• Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti
Nuk ka rezultate
View All Result
  • Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti
Nuk ka rezultate
View All Result
Nuk ka rezultate
View All Result

Presidenti Duka bashkëbisedim me gazetarët: Nga trajneri i Kombëtares te sfidat & reformat. Futbolli kërkon mbështetje reale

17/04/2026
Presidenti Duka bashkëbisedim me gazetarët: Nga trajneri i Kombëtares te sfidat & reformat. Futbolli kërkon mbështetje reale

Presidenti i FSHF, Armand Duka zhvilloi mesditën e sotme një bashkëbisedim me gazetarët, ku iu përgjigj të gjitha pyetjeve lidhur me çështje të ndryshme.

Nga ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, kreu i qeverisë së futbollit foli për ecurinë dhe arritjet e Kombëtares, të ardhmen e trajnerit Silvinjo dhe diskutimet me të, si edhe emrat që mund ta pasojnë nëse nuk do të ketë një dakordësi.

Presidenti Duka foli edhe për ligjin e sponsorizimit, klubet e Abissnet Superiores, nivelin e futbollit, tifozët, punën për finalet e kampionatit Euro U-21, infrastrukturën, marrëdhëniet me KOKSH dhe arbitrimin.

 

– Si e keni parë vitin 2025 të Kombëtares? Çfarë do të ndodhë me trajnerin e Kombëtares?

 

– Padyshim që prisnim më shumë dhe, sipas meje, edhe meritonim më shumë. Me atë që dhamë në fushë në Poloni, kompeticioni në përgjithësi ka qenë i mirë, në total. Kualifikueset në grup, padyshim që kanë pasur edhe ndeshje në të cilat nuk kanë qenë në pritshmëritë tona. Gjatë rrugëtimit të kualifikuesve kishte paraqitje shumë të mira ndaj kundërshtarit direkt, se ishte objektivi ynë për të qenë të dytët në grup, ndërsa kemi vuajtur me Letoninë.

Me Anglinë, shumë skuadra në Europë kanë të vështirë të kenë performancë të mirë, por për 70 minuta në “Air Albania” performanca ishte mirë. Kualifikueset për mua ishin të suksesshme. Për ta shtyrë pak më tej e për ta lidhur me trajnerin e stafin e ekipit kombëtar, janë më të mirat e historisë. Në Europian ishim të parët në grup, në Botëror të dytët, që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Padyshim që dëshironim dhe e kishim ëndërr të shkonim në Botëror. Mund të shkonim nga ajo ndeshje, të paktën ta provonim atë ndeshje në Stokholm, por fati nuk na buzëqeshi.

Por, duke u nisur nga kjo lloj mini-analizë, unë kam biseduar me trajnerin e ekipit kombëtar menjëherë pasi jemi kthyer nga miqësorja torturuese me Ukrainën, sepse të gjithë ishim të plagosur, ne më shumë se Ukraina, se ata nuk e kishin ndjerë sa ne. Dhe i kam thënë të njëjtat gjëra, që sipas meje rrugëtimi juaj i këtyre viteve është pozitiv. Por një trajner e ndjen vetë dhe duhet ta ndjejë vetë. Një profesionist e ndjen vetë nëse mund ta udhëheqë një skuadër. Ky është një pozicion që të konsumon. Futbollistët që nuk aktivizohen apo nuk thirren nuk janë shumë të lumtur dhe të ruash ato balanca, të kesh fuqi e akoma energji, e ndjen më shumë ai që është në drejtim.

E kam pyetur si e ndjen veten, nëse e udhëheq përsëri këtë skuadër apo jo. E kam detyrim që të jem transparent dhe po i them bisedat siç i kemi bërë me trajnerin. Ai më ka pyetur: “Si e mendon ti?”. Në këndvështrimin tim i kam thënë që ke energji akoma. Ai do të marrë kohë për ta menduar dhe për të më dhënë përgjigje. Kjo nuk do të thotë që, nëse thotë po, ne do të vazhdojmë, pasi ne do t’i ofrojmë kushtet e një kontrate të re pas korrikut. Por ne këtë gjë do ta vendosim para ndeshjeve të qershorit nëse ne do të vazhdojmë me të njëjtin trajnerin, pra varet nga të dyja palët, apo do të vazhdojmë me një tjetër.

 

– Kontrata 6-mujore, vendim i juaji apo kërkesë e trajnerit?

 

– Mbase kontrata që në fillimin e saj duhej të ishte deri në mars, në përfundim të ndeshjeve të play-off, por duke qenë se ne kishim rënë dakord për këtë kontratë dhe ajo skadonte deri në nëntor dhe ne u kualifikuam në nëntor, nuk mund të bënim kontratë deri në mars, se do të ishte demotivuese edhe për skuadrën. Skuadra, nëse do të shihte një trajner që i mbaron kontrata më 31 mars, ne do t’i jepnim një mesazh që nuk shkojmë në Botëror, ndërsa ne donim të përçonim një mesazh që ne do të shkojmë në Botëror dhe kontrata e trajnerit është deri pasi të përfundojë Botërori.

Diferencat janë shumë të vogla dhe përgatitja psikologjike, besimi te fitorja është ndër gjërat më të rëndësishme. E para është të bindësh veten që mund të arrijmë e pastaj ta përçojmë te të tjerët. Këtë frymë jemi munduar të transmetojmë te ekipi dhe ambienti.

Dikush mund të thotë që ndihemi të zhgënjyer, sepse na the që do të shkojmë në Botëror, por pa e transmetuar këtë lloj energjie është vështirë ta arrish. Nuk besoj se kemi bërë keq, sepse siç e kemi parë në fushën e lojës, ishim vërtetë afër për ta arritur. Pra, motivi që kontrata ka qenë deri në qershor ka qenë ky, për të dhënë një mesazh që do të jemi në Botëror.

 

– Trajner shqiptar në krye të pankinës kuqezi?

 

– I kam ofruar realisht të paktën një herë postin e drejtuesit të Kombëtares një trajneri shqiptar, i cili ka qenë Besnik Hasi. Në momentet e fundit, kur ishim në prag të finalizimit të kontratës, Besniku u tërhoq se i ofruan që të ishte trajneri i Anderlehtit. Më pas, në të gjitha rastet padyshim që e kam menduar dhe padyshim përsëri e mendoj, por do të shohim.

Por e para është që i kam ofruar trajnerit aktual që të shprehë mendimin e tij nëse e ka vullnetin, energjinë e dëshirën për të vazhduar. Por pastaj janë edhe kushtet, nëse kënaqin palët. Kjo gjë do të ndodhë para se të bëhen ndeshjet miqësore të qershorit.

 

– Ligji i sponsorizimit, deri në çfarë pike janë bisedimet me qeverinë?

 

– Kam bindjen, por kështu në fakt është realiteti, që pa një lloj incentive, një mbështetje, futbolli në Shqipëri ka vështirësi financiare dhe do të ketë vështirësi financiare. Vështirësi financiare jo vetëm në nivelet profesioniste, në kategoritë superiore, por edhe në futbollin e bazës. Është shumë e vështirë që pa një lloj incentivimi të zhvillohet.

Ne e kemi filluar diskutimin, betejën, luftën për ligjin e sponsorizimit 8 vite më parë, akoma jemi në të njëjtën situatë. Unë nuk jam në gjendje të them që do të bëhet. Premtimet kanë qenë vit pas viti që do të bëhet. Kemi bërë shumë takime, negociata, diskutime, së fundmi edhe me Ministrin e sportit, edhe pas Asamblesë, para 10-15 ditësh, për të parë detajet e draftit. Qeveria në fakt e ka bërë një draft, e ka dërguar për diskutim publik, është bërë një lloj diskutimi publik. Ne kemi bërë vërejtjet tona, padyshim që kemi shumë vërejtje për atë draft. Shpresoj që është në fazën finale, shpresoj të merren parasysh vërejtjet që ne kemi bërë.

Ne kërkojmë të jetë një ligj funksional, një ligj i cili vërtetë ndihmon dhe mbështet sportin, sepse në fund të fundit ky është një vullnet politik, nëse ne duam apo nuk duam ta zhvillojmë sportin. Përderisa ky vullnet është shprehur, teknicienët duhet të gjejnë rrugën. Ligji has një kundërshtim të madh nga Ministria e Financave.

Për mua është një kundërshtim absurd, sepse mendohet se ku do të shkojnë lekët. Këto lekë do të shkojnë te fëmijët tanë që do të luajnë futboll. Përderisa nuk shkojnë në mënyrë direkte nëpërmjet buxhetit, në një lloj mënyre, në finale të gjithë lekët do të dalin nga taksat tona dhe buxheti i shpërndan.

Për t’i bërë shpërndarje direkte nga buxheti për sportin kemi një histori 36-vjeçare që nuk ka ndodhur, kështu që i vetmi mekanizëm mbetet ligji i sponsorizimit. Uroj që të jemi në finalizimin e tij, por nuk mund të flas me bindje, sepse jam kërkuesi i saj dhe jo vendimmarrësi.

 

– Sa kohë do të presësh për të marrë vendimin për trajnerin e Kombëtares?

 

– Do të pres shumë pak. Oferta e parë do t’i jepet Silvinjos dhe, nëse nuk do të finalizohet, padyshim që do të fillojmë të njëjtin proces dhe nuk do të thotë që në kokën time nuk i kam disa emra.

 

– A jeni dakord me vendimet e trajnerit Silvinjo gjatë kualifikueseve?

 

– Unë në fakt nuk jam dakord asnjëherë me vendimet e trajnerëve pas lojës. Gjithmonë kam mendimet e mia, por nuk jam specialist futbolli që mendimet e mia janë të drejta apo të vërteta. Në fund merret vendimi nëse është trajneri i përshtatshëm duke i përmbledhur vendimet dhe selektimet e trajnerit.

Këtë analizë e kemi bërë, duke qenë në përgjithësi jo 100% dakord me çdo gjë, qoftë teknike ose njerëzore, i kam thënë që ka të metat e tij siç i kam dhe unë. Në përgjithësi bilanci është pozitiv, prandaj ne i kemi ofruar për të vazhduar.

Pastaj, nëse unë jam dakord, nëse duhet të ishte Bajrami ose Uzuni, apo ndryshe, apo duhet të ishte apo jo Ajeti që uroj të shërohet sa më shpejt, por mund të ishte Ismajli, këto janë vendime personale.

 

– Në të gjithë botën ka pasur disa diskutime në lidhje me agjencitë që përzgjedhin dhe menaxhojnë lojtarët, ju si e mendoni?

– Shiko këto janë gjëra që nuk ndodhin për herë të parë te ne. Janë diskutime që bëhen rëndom. Ne duhet të shohim vendimet, jo paragjykimet. Unë kam vlerësim pozitiv për trajnerin.

E përjashtoj plotësisht akuzën nga ndonjë që mund të bëhet. Selektimet e tij kanë qenë objektive.

Unë nuk mendoj se të gjithë që jemi këtu, apo të gjithë tifozët tanë që na mbështesin nëse do të bëjnë listën e ekipit kombëtar nuk do të ndryshojnë më shumë se 5 përqind nga secili nga ne. Nuk kam asnjë lloj mendimi të tillë.

 

– Keni pasur një takim me Besnik Hasin pasi ditët e fundit ka qenë në Tiranë?

 

– Të jem i sinqertë, nuk e di. Realisht ngarkesa ime e këtyre ditëve ka qenë e madhe dhe nuk e di. Kam takuar disa ish-futbollistë këto ditë, por Besnikun jo. Pa e mbyllur këtë gjë nuk mund të fillojmë biseda me të tjerë. Edhe pse ka refuzuar, sigurisht që po. Kjo nuk është martesë, është profesionalizëm.

 

– A do të ndryshojë skema në kampionatin shqiptar, jo vetëm në Abiisnet Superiore, por edhe në Kategorinë e Parë?

 

– Për kampionatet profesioniste të kategorisë Abissnet Superiore, Kategoria e Parë dhe e Dytë, padyshim që kemi diskutuar shumë herë. Në çdo kampionat, në përfundim të çdo kampionati duke parë të gjitha statistikat, pra është bërë një analizë. Kemi bërë dhe një aktivitet në FSHF, ku Drejtori i Garave ka dhënë të gjitha statistikat e kampionatit, negative dhe pozitive, formula me 10 skuadra.

Realisht është një kampionat i fortë. Kjo nuk do të thotë që unë po them se është një kampionat me nivel shumë të lartë, apo një kampionat shumë i bukur si në 5 kampionatet më të mira të Europës, por është i fortë, me konkurrencë, i paparashikueshëm ku vendi i fundit mund të fitojë me vendin e parë. Karakteristikat e këtij kampionati janë diferencat me pikë të vendit të parë dhe të fundit, nuk janë shumë të mëdha, si për shembull në disa vende të tjera me të njëjtin numër ekipesh.

