E besoni apo jo, por Real Madrid pësoi një disfatë të rendë, një eliminim të turpshëm nga Kupa e Mbretit, me Albacete-n, ekip që militon në ligën e dytë spanjolle, që i likuidoi në raundin e 1/8-ve. Në ditën e debutimit të tij, Alvaro Arbeloa merr një mësim të hidhur, një humbje të papritur që vendos menjëherë në dyshim të fortë të ardhmen e tij në krye të Realit.
Arbeloa bëri një rotacion thuajse total në këtë takim, një vendim që i kushtoi rendë, kjo pasi Albacete jo vetëm që nuk “vodhi” asgjë, por ishin të parët që kaluan në avantazh në minutën e 42-të me një goditje të bukur me kokë të Villar. Reali iu përgjigj thuajse në të njëjtën formë, ku gjatë zhvillimeve të një goditje këndi barazuan shifrat në 1-1 në fundin e pjesës së parë.
Arbeloa ndërhyri në formacion në fraksionin e dytë, por kurseu sërish të gjithë yjet e ekipit. Albacete i befasoi sërish në minutën e 82-të kur Betancor kaloi edhe një herë vendasit në avantazh. Reali krijoi iluzionin se në fund do të zgjidhin gjithçka, do të shmangnin këtë eliminim të rendë, të paktën do ta dërgonin në shtesë, teksa Gonzalo Garcia barazoi shifrat në minutën e 91-të. Kjo sfidë nuk kishte fund, pasi Albacete kapi “mat” Realin në minutën e 94-ët ku Betancor me një parabël të bukur tronditi gjigandët spanjoll duke i eliminuar nga Kupa e Mbretit, një fund si në ëndrra për një ekip të vogël si Albacete.
Thuajse me lot në sy, Arbeloa pranoi dështimin, por beson se ekipi i tij mund të reagojë shpejt: “Në këtë klub edhe barazimi është i shëmtuar, një tragjedi, e jo më një eliminim i tillë, ndaj një ekipi që militon në një ligë inferiore. Marr përsipër të gjithë përgjegjësitë për këtë eliminim. A është ky një dështim? Unë nuk kam frikë nga dështimi, dështimi është pjesë e rrugës drejt suksesit. Jemi ende në lojë në La Liga dhe Champions”, u shpreh ndër të tjera Arbeloa.









