7 gola të shënuar, përmbysje, spektakël pa fund mes dy ekipeve legjendare, karton i kuq dhe kaos, në fund ishte Bayern Munich që “fluturon” në fazën gjysmëfinale të Champions League. Gjigandët gjerman triumfuan edhe në ndeshjen e kthimit, “thyen” 4-3 Real Madrid në një ndeshje kartolinë, në një nga përballjet më të bukura në vitet e fundit. Reali largohet me shumë mllef dhe me protesta të forta, në sytë e tyre gjyqtari i takimit gaboi me kartonin e kuq për Camavinga.
Nga engjëll në “Bernabeu”, Manuel Neuer bëri djallin në “Allianz Arena”, me kapitenin që e nisi sfidën me një gafë të pabesueshme, ku pa u mbushur mirë minuta e parë, në përpjekje për të hapur lojën i dhuroi një asist të pastër Arda Guler, me yllin turk që nuk fali duke realizuar një super gol. Festa nuk zgjati shumë, pasi 5 minuta më vonë, gjatë zhvillimeve të një goditje këndi, Pavlovic me kokë barazoi shifrat në 1-1.
Reali vërtetoi edhe një herë pse janë “mbretër” në Champions, edhe kur nuk janë në ditën e tyre më të mirë të fusin frikën, si në minutën e 29-të, ku Arda Guler, këtë herë nga një goditje dënimi realizoi një tjetër gol spektakolar, këtë herë duke e dërguar topin në trekëndësh, së bashku me Neuer në rrjetë.
Tifozët e Bayern filluan duke përjetuar makthe, por në minutën e 38-të, ai që më pak pritej, Upamecano futi një top perfekt në zonë për Harry Kane, me “bomberin” anglez që nuk fali duke barazuar shifrat në 2-2. Spektakli në “Allianz Arena” nuk kishte fund pasi në minutën e 42-të, Kylian Mbappe depërtoi deri në zemër të mbrojtjes, i vetëm përballë Neuer këtë herë mposhti kapitenin duke kaluar edhe një herë Realin në avantazh.
Në fraksionin e dytë, dy trajnerët, Kompany dhe Arbeloa ndërhyn në formacion, me trajnerin e Realit që hodhi në fushë edhe Camavinga-n. Mesfushori francez ndryshoi totalisht balancat e këtij takimi ku në minutën e 86-të, u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, një episod që tërboi lojtarët e Realit.
Me një lojtar më shumë, tre minuta më vonë, Luis Diaz me një goditje të bukur nga jashtë zonë tundi rrjetën duke barazuar shifrat në 3-3. Festa ishte e madhe pasi ky gol i katapultonte në gjysmëfinale falë suksesit 1-2 në Madrid, por Bayern nuk u mjaftua me kaq, pasi në frymën e fundit, në sekondat e fundit të ndeshjes, Olise realizoi një super gol duke firmosur në “pokerin” e Bayern, një gol fantastik për t’i bërë një mbyllje spektakolare këtij takimi.
Reali largohet mes tensionit, ku Arda Guler u ndëshkua me karton të kuq për protesta ndaj gjyqtarit të takimit, ndërsa tifozët e Bayern festuan gjatë, por tani duhet të bëjnë llogaritë me PSG, kampionët në fuqi të Champions League.
Ashtu siç pritej, në Spanjë, mediat kapen pas kartonit të kuq të Camavinga: “Çfarë padrejtësie”, shkruan Marca në faqen e parë.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb








