshkrimeve. Krijimi poetik i pjesëve të analizuara më lart dukshëm është shumë i rëndësishëm si për psikën e Ramës dhe rritjen e tij si njeri që u përket shqiptarëve çamë, ashtu edhe si mendje moderne e progresive që kërkon shpagim simbolik në formën e vënies së historisë në vend. Së paku, me një njohje publike të masakrës dhe kërkim zyrtar faljeje. Të gjitha copat përshkruara më lart tejçohen nga një emocion i fortë poetik dhe intensitet figurativ. Disa metafora e krahasime shfaqen të lodhura e të përsëritura, sikurse edhe janë – do guxoja të thosha kundër vetëcensurës sime morale – disa episode vuajtjesh. Shpjegime ndonjëherë të panevojshme fjalësh të çamërishtes shfaqen në tekst, kur tek-tuk mungojnë ato të nevojshmet. Një editim më i mirë do kish ndihmuar. Ndonjëherë episodet e radhitura me tepri janë madje të parashikueshme e të pritura. Por, edhe kështu, vlera artistike e vëllimit është e padiskutueshme. Pa përmendur rëndësinë e saj historike dhe morale në marrëdhëniet e dy popujve në fqinjësi të përjetshme, si edhe për të vënë në vend drejtësinë ndaj një popullsie të keqtrajtuar e injoruar në më shumë se pak forma e pak herë. Libri kryen një funksionin subjektiv e katarsizues, për të cilin natyrshëm lindi: “’Ode për tempuj që nuk u harruan’ më dolën nga shpirti, nga një dhimbje e thellë dhe një lloj revolte.” (66)

Pjesa e fundit e krijuar prej autorit ka natyrën e një analize eseistike të tragjedisë si edhe e përçapjeve teorike krahas udhëtimeve të tij për t’u rikthyer në rrënjët e veta e për të vënë drejtësi. Krahas saj Rama përforcon zhgënjimin e vet tek demokracia europiane e Greqisë sot që nuk trashëgon vërtetësinë dhe madhështinë e demokracisë së lashtë athinase. Zgjatim direkt i kësaj eseje në fund të librit, do mund të ishin letra e hapur e autorit për qeverinë greke që të reflektojë për çështjen çame dhe të kërkojë falje simbolike pas 80 vjetësh (kjo letër, publikuar në korrik 2025 prej autorit). Libri mbyllet me kapitullin “Zërat e kujtesës” që sjell narrativa reale çamësh për masakrat, dëshmuar nëpër gjyqe, platforma publike apo Gazeta të kohëve të ndryshme. Këto rrisin realizmin dhe vlerën e librit të Luan Ramës për një histori të dhimbshme dhe një grup njerëzor të diskriminuar e heshtuar pa të drejtë, çamëve.

***

Përtej librit

I kujtoj çamët në Tiranën e socializmit si koncept disi i paqartë. Kujtoj edhe plot individë realë që thuhej se ishin çamë, zihej ngoje gati-gati si thashethem, sikur kishin diçka mangët apo diçka shtesë që nuk duhej ta kishin. Vetë personat me origjinë çame, pak e thoshin nga ishin, dhe shumë rrallë me krenari. (Kjo, krejt ndryshe nga sot). Mbaj mend që nëpër shkolla apo tekste zyrtare nuk flitej kurrë për trajtimin e çamëve në Greqi, shpërnguljet, masakrat. Plot shoqe që më vonë kam kuptuar se ishin çame, thoshin vendin e origjinës, por jo faktin që ishin çame: jemi me origjinë nga Përmeti, nga Delvina, nga Durrësi, nga Kavaja, nga Vlora. Por jo, jemi çamë. Mbaj mend edhe bestytni pa justifikime në Tiranë se çamët ishin në natyrë tradhtarë e të vritnin natën e të qanin ditën. Në këto kushte, pa dyshim që nuk para thuhej me zë të lartë që ishe çam. E mbaj mend nonën time tironase që e pyeta se çfarë donte të thoshte tekstualisht kjo e vrara natën dhe e qara ditën që më bënte përshtypje të pazakontë me intensitetin e vet dramatik thuajse mitologjik.

Më tha, domethënë që bëjnë sikur të duan, por në fakt të ngulin thikën mbas shpine. E pyeta nëse dinte ndonjë rast si ky që të kish ndodhur vërtet. Jo, kurrgjo, po hallexhiu veç shahet, s’e lavdëro kush! – tha nona. Im atë thotë se në Tiranën e vjetër thuhej se “po t’i japësh një tironasi nji qingj, e ther ene e ha; po t’ia japësh një çami, mas nji viti e ka bo tre qingja”. Shprehjet venë në dukje si mosbesimin e vendalinjve ndaj të sapoardhurit fukara, ashtu edhe paepjen e tij për të mbijetuar. Hallexhiu e i ndryshmi janë kurban i rehatshëm e përfliten si në vendin që braktisin, si në të riun ku shkojnë, edhe pse të dy vendet duhet të ishin vendi i vet, edhe pse dikur kishin toka e konakë e porta të fisme, por ikën me varfërinë dhe vdekjen me vete. Kur më në fund arritën nëpër qytetet shqiptare ishin të çjerrë e të uritur, me rrobat e trupit dhe kujtimin e dashurive që u kishin vrarë, duke u mbajtur në shpatullat e vrara të njëri-tjetrit . Çamët, ndër grupimet shqiptare, mbajtën një peshë të historisë më të rëndë se ajo e shumëve prej nesh. U ra kjo barrë rastësisht, sepse qëlluan të kenë tokat e veta në një pjesë të caktuar të Ballkanit, që historinë e shtetbërjes nuk e pati aq të thjeshtë sa pjesë të tjera. Por nuk e harruan historinë e vet, dhe as përzënien e egër e humbjet me kobe.

Pak ua kemi njohur historinë e tyre aq të pazakontë e të dhimbshme. Pak e aspak diskutoheshin zyrtarisht gjatë socializmit që ndiqte bindshëm realpolitikën e rajonit: madje, edhe më pak sesa janë njohur e mbrojtur kosovarët, ka dalë në pah keqtrajtimi i tyre, sido që të dy palët janë sakrifikuar sa herë ka qenë e volitshme. Në nivel privat, veç konotacionit negativ që përmenda më lart, fjalën ta kapte veshi andej-këndej me një re mistike mbi vete: “pallati i çamëve”, “janë çamë ata”. Asgjë e veçantë këtu, sepse Tirana kështu ishte e ndarë dhe e bashkuar për të gjitha grupimet subetnike. Sot ka disa zëra publikë dhe organizata që ngrenë zërin për të drejtat çame. Në Shtetet e Bashkuara, që herët, kam vënë re aktivizimin e veçantë të diasporës shqiptare çame. E vura re edhe në festivalin Noli të filmit shqiptar në Boston, ku u shfaq filmi bazuar mbi pjesën e parë të këtij libri të L. Ramës. Sa shumë energji dhe intensitet solli kujtimi i Çamërisë, edhe ndër njerëz të palidhur me kinemanë apo letërsinë, në takimet që iu dedikuan filmit në fjalë dhe çështjes çame!

Ka një personazh që përmendet më shpesh se kushdo në të gjitha pjesët e vëllimit të Ramës, Zerva, emri i plotë i të cilit është Napoleon Zerva, figurë historike kontroverse, që shihet si kriminel prej shqiptarëve dhe si hero prej grekëve (së paku, prej shumicës së tyre). Ai, ndër çamë, ishte simboli i tmerrit e djallit vetë në kohën e dëbimit masiv të tyre. Autori Luan Rama në disa shkrime të kohëve të ndryshme përmend se është rritur rrethuar prej historish makabre që ia kanë trazuar shpirtin që të vogël, rreth Zervës, kallëzuar prej të afërmve të tij të moshuar. Një emër që u bë simbol i së keqes. “Në çast iu shfaq përsëri kolonel Zerva, me qillotat e tij ushtarake, me kapën e tij dhe revolen në brez, tek ecte triumfator dhe jepte urdhra sa majtas-djathtas, për të vrarë burrat që nuk ishin larguar nga shtëpitë e tyre. Me robën e tij të zezë dhe mjekrën që i varej e tundej nga një gëzim i papërmbajtur, prifti e ndiqte pas dhe ngrinte duart…(f 58)

Ajo që vlen të theksoj këtu është se Zerva nuk ishte kaçak mali, por njeri që përfaqësonte si politikisht, si ideologjikisht pjesë institucionale shtetërore e ushtarake greke, edhe pse sillej si të qe vetë Ali e vetë kadi, sepse një lejë veprimi ia patën dhënë.

Kur vizitova Janinën herën e fundit më 2023, teksa po kërkoja të shkoja (përsëri) në shkollën (më mirë të them “ndërtesën” e fisme) që edukoi një pjesë të artë të patriotëve shqiptarë më në zë, të fundit të Perandorisë Osmane dhe fillimeve të Pavarësisë, ndesha një bust mbi një piedestal në qendër të një parku. Napoleon Zerva, dora vetë! Ndenja gjatë përballë duke e parë qetë në fytyrë. Historia luan me njerëzit aq keq e pamëshirshëm. Edhe me atë vetë, jam e bindur. Pyeta një mesoburrë dhe një vajzë në të tridhjetat se ç’përfaqësonte Zerva për ta. Mora përgjigje shumë të ngjashme: Pa Zervën Janina nuk do ishte Greqi sot. Hero apo kriminel? – ishte pyetja ime e dytë. Të dy më panë prapë njëlloj, si të isha e çmendur: Hero, sigurisht hero! Nuk është vendi të kallëzoj këtu, por gjatë ditëve në Janinë hulumtova sa munda edhe kujtimin kolektiv të qytetasve të rinj (që jam e sigurtë është më fort se gjithçka memorie e ndërtuar mbi bazë tekstesh shkollore dhe propagande dokumentarësh, sesa njohje kritike e historisë) për një figurë gjigante, komplekse e kontroverse, Ali Pashanë e Janinës. Problematikat janë shumë të ngjashme në mënyrën si ndërton e tashmja raportet me të dy këto figura historike.

Kthehem rishtas tek Zerva dhe ajo që u ndodhi çamëve ne 1944-1945. Çamët sot kanë një rrjet të gjerë organizatash e fondacionesh në diasporë dhe Shqipëri, ka plot dokumentarë shqip dhe dëshmi orale të grumbulluara prej kujt i mbijetoi masakrës, siç ka edhe studime (P. Xhufi, për shembull) apo romane (Tom Kuka, “Gurët e vetmisë”, është një rast) që merren në veçanti me çështjen çame dhe janë pro saj, ashtu si edhe poema filmike që u bë shkas i këtij shkrimi.

Gjithsesi, sado zëshmohet ajo që u ndodhi çamëve prej atyre vetë, mjafton një kërkim i thjeshtë në internet që të mbulohesh nga informacione kundër tyre në gjuhën greke e angleze, gjuha që lexon qytetari i zakonshëm i botës që do info mbi këtë histori. E nëse kërkon më shumë e më thellë, gjen më shumë histori, numra, dhe referenca e dëshmi prej fshatarësh grekë, oficerësh anglo-amerikanë e gjermanë, përshkrime zyrtare greke që dëshmojnë kundër çamëve dhe i veshin ata me një dritë shumë negative e jonjerëzore. Pastaj, nga fundi, thuhet lehtas e përciptas se në fund të Luftës edhe grekët u sollën jo më mirë ndaj çamëve duke u nxjerrë inatin për sa i kishin punuar në të shkuarën. Ndërkaq në shumicën e versioneve, jo vetëm i bihet shkurt masakrës së Zervës e shokëve të tij, por shfaqet natyrshëm versioni se çamët (2000 kriminelët e listës së atyre që kishin kryer krime ndaj fshatarëve grekë të pambrojtur), ikën vetë, sepse e dinin që do kishin të bënin me drejtësinë. Jo vetëm nuk shfaqen çamët si viktimat që në fakt ishin, por dalin si një forcë ekstreme e së keqes, sikur kanë vrarë e prerë nëpër fshatrat grekë tufa qindra personash pa asnjë arsye, dhe më pas kanë bashkëpunuar me forcat italiane e naziste duke djegur e shfarosur bashkëfshatarët e vet grekë si edhe fshatra të tjerë përreth banuar prej grekësh. Nuk mund të ishin formësuar e shitur më keq se kaq ato që ndodhën! Kjo është t’i vrasësh dy herë çamët e atyre zonave, në fillim u merr jetën, pastaj dinjitetin dhe historinë. Dhe në fund, edhe krejt katundet.

Kam folur gjerë e gjatë me një profesoreshë greke (gjuhëtare me njohuri të gjera historike e antropologjike) lidhur me çamët në Greqi. I thashë se nuk e kuptoj si u falsifikua historia në një mënyrë kaq ekstreme, dhe si nuk lejohen ende të shkojnë në tokat e veta, e lëre pastaj që t’i marrin. Më tha se në Greqi kish dëshmi reale krimesh të panumërta nëpër arkiva, si edhe prej personash të huaj të pranishëm në masakrat që çamët kryen kundër grekëve të pambrojtur. Nuk është falsifikim. Tha se janë kryer gjyqe serioze mbi bazë faktesh. Kjo greke nuk është një që e manipulon lehtësisht. Imagjinoj si duhet ta mendojë këtë çështje pjesa tjetër e grekëve. Pyeta edhe një historian grek, specialist të popullatave jo të krishtera të Greqisë. E pyeta sa i diskutueshëm është fakti që arvanitët kanë qenë absolutisht e përjetësisht të krishterë në trojet ku kanë jetuar dhe s’ka pasur arvanitë myslimanë nëpër shekujt otomanë. Më tha se nuk dihet mirë, por se historiografia greke i ka mbajtur çamët dhe arvanitët si popullsi krejt të ndryshme dhe pa lidhje, ndarë përgjatë fesë.

Ndërkaq unë ngul këmbë se ka dëshmi që arvanitët dhe çamët luftuan krah për krah në luftërat e pavarësisë gjatë Revolucionit Grek. Dihen edhe që kalimet nga një fe tek tjetra s’kanë qenë aq të rralla, si as besimet e përziera me njërin të fshehtë, të zbehur apo të ringjallur. I thashë se gjuha e çamëve dhe arvanitëve kanë ngjashmëri të forta dhe plot tipare fonetike e morfonologjike që flasin për një vazhdimësi në kohë e hapësirë të këtyre ngulimeve historike që duhet të kenë qenë shumë komunikuese ose me përbashkësi evidente, dhe ndoshta edhe e njëjta masë historike, dikur relativisht e njësuar ose, së paku, krejt të tejçueshme. Lëvizjet nga një zonë të tjetra dhe njësimet e rinjësimet me bashkëfshatarë të rinj, ku feja s’ka qenë veç një pasaportë e këmbyeshme që lejonte integrim dhe përkitje të favorshme në jetën e re, s’ka pse të konsiderohen të pamundura.

Shumë arvanitë me të cilët kam folur më thonë se, nga sa ka mbetur në historitë familjare, vijnë nga zona veriore që s’lidhen as me Viotinë, as me Atikën e as me Morenë a Peloponezin. Unë besoj se ndarjet artificialisht të forta e të pastra kristianë-myslimanë që kanë ekzistuar në Greqi, eliminimi gradual i grupeve jo-ortodokse apo me gjuhë e doke të tjera nëpërmjet mosnjohjes së minoriteteve, madje edhe marrëdhëniet absurde me Shqipërinë, janë pasoja të flamës së megali-idesë që bëri pis idealizmën e Revolucionit Grek dhe deformoi përgjithmonë bukuritë kulturore e gjuhësore të Greqisë vetë. Versioni ideologjik në bazë të formimit të shtetkombit grek, është ndër më të ashprit dhe të ngurtët për vetë specifikat e Greqisë në 1800-ën dhe 1900-ën, me identitetin e njësuar artificial heleno-kristian në bazë të vet. Çamët janë një viktimë fatkeqe bërë kurban që ky ekuacion i megali-idesë dhe shtetit komb të funksionojë, sado keq.

Sidoqoftë, nëse çamët duan të vihet në vend përdhosja e historisë së tyre të gjatë, nëse duan t’u kërkohet falje qoftë edhe vetëm simbolikisht sot për një keqtrajtim ekstrem shtetëror në të shkuarën, siç thotë Luan Rama në letrën e tij të hapur qeverisë greke, nuk mund të pretendohet që kjo të kryhet pa diskutuar e sqaruar një nga një çdo akuzë bërë çamëve, sado e vështirë qoftë kjo në këtë distancë historike e sado të shurdhër e pastë veshin qeveria greke. Saga e Dinejve (gjithë atdhetarët apo tradhtarët qofshin të familjes Dino, sidomos Xhemil, Nuri e Mazar Dinos) fjalavjen, nuk mund të injorohet; duhet pohuar e saktësuar ashtu siç qe. P. Xhufi në një intervistë shprehet se ai batalion famëkeq numëronte 300 ushtarë në të rrallat ditët më të mira që pati, dhe 30 kushërinj të Dinejve, në një ditë të zakonshme, dhe se në fakt as u mor me shfarosje a vrasje në zonat e Çamërisë së Greqisë, por më shumë veproi në zonat e jugut shqiptar. Kjo është një deklaratë që duhet zhvilluar e diskutuar në mënyrë masive edhe online, sepse është e kundërta e sa gjendet e shpërndarë nëpër internet si grurë, elb, apo thekër.

Faktet mbi të duhen pajisur me të dhëna bindëse burimore, dhe ato që dëshmojnë të kundërtën duhen po ashtu të konsiderohen e përgënjeshtrohen, nëse janë false. Sepse nëse ky batalion famëkeq nuk u mor me vrasje, plaçkitje e djegie të përbindshme të fshatrave greke, atëherë kush u mor e kush e krijoi këtë mit? E cilët janë ekzaktësisht “2000 kriminelët” ndër çamët e listave zyrtare greke të ’45-ës, që duheshin arrestuar e gjykuar për krime lufte, por që, sipas të thënave, u arratisën dhe fshehën në Shqipëri para se të arrinte t’i kapte ushtria greke? Po ashtu, batalionet pro-italiane apo naziste ndër çamë, duhen konsideruar në sfondin e aq e aq formacioneve të tilla hallexhie më shumë se tradhtare, në gjithë Europën dhe përtej: popullsitë baltike të republikave baltike sovjetike që donin të hiqnin qafe skllavërimin rus, flamandët në Belgjikë, bretonët në Francë, sllavët e Jugut dhe kosovarët që donin të hiqnin qafe Serbinë, berberët në Afrikën veriore që donin të shpëtonin nga sundimi arab, bjellorusët, luksemburgasit… e kush jo nuk bashkëpunoi sa për të thënë me trupat e përkohshme të Aksit për t’u çliruar nga një shtypës historik i konceptuar si rrezik i përhershëm dhe ogurzi?!

Bashkëpunimi i çamëve, sado qesharak apo serioz pastë qenë, në fund të fundit dëshmon se çamët ishin një popullsi e përndjekur në Greqi për shkak të fesë dhe gjuhës, shumë më parë se italianët dhe gjermanët e Luftës së Dytë Botërore të pushtonin zona greke! Të mos nis këtu edhe argumentin tjetër të nënvizuar pa të drejtë se batalionet partizane çame u krijuan sa për sy e faqe! Ka militantizëm në të dy krahët, dhe historia, sado subjektive qoftë edhe në version të fundit, duhet t’i rrijë sa më larg militantizmit dhe lektisjeve nostalgjike. Çamëve u takon liria e kthimit kur u do qejfi në një vend të lirë si Greqia, dhe e përjetimit të kujtimeve të veta ashtu si i kanë rritur nëpër familje e miqësi. Në mos u takoftë më shumë se aq! Dhe historia e shkruar mbi bazë faktesh, e bardhë a e zezë, nuk është kundër tyre.

(Peiazezhe.com)

Related Posts

Braçe: Çështja e pensioneve bënë me turp cilindo
Lajme

Braçe: Çështja e pensioneve bënë me turp cilindo

05/12/2025
Shkon të blejë ilaçe, i moshuari ndërron jetë në farmaci
Kryesore

Shkon të blejë ilaçe, i moshuari ndërron jetë në farmaci

05/12/2025
AKU bllokon 51 ton me misër që vinte nga Serbia: Ishin me Aflatoksinë!
Kryesore

AKU bllokon 51 ton me misër që vinte nga Serbia: Ishin me Aflatoksinë!

04/12/2025
Mbi 4,000 traktorë në rrugë/ Fermerët shtojnë bllokadat në gjithë Greqinë
Kryesore

Mbi 4,000 traktorë në rrugë/ Fermerët shtojnë bllokadat në gjithë Greqinë

04/12/2025
U rrëzua dhe përplasi kokën me bordurat e bulevardit, humb jetën 50-vjeçarja
Kryesore

U rrëzua dhe përplasi kokën me bordurat e bulevardit, humb jetën 50-vjeçarja

04/12/2025
Lëvizja e Salianjit, PD drejt ndarjes së radhës
Kryesore

Lëvizja e Salianjit, PD drejt ndarjes së radhës

04/12/2025

Argjiroja.net është një media online e pavarur, që informon me profesionalizëm dhe shpejtësi lexuesit. Në vëmendjen tonë të veçantë janë kryesisht ngjarjet në jug të Shqipërisë, por edhe zhvillime të tjera të rëndësishme brenda e jashtë vendit.
Argjiroja.net është pjesë e NaN Studio Sh.P.K me NIPT M02012001P

Për marketing dhe çdo informacion tjetër na shkruani në adresën [email protected]

Të fundit

Partizani para ndeshjes në Europë, ndryshon axhenda për të kuqtë

Mundësia e dhjetë për Partizanin, a do e thyejë Kërnaja “tersin” në derbin me Tiranën?

05/12/2025
Çfarë ndodhi? Jul Deda në SPAK!

Çfarë ndodhi? Jul Deda në SPAK!

05/12/2025
  • Kryesore

© 2023 Argjiroja.net Design by NanStudio.al

Nuk ka rezultate
View All Result
  • Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti

© 2023 Argjiroja.net Design by NanStudio.al