Java e 11-të e Kategorisë së Parë dhuroi rezultate mjaft interesante, duke e bërë garën edhe më të fortë. Drejtoria Teknike e Federatës së Futbollit ka përzgjedhur formacionin më të mirë të javës së 11-të, me skemën 1-3-5-2, ku spikat portieri Da Silva i Orikut, i cili me pritjet e tij ishte vendimtar në sfidën ndaj Kukësit.
Në rreshtimin me tre në mbrojtje janë përzgjedhur Telushi i Orikut, Nurudeen i Besës dhe Wallace i Korabit. Në krahë janë Prengaj i Besës dhe Hodo i Bylisit, ndërsa në qendër të mesfushës bëjnë pjesë Trashi i Besëlidhjes, Pjeshka i Flamurtarit dhe Okoli i Pogradecit.
Formacioni i javës kompletohet nga Chinwendu i Pogradecit dhe Hila i Besëlidhjes, të cilët janë pozicionuar në majën e sulmit. Trajneri më i mirë i javës është përzgjedhur Mirel Josa, i cili me Besëlidhjen arriti të mposhtte Ilirinë.
Ndërkohë, goli më i bukur i javës është përzgjedhur ai i Ergi Hodos, i cili shënoi golin e dytë të Bylisit në fitoren ndaj Flamurtarit, në sfidën e luajtur të hënën.