Shpesh thonë që duhet t’i shtojmë skuadrat, me të drejtë sepse ka disa qytete të mëdha me traditë, histori, kontribut në futbollin shqiptar të cilat janë jashtë. Por, në një qytet apo klub që nuk është i organizuar, nuk investohet, nuk është i interesuar, jo me 10-të bëje me 12-të, 14-të apo 16-të, prap do të mbesë jashtë. Sepse kështu është ekonomia e tregut.

Edhe në botë ka shumë ekipe me traditë që luajnë në kategorinë e parë, ose kategori inferiore, e njëjta gjë edhe këtu. Arsyeja se pse ne duhet të vazhdojmë me 10-të skuadra është sepse ky kampionat është i fortë dhe e shton interesin e skuadrave për pikë. Pothuajse deri në javën e fundit, askush nga skuadrat nuk ka mundësi të tolerojë një skuadër tjetër dhe kjo është e rëndësishme për ne.

Përveç kësaj, financat aktuale që janë në dispozicion për futbollin nuk të japin premisa për të pasur më shumë skuadra. Në kushtet aktuale, siç jemi sot, duke pasur katër skuadra që shkojnë në Europë. Pikërisht kampionati bëhet akoma më i fortë, sepse dalin dy nga kategoria, e treta shkon në play-off dhe katër në Europë, nuk krijohet hendeku i mesit që do ta prishte kampionatin.

Ne jemi dëshmitarë që ka ndodhur më parë me 12-të, 14-të apo 16-të skuadra. Ky kampionat nuk të le mundësi për kompromis dhe kjo është e rëndësishme. Në këto kushte, në këtë situatë, me këto financa që kemi, pa një ligj sponsorizimi do të vazhdojmë me 10 skuadra në superiore dhe në 12 në Kategorinë e Parë.

 

– Për performancën e arbitrimit këtë sezon, çfarë komenti keni?

 

– Duhet të themi sa të kënaqur jemi të gjithë në totalin e aktivitetit, jo nga një episod, jo nga një ndeshje, jo nga një fragment. Padyshim që ka gabime. Unë jam i pakënaqur edhe me arbitrin e Real-Bayern, që nxori me karton të kuq, sepse isha me Realin dhe jo me Bayernin (qesh). I pakënaqur jam, por gjithsesi, nuk di të them si ishte vendimi, i drejtë apo i padrejtë.

Ka gabime, por në përgjithësi niveli nuk është më i lartë se futbolli, por në të njëjtin nivel me futbollin. Nuk ka gabime që e deformojnë garën, nuk besoj se të paktën edhe në histori, por edhe në kampionatin aktual, skuadra që meritojnë të renditen më lart, por janë renditur më poshtë për arsye të gabimeve arbitrare.

Te vendimi i një ekipi për bojkot apo të një individi, bojkoti është gjëja më e keqe, sidomos në lojën e futbollit, në lojën tonë. Bojkoti është i keq mbase në të gjitha fushat e jetës, por sidomos në lojën tonë. Pa thënë nëse bojkoti vjen nga një vendim i padrejtë apo i drejtë, bojkoti është i dënueshëm.

Sjellja e komisioneve të FSHF me bojkotin nuk ka qenë shumë korrekte në disa raste dhe kjo e ka bërë që të shfaqet në kampionatin e fundit, në të paktën 3 raste në memorien time. 80% e klubeve kanë kërkuar që të jemi më të rreptë me bojkotin, kjo mund të na shkatërrojë më shumë. Në rregulloren e kampionatit të ardhshëm, mbase duhet të ketë më shumë vëmendje nëse ka raste të tilla.

 

– Rezultate e ekipeve Kombëtare të moshave, sa i kënaqur jeni?

 

– Impenjimi për ekipet kombëtare, vajza dhe djem është maksimal. Aktivitetet që bëhen për të arritur deri te ndeshjet kualifikuese janë jashtëzakonisht voluminoze, të shpeshta. Programi “Step by Step” që ndjek zhvillimin e futbollistëve që nga moshat e vogla. “Elite Youth Academy” që kemi dy vite që e kemi filluar.

Jemi nga të paktat federata që kemi një akademi elitë të federatës. Grumbullime, ndeshje miqësore, grumbullime jashtë vendit dhe rezultati nuk është gjëja e vetme në ekipet Kombëtare, por ajo çfarë ato mund të prodhojnë që të dërgojnë më lart. Zinxhiri realisht ka prodhuar, por ndonjëherë kemi memorie të shkurtër. Themi që ekipi Kombëtar nuk ka futbollistë nga Shqipëria, ekipi Kombëtar nuk ka futbollistë nga moshat, por pothuajse shumica janë nga moshat dhe pothuajse gjysma e tyre janë nga Shqipëria dhe disa të dalë nga kampionati shqiptar.

