Studentët kanë kërkuar largimin e deputetëve të opozitës, të cilët marshuan nga Kryeministria drejt Ministrisë së Arsimit, ku po zhvillohet protesta kundër kryeministrit Edi Rama.
Të rinjtë theksuan se protesta është një nismë qytetare dhe nuk duhet të përvetësohet nga partitë politike, të cilat, sipas tyre, kanë përgjegjësi për situatën në vend ndër vite. Ata u shprehën kundër pjesëmarrjes së Sali Berishës dhe deputetëve të tij në tubimin e tyre, duke bërë dallimin mes simpatizantëve të PD-së dhe përfaqësuesve politikë.
“Çdo qytetar është i mirëpritur, deputetët duhet të shmangen, sepse janë simbol i partive që përfaqësojnë. Kjo protestë është e popullit. Ai që nuk është i mirëpritur është një person që vetë ekzistenca e tij simbolizon një parti. Nuk kemi penguar asnjërin që të vijë, sepse është e drejtë kushtetuese që të protestojë. Ne nuk duam persona që janë simbol i partive që na kanë rrënuar në mënyrë specifike”, u shpreh njëri prej të rinjve.
Një tjetër protestues rikujtoi se që prej 31 majit, kur u zhvillua protesta e njohur si “Protesta e Flamingove”, kërkesat e tyre kanë qenë të drejtuara kundër të dy figurave politike, Edi Ramës dhe Sali Berishës.
“Kjo protestë që nga 31 maji ka qenë ‘Rama në burg’ dhe ‘Berisha në burg’. Çdo simpatizant i PD-së është i mirëpritur. Berisha dhe deputetët e tij në asnjë mënyrë”, deklaroi ai.
Edhe një vajzë pjesëmarrëse në protestë kritikoi deklaratat publike të përfaqësuesve të opozitës, të cilët, sipas saj, po përpiqen të krijojnë përshtypjen se Partia Demokratike është organizatorja dhe nxitësja e protestës studentore.
Ajo u bëri thirrje demokratëve të mos përvetësojnë iniciativën e të rinjve dhe të mos krijojnë përçarje mes protestuesve.
“Mos na përçani. Unë jam dakord të jemi bashkë. Nëse jemi bashkë, atëherë ju lutem mos i nxirrni deklaratat sikur PD po nxjerr studentët në protestë. Nxirreni se ju jeni me ne. Nuk pranojmë deklarata publike se PD ka organizuar protestën”, u shpreh ajo.
Deklaratat e studentëve vijnë në një moment kur dy protestat në Tiranë janë përballur me njëra-tjetrën pranë Ministrisë së Arsimit, duke nxjerrë në pah qëndrimet e ndryshme të të rinjve dhe mbështetësve të opozitës për përfshirjen e partive politike në këtë lëvizje.









