Ndërsa finalja e madhe e së shtunës po afron, dinamika brenda shtëpisë së “Big Brother VIP Albania” po bëhet gjithnjë e më e tensionuar, me aleancat që duken më të brishta se kurrë. Pas një rrugëtimi të gjatë prej 120 ditësh, banorët ndodhen në fazën më vendimtare të lojës, ku çdo deklaratë dhe veprim merr peshë të veçantë.
Së fundmi, një bisedë mes Rogertit dhe Selinit ka nxjerrë në pah dyshime të forta mbi strategjinë e Mirit. Në një moment reflektimi, Rogerti u shpreh hapur për mënyrën se si e percepton lojën e tij, duke thënë: “Kjo ka qenë loja e Mirit që 120 ditë këtu brenda. Ne kemi luajtur si top futbolli me Mirin.” Ai shtoi se në këtë fazë të fundit është e domosdoshme që të jenë më të kujdesshëm, pasi gjithçka mund të ndryshojë në pak ditë.
Më tej, Rogerti hodhi dyshime edhe mbi sinqeritetin e Mirit në raport me Nikol, duke pretenduar se ka vënë re sjellje të paqarta dhe të koduara. Sipas tij, Miri i drejtohej Nikol me pyetje të paqarta si “A je dakord për atë gjënë?”, pa dhënë asnjë shpjegim konkret. “Prandaj unë Mirit nuk i kam besuar fare. Kam shkuar disa herë në Dhomën e Rrëfimit duke thënë se une atij nuk i besoj, se nuk i besoj mor vlla!”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, edhe Selin reagoi ndaj një pretendimi të Mirit, i cili kishte deklaruar se ajo e kishte parë atë me një “23-vjeçare”. Ajo e mohoi kategorikisht këtë, duke e cilësuar si një përpjekje për të krijuar situata të pavërteta.
Finalja tashmë është ngushtuar mes katër konkurrentëve: Selin, Mateo, Miri dhe Rogert. Mbetet për t’u parë nëse strategjia e ndërtuar gjatë këtyre muajve do të shpërblehet, apo nëse zhvillimet e fundit do të ndryshojnë rrjedhën e lojës në natën finale.









