Niko Peleshi është zgjedhur kryetar i ri i Parlamentit për legjislaturën e XI-të.
Me votim të fshehur Niko Peleshi mori 84 vota “pro” dhe 3 “kundër”, ndërsa opozita ka bojkotuar procesin të cilin e quajtën si jo legjitim.
Komisioni i përkohshëm që administroi procesin e votimit për zgjedhjen e kryeparlamentarit, u ngrit me emrat e propozuar vetëm nga PS, të cilët janë Fadil Nasufi, Saimir Asalla dhe Bledi Çomo.
Gjatë komunikimit të rezultatit opozita protestonte duke përplasur tavolinat kurse në kampin socialist kishte festë të cilët iu “kundërpërgjigjën” me duartrokitje.
Drejtuesi i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi u shpreh se kjo seancë nuk ka legjitimitet për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, duke kraharuar Peleshin me Klodian Zoton, si dhe duke deklaruar se opozita nuk do të marrë pjesë në votim.
“Me këtë propozim që po bëni, po na tregoi që filozofia juaj është vetëm krim, vjedhje dhe korrupsion. Prandaj dhe ne nuk do të marrim pjesë fare në këtë proces”, tha Bardhi në emër të opozitës.
Në momentin e hapjes së votimit, disa prej deputetëve të opozitës kanë filluar të bëjnë zhurmë në sallë në shenjë proteste. Kreu i PD, Sali Berisha në momentin që u thirr për të votuar, doli përpara foltores së Kuvendit me një poster McGonigal në dorë, të cilën e hodhi në kutinë e votimit. Njësoj vepruan edhe disa deputetë të tjerë të opozitës, të cilët shprehin pakënaqësi dhe mosdakordësi për të votuar për zgjedhjet e kryetari të ri.
Ndërkohë edhe kryeministri Edi Rama fillimisht mori fletën e votimit më pas votoi në kutinë e fshehtë, Niko Peleshin, që propozoi ditën e djeshme gjatë Asamblesë së PS.
Vlen të theksojmë se seanca e sotme fillimisht u drejtua nga Vasil Llajo i PS, si deputeti më i vjetër, pas Sali Berishës dhe Tritan Shehut nga PD-ja, për shkak se këta dy të fundit refuzuan të hapnin seancën.
Këtë seancë u betuan 138 deputetë, pasi 2 të zgjedhur njoftuan se kanë hequr dorë nga mandati. Ata janë Tom Doshi dhe Sabina Jorgo, të dy nga PSD, ndërsa burime bëjnë me dije se Tom Doshi tani do të ‘aktivizojë’ listën e hapur të Shkodrës.
Sipas rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit, mandati pritet t’i kalojë dy më të votuarve, Besnik Brahimit 3614 vota dhe Shkurt Lasku 2678 vota.








