Nëna e Martin Canit, 14-vjeçarit që u vra me thikë pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ka bërë një reagim prekës pikërisht në ditën e parë të nisjes së vitit të ri shkollor.
E tronditur nga humbja e të birit, Florina Cani shprehet se zemra e saj nuk e duron boshllëkun e krijuar nga mungesa e të birit.
“Po fillon një vit i ri shkollor pa ty dhe zemra ime nuk duron këtë boshllëk. Çdo ditë që kalon është e rëndë, më mungon buzëqeshja jote, dashuria dhe praninë jote. Ikja jote mizore nga kjo botë më mori frymën, por nuk mund të marrë kurrë dashurinë për ty.
Dhimbja ime bëhet edhe më e madhe kur mendoj se kjo tragjedi mund të ishte shmangur. Mësuesit nuk të mbrojtën dhe nuk vunë në dijeni për zënkën që kishe me moshatarin tënd. Ishte neglizhenca e tyre që çoi deri këtu” – shkruan ajo.
Martini u vra me thikë në afërsi të shkollës ku autori i dyshuar i krimit akuzohet se është Mario Përlleshaj.