Ne nuk i mbyllim derën, madje qëndron gjithnjë e hapur për talentët që rriten jashtë vendit, sepse kemi të drejtë dhe detyrim që t’i ofrojmë atyre mundësinë për të dhënë kontribut për ekipin kombëtar. Rezultatet pavarësisht se nuk janë objektivi kryesor, janë një gjë pozitive për t’u zhvilluar, sepse futbollisti me rezultat pozitiv zhvillohet akoma më shumë. Nuk mendoj njëlloj si ty që janë negative, por nuk janë më të mirat e mundshme.

Në kualifikueset e fundit të U-19 e mbylli me një fitore, një humbje dhe një barazim, në një grup shumë të fortë. Duhet ta kishte fituar edhe ndeshjen e fundit me Norvegjinë, por humbën edhe një penallti. Te vajzat gjithashtu, duhet të jemi realistë se nga ku kemi ardhur, ku kemi filluar, sa mundësi kemi.

Futbolli i vajzave ka filluar që në 2008-ën dhe sot duke u ngjitur në nivel, duke luajtur në Ligën B në Nations League, apo në elitë me të rinjtë, padyshim që rezultatet bëhen edhe më të mira. Ne fituam turneun e kaluar me vajzat e reja në Shqipëri dhe tashmë luajtëm kundër tre skuadrave shumë të forta që në fakt nuk jemi në të njëjtin nivel, pra rezultatet në fakt janë të kënaqshme dhe prodhimi nuk është i keq.

 

– Çfarë duhet të bëjmë ndryshe që të rikthehen tifozët në stadiume në ndeshjet e kampionatit?

– Duhet të kemi një organizim më të mirë të klubeve. Jo se nuk duan klubet, por mundësitë financiare janë të kufizuara dhe këtë duhet ta pranojmë. Kjo lidhet me ligjin që ne diskutuam, që e kanë konkurrentët tanë dhe ne nuk e kemi. Duhet një iniciativë që të fillojë dhe të prodhojë të ardhura vetë, të zhvillohet vetë një klub futbolli. Për mua kjo është e para.

E dyta lidhet me ndryshimin e infrastrukturës në Shqipëri. Infrastruktura sportive në Shqipëri i ka mbetur si një detyrë Federatës së Futbollit, në një kohë që nuk është detyrë e Federatës së Futbollit. Pa dyshim që me mundësitë e veta mund të bëjë investime dhe ka bërë fusha futbolli, por jo aq sa duhen në Shqipëri. Ne kemi sot një fushë futbolli për 18 mijë banorë, kur vendet e ngjashme me ne kanë një fushë për 3000 apo 4000 banorë. Kemi ndryshuar shumë, jemi zhvilluar shumë, e kemi përmirësuar shumë infrastrukturën e futbollit të luajtur, ne e kemi më të mirë se rajoni, por nuk kemi numrin e nevojshëm të fushave të stërvitjes, ku do të kishim më shumë masivitet dhe më pas më shumë kualitet. Këto janë ato që duhet të bëjmë mirë.

Infrastruktura do vëmendjen e pushtetit qendror dhe pushteteve vendore. Nuk mjafton që të vijnë të gjithë në FSHF dhe të këkrojnë një fushë futbolli, pasi nuk mundet Federata që të bëjë fusha aq sa i duhet vendit tonë, sa i duhen të rinjve dhe fëmijëve tanë për të luajtur. Për të mbushur stadiumet rezultati dhe niveli është i rëndësishëm. Kur një klub ka rezultat të mirë, si dhe Kombëtarja Shqiptare, tifozët vijnë më shumë, por nuk është i vetmi faktor që ndikon në numrin e spektatorëve në stadium, pasi ne shohim dhe në Gjermani, në kategorinë e pestë stadiumi është plot.

Nuk besoj se në nivelin e pestë në Gjermani niveli është më i mirë se në Kategorinë Superiore në Shqipëri. Duhet e para organizim më i mirë, promovim më i mirë, kushte më të mira, akomodim më të mirë, më pak ultras dhe më shumë mbështetës. Këto të gjithë bashkë duhet t’i bëjmë pasi është detyrë e klubeve dhe e federatës që ta promovojë më mirë atë kompeticion që unë thash e kemi në futboll. Nuk është vetëm niveli ai që i sjell spektatorët në shkallët e stadiumit.

 

– Me cilat Kombëtare jemi në tratativa për miqësoret e muajit qershor dhe a ka gjasa që të luajmë një vëllazërore me Kosovën?

 

– Ne do të luajmë dy ndeshje në qershor. Nuk i kemi mbyllur ende kontratat. Po thuajse kemi rënë dakord për të luajtur me Luksemburgun në Tiranë. Jemi në bisedime me disa ekipe të tjera për ndeshjen tjetër. Me shumë gjasa edhe ndeshja tjetër do të luhet në Tiranë. Mund të luajmë me Kilin, Danimarkën ose një skuadër tjetër. Nuk kemi biseduar me Italinë apo Kosovën që është përmendur.

 

– Janë tërhequr projektet për stadiumet e reja që ishin planifikuar për t’u bërë në disa qytetet të Shqipërisë. Si e shihni këtë tërheqje të investimeve për stadiumet më shumë se sa ndoshta projekti 100 fushat? Jeni partizani i stadiumeve apo i fushave të reja

– Infrastruktura e zhvillimit të aktiviteteve profesioniste nuk është e keqe. Besoj edhe nëse do kishim 4-5 apo 15 stadiume të tjera do ishte dhe më mirë. Projektet e nisura në Korçë, Vlorë, Durrës dhe “Selman Stërmasi” në dijeninë time janë në proces dhe vazhdojnë. Ato çfarë na janë kërkuar ne nga pikëpamja sportive i kemi plotësuar me kohë dhe i kemi dërguar, kështu që uroj të vazhdojë. Janë zvarritur pak, por më duket se “Selman Stërmasi” do të vijojë punë këtë vit, pasi jemi interesuar nëse do e kishim si një opsion për stërvitjen e ekipeve të kampionatit europian U-21 dhe na është thënë që do vijojë puna.

Nëse jam ‘partizan’ i fushave apo stadiumeve? Sot vendi ynë ka nevojë për fusha dhe ka nevojë për fusha kryesisht në qendra më shumë të banuara siç është Tirana. Më shumë se gjysma e popullsisë jeton në Tiranë dhe këtu nuk gjen hapësira për të bërë fusha futbolli. Projekti i 100 fushave vazhdon. Ata që aplikojnë tek ne kryesisht janë në periferi dhe qytete të tjera.

Padyshim që me të drejtë futboll luhet kudo dhe ne u jemi përgjigjur atyre projekteve. Projekti ynë nuk ka asnjë lloj kufizimi dhe qoftë edhe një person privat ta marrë si nismë ne financojmë 50% të vlerës së projektit, qoftë fusha me bar natyral apo artificial. Në Tiranë, nuk ka hapësirë. Nëse do ishin brenda unazës së madhe, ne mund të financojmë dhe 100% të fushave.

 

– Thatë për gjykimin që nuk e ka deformuar garën. “Final4” do i besohet arbitrave shqiptar apo do kemi arbitra të huaj?

– Në vitet e shkuar është marrë një arbitër i huaj, për të eliminuar çdo lloj paragjykim apo mendimi, pasi ka qenë vetëm me një finale. Por këtë vit do jetë një mini-turne, jo me një finale dhe ndeshjet që nisin nga data 16 maj dhe përfundon më 31 maj në stadiumin “Air Albania” dhe do të gjykohen nga arbitrat më të mirë shqiptar. Sektori i arbitrimit do të caktojë arbitrat që do të jenë për “Final 4”, dhe ata do të zgjidhen që do të gjykojnë në VAR dhe në fushë .

 

– Nëse kemi arritur rezultatte që nuk i kemi parë më parë me ekipin Kombëtar, çfarë do të thotë për ju që klubet tona nuk po arrijnë dot që të shkojnë në grupet e kompeticioneve europiane?

– Në edicionin e fundit në kupat e Europës ka patur një lloj ndryshimi pozitiv se një vit më parë. I kemi menduar të gjitha se si ne mund të bëjmë ndryshime që edhe klubet shqiptare, që të marrin pjesë të paktën pjesë në grupet e Conference League, pasi e meritojnë.

Klubet, për arsye financiare, çdo talent që del janë të detyruar ta lejojnë që të transferohet në kampionate të tjetra. E keni parë që talentet e viteve të fundit sapo nisin e rriten shkojnë në kampionate të tjera. Ne dhe publiku njohim vetëm disa futbollistë që luajnë në nivele disi të larta, por ne kemi shumë futbollistë që dalin nga kampionati shqiptar, të cilët luajnë në Turqi, Rumani, Ukrainë, Rusi, që nëse do kishte financa më të mirë, do kontribuonin në klubet tona e do kishin rezultate më të mira në Europë.

Padyshim është një shqetësim i madh sepse përveç imazhit dhe shembujve pozitiv që krijon, do i rregullonte dhe financat pjesëmarrja në Conference League. Këtë lloj diskutimi bëmë bashkë me klubet, kur vendosëm që të lejohet një numër i pakufizuar i futbollistëve të huaj, me mendimin që do kishim rezultate pozitive. Vitin e kaluar, ishte diçka më mirë se dy vite më parë. Uroj që të jetë më mirë në këtë edicion dhe të dërgojmë skuadra në Conference League.

 

– Po afron faza finale e Kampionatit Europian të 21-vjeçarëve, do ketë më në fund Sqipëria mbase një epokë të re sa i përket stolit?

– Ne kemi kërkuar organizimin e Kampionatit Europian U-21 të vitit të ardhshëm, dhe na është miratuar. Ne duhet që të përgatisim infrastrukturën, bashkë me pushtetin vendos dhe qendror, që realisht nuk jemi në disa bashki në nivelin e pritshëm. Në Shkodër, pothuajse nuk kemi bërë asgjë, nuk kemi asnjë fushë natyrale.

Duhen minimalisht 2 fusha natyrale për të qenë një qytet ku do luhen disa ndeshje dhe do akomodohen ekipet. Në të njëjtën mënyrë kemi nisur përgatitjet me ekipin tonë, me ndeshjet miqësore, me seleksionimet, me të njëjtin staf, me të njëjtin trajner për të pasur sukses në Europianin 2027 U-21.

 

– A keni menduar ju së bashku me Kosovën, duke parë që edhe atje është rrutur niveli zhvillimin e një superkupe mbarëkombëtare mes ekipeve të Kosovës dhe Shqipërisë?

– Për të qenë i sinqertë, jo. Ajo që kemi nisur si projekt disa vite më parë, para Covid-it ishte një Kupë mbarëkombëtare, për të cilën përgatitëm edhe projektin financiar, që kërkon goxha mbështetje. Të bësh një aktivitet në futboll sot shumë formal, nuk ngjall interes nëse nuk ke për çfarë luan. Benefite financiare apo sportive.

Ky lloj kompeticioni nuk mund të ketë benefite sportive për të marrë pjesë në Kupat e Europës. Kështu që e njëjta gjë është që të ketë stimuj financiarë. Që të ketë stimuj financiarë, duhet të ketë shikueshmëri, marketing etj. Projekti që ne patëm bërë, parashikonte që të stimulonte financiarisht çdo skuadër nga kategoritë e treta në Kosovë dhe në Shqipëri, të përballoheshin shpenzimet e udhëtimeve e akomodimeve.

Fatura financiare ishte rreth 2 milionë euro në vit, gjë që nuk mund të përballohet vetëm nga ne, nga federatat. E kemi çuar këtë propozim te të dyja qeveritë, nuk kemi pasur një përgjigje edhe për arsye të Covid-it dhe nuk e kemi riaktivizuar.

Mendoj që duhet ta riaktivizojmë, por në këtë mënyrë. Të bëjmë një aktivitet që klubet të kenë interes, klubet të luajnë me futbollistët më të mirë. Sepse në një kupë pa interes, klubet mund të dërgojnë ekipin rezervë dhe aktiviteti nuk e arrin qëllimin.

 

– Ju pamë në një bisedë atipike me biznesmenin Samir Mane. Biseda ishte ndryshe për ta afruar një biznesmen të suksesshsëm. Ajo që më bëri përshtypje, ju i thatë: Ju menaxhoni mirë, nuk humbni kurrë. Unë mendoj që pika nevralgjike e klubeve shqiptare është menaxhimi i dobët, sepse blejnë nga 10 lojtarë dhe vetëm fatura. Çfarë bën FSHF që në këtë pikë, se trajnerë dhe futbollistë të mirë kemi, besoj që menaxhimi i klubeve është problem?

