Nga Mero Baze
Kompania e naftës Bankers Petroleum, për 20 vite, në fakt ka funksionuar më shumë si një bankë e zezë e korrupsionit në Shqipëri sesa si kompani nafte.
Hetimi i fundit ndaj kompanisë nuk është një hetim që prek problemin kryesor të Bankers-it, por thjesht një vëzhgim i shpejtë mbi bilancet fiskale të saj, të cilat tregojnë sesi janë keqpërdorur financat përmes faturimeve fiktive.
Ky hetim, i nisur në nivel lokal, pa përfshirë brenda figurat e larta të pushtetit ndër vite që kanë qenë mburoja politike e këtyre veprimeve, rrezikon të relativizohet dhe të përfundojë me ndonjë fushatë të re PR për ndarje lekësh nën dorë dhe mbyllje të debatit.
Bankers filloi prodhimin e saj në vitin 2006, pas një kontrate të lidhur për shpim-kërkim qysh më 2004-ën, pasi në Shqipëri erdhi si lobist i saj ish-gjenerali që drejtoi luftën e Kosovës, Wesley Clark.
Berisha, i cili i kishte të këqija marrëdhëniet me Uashingtonin zyrtar, kishte nevojë për grupe lobistësh që të ndikonin për imazhin e tij, ndaj i hapi rrugë çdo kërkese të kompanisë për të cilën ai loboi, me shpresë se për të do të thuhej një fjalë e mirë në Uashington.
Gjatë qeverisjes së tij, Bankers u denoncua dhe nga WikiLeaks si një kompani që po shkaktonte tërmete nëntokësore në Shqipëri. Raporti i WikiLeaks përmend një seri tërmetesh qysh në vitin 2009, që vinin nga shpërthimet nëntokësore.
Një situatë dramatike ndodhi në vitin 2015, kur nga një shpërthim nëntokësor në formë fontane u rrezikuan banorë të zonës dhe u krijua një mjedis i rrezikshëm për jetën. Qeveria relativizoi problemin dhe Bankers premtoi se do të investonte në fshatin e dëmtuar, pa bërë realisht asgjë.
Që të hetohet korrupsioni i Bankers-it dhe funksionimi i saj si një bankë në të zezë për para nën dorë për zyrtarët e lartë të shtetit, duhet të hetohen nënkontraktorët e saj, lidhjet e tyre politike, betejat e Bankers-it në arbitrazh me shtetin shqiptar dhe fitoret e dhuruara nga shteti shqiptar përmes sekserëve, që më pas rishpërndaheshin mes palëve.
Kjo histori ka 20 vite që vazhdon. Gjithmonë ka pasur përpjekje për ta hetuar, gjithmonë është konstatuar ky bilanc fiktiv i Bankers-it, gjithmonë është çuar në arbitrazh, gjithmonë është humbur me dështime arbitrazhi nga qeveria shqiptare, dhe më pas janë ndarë lekët.
Rasti më klasik ka qenë kur Albpetrol nuk i njohu Bankers Petroleum 220 milionë dollarë shpenzime të vitit 2011. Në bazë të raportit të Albpetrol-it, Tatimet inicuan një pagesë prej 57 milionë dollarësh.
Shteti shqiptar pretendonte se kompania kishte shmangur taksat duke raportuar shpenzime më të larta se ato reale, për të ulur normën e fitimit.
Sipas marrëveshjes në fjalë, kompania, në momentin që rekuperon shpenzimet kapitale, duhet të paguajë 50% tatim fitimi.
Edhe pse më 2016 shteti tentoi ta mbledhë forcërisht këtë gjobë, çështja shkoi në arbitrazh dhe një komision auditimi i dha të drejtë Bankers-it. Dhe këtu ka plot dridhje për zyrtarë të lartë socialistë të asaj kohe.
Gjithçka është e qartë nga jashtë, por kërkon një hetim profesional dhe, natyrisht, prova që mund të sigurohen në rrugë hetimore. Nuk jam i sigurt sa mund ta bëjë këtë Prokuroria e Fierit, kur tek ne as SPAK nuk ka bërë deri më sot ndonjë hetim të mirëfilltë për korrupsion, por është marrë me hetime pasurie për të mbuluar dështimet profesionale.
Super-pagat e Bankers-it, faturat fiktive në adresë të personave të njohur, mbi-aftësitë e nënkontraktorëve që befas u kthyen në biznesmenë të mëdhenj – pra, fryrja e shpenzimeve në tërësi, duke rindarë fitimet nën dorë – është një praktikë e dukshme dhe e pamoralshme, por që ha shumë debat ligjor nëse nuk shoqërohet me fakte të hetuara mirë që të zbërthejnë skemën e funksionimit të kësaj kompanie si bankë e zezë.
Dhe kjo varet shumë nga qëllimi për të cilin ka nisur hetimi.
Nëse ka nisur për arsye lokale, apo hatërmbetje për mosndarje të mirë lekësh, mbyllet shpejt se gjenden lekët.
Por nëse ka nisur vërtet për të hetuar kapjen e shtetit nga Bankers, radha për t’u hetuar është e gjatë nga të dy palët. Bankers nuk është kompani nafte. Është një bankë, ku klientë të saj janë njerëzit e pushtetit për 20 vite rresht.
Nuk më duket se klientët e saj janë gati të falimentojnë bankën e tyre.
Ndoshta duan një pronar më të sigurt.









