Kosova ka nisur sot përgatitjet për ndeshjet e “play-off”-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026, duke e përqendruar të gjithë vëmendjen te përballja gjysmëfinale kundër Sllovakisë, pasi vetëm me fitore në këtë sfidë sigurohet finalja e madhe.
Seanca e parë stërvitore u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku Dardanët u paraqitën me intensitet të lartë dhe qasje profesionale, duke dëshmuar qartë vendosmërinë për këtë sfidë me peshë të madhe.
Në stërvitjen e parë, përzgjedhësi Franco Foda kishte në dispozicion 19 futbollistë, ndërsa 6 futbollistët që kishin ngarkesë më të madhe nga ndeshjet e fundjavës me klubet e tyre, punuan sipas një programi të diferencuar në palestër.
Meqenëse koha për t’u përgatitur për ndeshjen në Bratisllavë është shumë e shkurtë, përzgjedhësi Foda dhe stafi teknik ka hyrë menjëherë në detaje të organizimit të lojës, me theks të veçantë në aspektin taktik, në funksion të përballjes së suksesshme kundër sllovakëve.
Brenda grupit mbizotëron një atmosferë serioze pune, e karakterizuar nga disiplina, përqendrim dhe besimi për të arritur rezultat pozitiv.
Seanca e radhës stërvitore do të mbahet nesër në orën 11:00, sërish në stadiumin “Fadil Vokrri”.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb







