Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, ka përcaktuar listën me 23 emra të cilët do të jenë të gatshëm për të luajtur ndaj Polonisë, të ndarë mes formacionit titullar dhe pankinës. Dhe duket se trajneri ka vendosur një “bast të madh” për fatin e kësaj ndeshje, duke zgjedhur të luajë me pak alternativa në sulm.
Nga lista me 23 lojtarë që do të jenë në protokollin e ndeshjes, trajneri ka vetëm 6 lojtarë të mirëfilltë ofensiv për repartin e avancuar. Dhe duke pasur parasysh si luan Shqipëria, në rastin më të mirë do të jenë tre prej tyre si titullarë. Silvinjo pritet të zgjedhë tre mes Bajramit, Brojës, Hoxhës, Mehmetit, Muçit dhe Uzunit për emrat në repartin e avancuar. Tre të tjerët, do të jenë në pankinë për t’u aktivizuar në pjesën e dytë, zakonisht në ato që cilësohen si zëvendësime “kokë më kokë”.
Kjo praktikisht do të thotë se nuk ka Plan B, pasi janë lënë jashtë 23-shes alternativa që mund të shtonin forcën sulmuese të ekipit, si Asani apo Gripshi, të cilët do të jenë spektatorë në tribunë për duelin e sotëm. Zgjidhja që i mbetet Silvinjos, në rast emergjence apo në një ndryshim shumë pak të mundshëm të skemës, do të ishte aktivizimi i Balliut dhe Mitajt të avancuar në krahë, duke pasur parasysh se vendi i tyre në prapavijë ka alternativa të mjaftueshme.
Trajneri ka grumbulluar 9 mbrojtës për këtë sfidë, duke parashikuar që të ketë edhe alternativa për zëvendësuesit në prapavijë, edhe pse zakonisht mbrojtja është reparti që preket më pak gjatë një ndeshje futbolli.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









