Nga një familje me traditë në mundje, Bedri Omuri zgjodhi një tjetër rrugë në sport, futbollin. Ish-mesfushori i Kombëtares shqiptare, një nga protagonistët e brezit të artë të 17 Nëntorit, rrëfen në rubrikën “Legjendat flasin” fillimet e tij mes rrugicave të Tiranës, momentin kur u zbulua nga profesori i fiskulturës në shkollën “Mihal Grameno” dhe hapat e parë te Dinamo.
Karriera e tij mori formë mes Tiranës dhe Besëlidhjes së Lezhës, përpara se të shndërrohej në një nga figurat kyçe të 17 Nëntorit, me të cilin fitoi tetë Kupa dhe luajti për një dekadë rresht. Në shtatorin e vitit 1982 erdhi edhe debutimi me Kombëtaren, ndërsa më pas do të shënonte gola të rëndësishëm ndaj Belgjikës, Polonisë dhe Greqisë, në një periudhë kur çdo ndeshje ndërkombëtare kishte peshë të veçantë.
Në këtë intervistë, Omuri ndalet te momentet kyçe të karrierës, kujton golat me fanellën kuqezi dhe krahason futbollin e dikurshëm me atë të sotmin, duke e cilësuar epokën e tij si një nga më të bukurat e futbollit shqiptar.
– Dua ta nis nga një fakt interesant, duke qenë se babai yt ka qenë pjesë e sportit të mundjes. Ty çfarë të shtyu drejt futbollit? Nuk ndikoi ai që edhe ti të kishe një orientim drejt sportit që ishte vetë?
Në atë kohë më tepër fëmijët luanin futboll në rrugë. Mundja ishte më specifike dhe nuk u ingranova. Edhe babai nuk ka insistuar që unë të merrem me atë sport.
– Kush ishte shtysë që të merreshe me futboll?
U bë shkas një profesor i imi i fiskulturës te shkolla “Mihal Grameno”. Ai më pa duke luajtur me shkollat dhe unë isha tek ekipi i Dinamos. Shkolla jonë varej nga sektori i Dinamos. Dhe u bëra pjesë e Dinamos. Futbollin e kam nisur me para të rinjtë e Dinamos.
– Karrierën e ke nisur shumë vonë në futbollin profesionist. Fillimisht te 17 Nëntori, pastaj te Besëlidhja.
Luajta dy vite tek ekipi i Tiranës (17 Nëntori), por jo rregullisht. Nga 1976 që mbarova Mjeshtërinë Sportive deri në 1978. Pastaj ika tek ekipi i Besëlidhjes në Lezhë. Aty shkova edhe ushtar. Më doli marksizmi 6, ndërsa duhej 8. Dhe u detyrova të bëj ushtrinë. Besëlidhja ka qenë një trampolinë. Aq më tepër që u aktivizova dy vjet rregullisht dhe luajta shumë mirë atje. Pastaj erdhi ftesa nga profesor Ver Shehu.
– Pas dy sezonesh me Besëlidhjen e Lezhës, u riktheve te Tirana. Në ndeshjen e parë ke shënuar edhe gol. Ndaj cilit ekip?
Në ndeshjen e parë me Shkodrën, këtu në Tiranë, kemi fituar 2-0 dhe një nga golat e kam shënuar unë.
– Ke fituar 8 kupa me ekipin e 17 nëntorit dhe ke luajtur 10 vite rresht. A ka qenë Tirana dashuria jote më e madhe?
Sigurisht, ishte jeta jonë. Atë futboll kishim. Aq më tepër që duke parë edhe atë mbështetje tifozësh që ka pasur dhe ka akoma Tirana. Atëherë më dukej më e bukur se sot. E kujtoj si një periudhë shumë të bukur. Për mua ka qenë brezi më i mirë i futbollit të Tiranës. Ndoshta moshat e tjera kanë nostalgji për veten, por unë them që ne ishim më mirë se të tjerët.
– Me Kombëtaren ke debutuar në shtator të 1982 kundër Austrisë dhe ke luajtur 14 ndeshje. Për atë kohë, ku nuk ka pasur shumë ndeshje, nuk konsiderohen pak. Si erdhi ftesa nga Kombëtarja?
Atëherë luhej një ndeshje në vit ose në 6 muaj, ashtu ishte kalendari. Mesa kujtoj, atëherë Tirana do të luante një ndeshje miqësore me Kombëtaren dhe ne do iknim në Irlandë të Veriut, ndërsa Kombëtarja në Austri, një javë pas nesh. Unë luajta shumë mirë, edhe Çim Muça. Edhe e mundëm Kombëtaren 3-0. Por, si ne, si ekipi kombëtar ishim akomoduar te hotel “Arbana”. Kur vjen profesor Shehu dhe na thotë që ti dhe Çimi do të shkoni te Kombëtarja. Pastaj mora vesh që kishte ndërhyrë shumë presidenti i asaj kohe, Mehdi Bushati. Ai kishte dhënë urdhër që këta të dy do i merni.
– Cilin konsideron si golin më të rëndësishëm në karrierë me Kombëtaren? Kundër Polonisë, Greqisë apo Belgjikës, duke qenë se ke shënuar kundër skuadrave të mëdha europiane? Na bën dot edhe një përshkrim të shkurtër të çdo goli të shënuar me Kombëtaren?
Për mua goli në Belgjikë. Ishte një aksion shumë i bukur. Ai kundër Polonisë mund të ishte edhe rastësi.
Goli kundër Belgjikës– Një aksion i joni, topin e kishte Sul Demollari. Në atë kohë mbrojtja belge bënte shumë pozicion jashtë loje. Dhe unë e kisha qejf këtë tip loje sepse i dilja pas shpine. Sula hedh një top të gjatë, unë dribloj, dal tek për tek me portierin dhë shënoj.
Goli kundër Polonisë – Ishte një kombinim me Agustin Kolën me kokë. Ma ul topin para zonës, dhe më ngeli topi mbrapa. Instikti, ngrita këmbën dhe topi mori një parabol dhe hyri gol.
Goli kundër Greqisë – Me Greqinë e kam shënuar në Tiranë. Ka qenë krahu nga ora. Një top diagonal, një shtyllë dhe brenda. Aksion i bukur. Atë vit kam dalë golashënues i grupit me nga tre gola.
– Historia përsëritet dhe ndeshja kundër Polonisë në fazën play-off të Botërorit është një déjà vu për Shqipërinë. Ti ke shënuar dhe nëse do e fitonit ndeshjen, do kualifikoheshit në Botëror dhe do luanit në Meksikë. Si i shënohet Polonisë?
Ndeshja është pak e vështirë, por unë them se do marrim një rezultat pozitiv. Aq më tepër që janë lojtarët që luajnë thuajse të gjithë në Europë. Atëherë një ndeshje nuk e shihje dot në televizor, jo të kesh mundësi të ballafaqohesh çdo ditë me ato. Por shumica e lojtarëve luajnë jashtë, nuk besoj të ketë probleme për Kombëtaren tonë.
– Nëse do të jepej mundësia të riluaje sërish, do zgjidhje të luaje futbollin e asaj kohe apo futbollin e sotëm?
Ka një farë ndryshimi, por ai ka qenë futboll më i bukur. Tani më duket sikur është bërë futboll shumë akademik, tërhiqu mbrapa, 11 vetë. Ka ikur befasia e futbollit, siç e ka pasur futbolli gjerman, me 2–3 pasa shënonte. Këto janë raste të rralla sot.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb








