Barça i përgjigjet Realit, thyen me “manita” Sevilla-n duke ruajtur kreun e La Liga-s, +4 në raport me rivalët e tyre të përjetshëm. Kapiteni Raphinha ishte në një mbrëmje të madhe, me brazilianin që realizoi një “tripletë” golash.
Në minutën e 9-të ishte perfekt, duke finalizuar me “panenka” një penallti. Në të 21-tën, Barça fitoi një tjetër penallti, me brazilianin që u tregua sërish i saktë duke dyfishuar shifrat. Ekipi i Hansi Flick ushtroi një presion asfiksues në zonën e Sevilla-s dhe në minutën e 38-të ishte Dani Olmo që nga një penallti në lëvizje, goditi saktë duke trefishuar shifrat. Sevilla u përpoq të rikthehej në lojë teksa në limitet e pjesës së parë ngushtuan shifrat në 3-1.
Historia e këtij takimi nuk ndryshoi as në fraksionin e dytë, me Raphinha-n që bëri sërish protagonistin, ku në minutën e 51-të gjeti dhe një devijim të lehtë duke dërguar topin në rrjetë. Nëntë minuta më pas ishte radha e Cancelo-s, me anësorin portugez që finalizoi një aksion personal shumë të bukur. Ashtu si në pjesën e parë, edhe në fraksionin e dytë, në limite, Sevilla gjeti sërish rrugën e rrjetës duke sigluar shifrat finale në 5-2.
Kjo ishte një mbrëmje e bukur për Hansi Flick, jo vetëm për faktin që ekipi i tij doli me 3 pikë, por në këtë sfidë u rikthyer në fushë pas një mungesë të gjatë edhe Gavi: “Jemi shumë të lumtur për këtë fitore, por mbi të gjitha për rikthimin e Gavi-t. Për të është një hap i rëndësishëm. Ishte momenti i duhur për ta aktivizuar”, u shpreh ndër të tjera Hansi Flick.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb








