Partizani është duke kaluar një formë të shkëlqyer në ndeshjet e fundit, teksa triumfi ndaj Flamurtarit e ngjiti skuadrën në kuotën e 36 pikëve, po aq sa Dinamo e vendit të katërt, pozicion për të cilin “Demat” po luftojnë prej fillimit të sezonit. Fitorja ndaj vlonjatëve ishte e dhjeta për këtë sezon, duke konfirmuar rritjen e skuadrës në javët e fundit.
Të kuqtë po tregojnë vazhdimësi në rezultate dhe stabilitet në lojë. Nëse analizohen me kujdes fitoret, vihet re se tre prej tyre kanë ardhur me përmbysje rezultati. Kjo do të thotë se në 30% të rasteve Partizani ka reaguar pas disavantazhit dhe ka marrë maksimumin. Një tregues i qartë i forcës karakteriale të ekipit. Vlen të theksohet se të treja këto përmbysje janë arritur në epokën e trajnerit Oltijon Kërnaja. Skuadra e tij ka shfaqur shpirt gare dhe besim deri në fund. Përmbysja e parë erdhi ndaj Teutës në fazën e dytë.
Partizani ishte në disavantazh 2-0, por arriti të fitojë 3- 2. Një reagim i fortë u pa edhe në transfertën ndaj Bylisit. Në Ballsh, të kuqtë po humbnin 1-0, por e mbyllën ndeshjen me fitoren 1-2. E njëjta situatë u përsërit edhe ndaj Flamurtarit. Vlonjatët kaluan të parët në avantazh në pjesën e parë. Megjithatë, në pjesën e dytë, Partizani rriti ritmin dhe përmbysi rezultatin. Sfida u mbyll 1-2 në favor të kryeqytetasve duke marrë pikë të rëndësishme në garën për vendin e katërt. Statistikat tregojnë një skuadër që di të reagojë në momentet e vështira.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









