Komisioni europian dënoi këtë të dielë aktet e dhunës që kanë përfshirë këto ditë Tiranë duke theksuar se dhunë nuk ka vend në demokraci dhe se personat e përfshirë duhet të përgjigjen para ligjit. Sipas Komisionit dhe përgjigja ndaj këtyre akteve duhet të mbetet brenda ligjit dhe proporcionale
Deklarata e Komisionit Europian për situatën e rënduar në Shqipëri, mbërriti në ditën e gjashtë të protestave të dhunshme në kryeqytet. Për situatën e krijuar, Brukseli flet me terma të qartë.
“Ne dënojmë përdorimin e dhunës në Tiranë dhe qytete të tjera në Shqipëri, duke përfshirë zjarrvënien, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike dhe përgjigja ndaj saj duhet të mbetet brenda ligjit dhe proporcionale”, deklaroi KE.
Për Komisionin europian nuk ka asnjë mëdyshje se “ata që janë përfshirë duhet të përgjigjen përpara ligjit. Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, që duhen respektuar dhe ushtruar në mënyrë paqësore”.
Në deklaratën e tij, Komisioni thotë se vlerëson angazhimin e autoriteteve shqiptare se e drejta për të protestuar do të mbrohet, ndërsa e cilëson Shqipërinë “një vend kandidat të përkushtuar fort ndaj procesit të pranimit në BE”.
Deklarata mbyllet me thirrjet për t’i trajtuar ankesat përmes dialogut konstruktiv dhe në mënyrë paqësore.
Më herët dhe raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian Adreas Schieder, ishte po në të njëjtën linjë.
“Dhuna nuk është kurrë zgjidhje – as kur vjen nga individë të dhunshëm që infiltrohen në demonstrata, as kur vjen nga shteti dhe policia. Si raportues për Shqipërinë, jam veçanërisht i shqetësuar për Tiranën dhe kërkoj një fund të menjëhershëm të përshkallëzimit”, tha Schieder.
Postimi i Schiederit merrte shkas nga zhvillimet dhe në vende të tjera të Europës. Të rinjtë shkruan ai po luftojnë për arsim më të mirë dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Kjo është një gjë e mirë dhe e drejtë për t’u bërë dhe duhet të nxisë një ndryshim të të menduarit nga qeveritë, vë në dukje Schieder.