 

– I kemi ofruar gjithçka klubeve, vazhdojmë e i ofrojmë për përmirësimin e menaxhimit, ekspertëve të të gjithë burimeve njerëzore. Presidentin nuk e trajnojmë, por trajnojmë të gjitha pozicionet e tjera që ka një klub: menaxherial, drejtor sportiv, fizioterapist, mjek, PR, marketing, dhe këto pa dyshim që kanë sjellë zhvillimin e vet. Nuk kanë realizuar pritshmërinë maksimale, por duhet të pranojmë që klubet kanë ndryshuar shumë.

Nëse do kthesh kokën mbrapa, kanë ndryshuar, janë zhvilluar dhe duhet të vazhdojnë kështu. Federata këtë bën, përveç se i trajnon, i jep mundësi trajnimi brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Për t’u rikthyer te Samiri, mirë do të ishte mos më pyesje në publik se çfarë t’i themi që nuk fiton para në futboll? Ne na duhen biznesmenë si Samiri, duhet t’i themi ‘hajde se je menaxher i mirë dhe fiton’, dhe në fakt është i tillë.

 

– Po flitet për një ndryshim të formatit të kualifikueseve europianeve. Flitet për të implementuar formatin e Championsit, a ka ndonjë zhvillim të ri në këtë drejtim?

– Unë do të flas si President i FSHF-së, pasi nuk jam këtu për të folur si zv.president i UEFA-s. Si president i FSHF jam pjesë e interesuar e formatit. Formati nuk mund të ndryshojë pa një diskutim dhe konsensus të anëtarëve të 55 federatave.

Është bërë një organizim në grupe i federatave për ta diskutuar një mundësi të ndryshimit të formatit të kualifikueseve për vitin 2028 e në vazhdim. FSHF është në grupin e datës 23. Janë disa skema, duke përfshirë edhe skemën aktuale. Do të diskutohen me anëtarët dhe do të vendoset njëra nga ato.

 

– Një fenomen shqetësues, në lidhje me mosbesimin te gara. Ka ndodhur edhe në kampionate të tjera, ku janë dënuar ekipe dhepo bëhet e vazhdueshme. A ka ardhur në vitet e fundit në federatë ndonjë dosja për skuadrat shqiptare dhe a do jeni shumë rigoroz te kjo çështje, duke qenë se humb pak besimin e garës?

– Ka kohë fatmirësisht që ky fenomen në Shqipëri nuk ekziston, le të themi trukimi për arsye bastesh. Nëse ka tolerime në një ndeshje për arsye klasifikimi ose jo, unë mendoj që vazhdon të ketë. Shumë më pak se më parë, ka pasur për sa ka ekzistuar futbolli.

Nuk ka shqiptar që ta mendojë dhe të thotë: Shiko, ty s’të duhet, përse nuk ma lë mua. Sepse kjo është një lojë dhe duhet të luajmë. Nëse fiton, fiton. Besoj këtë mentalitet kemi. Përveçse ndryshimit të mentalitetit, kulturës që nuk varet nga ne dhe është e vështirë, janë skemat që ne bëjmë për të pasur një kampionat. Kthehemi te kampionati “Abissnet Superiore”, që t’i lëmë sa më pak mundësi për ta lënë. Sepse këtu, në momentin që ty s’të duhet klasifikimi, nuk ka njeri që nuk thotë: “Ty nuk të duhet, pse nuk ma lë”. Fenomeni i trukimit për baste në Shqipëri është zhdukur me kohë, nuk ekziston.

 

– A e keni tejkaluar ngërçin institucional me KOKSH?

– Me Komitetin Olimpik kemi probleme për arsye, sepse KOKSH nuk e ka lejuar FSHF-në të jetë pjesë e Asamblesë. Nuk është se ne kemi refuzuar, por nuk është lejuar. Dhe për këtë arsye, ne e kemi ndjekur në rrugë juridike.

E kemi ndjekur në rrugë juridike dhe kemi fituar çështjen në CAS Lozanë. Por, “Liza në Botën e Çudirave” thotë se vendimi i CAS-it të Lozanës nuk respektohet, sepse nuk do gjykata shqiptare. Në fakt, nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë as unë, as juristët që ne kemi nuk e kishin dëgjuar, po kështu ka vendosur.

 

– Federata për të ndihmuar klubet e hoqi limitin e lojtarëve të huaj në kamopionat, por në fakt duke sikur solli një efekt negativ. Janë klube që nuk deklarojnë rrogat e lojtarëve, transparencës nga klubet 100% nuk ka, që do të thotë se buxhetet e klubeve zakonisht tejkalohen. Pra, para ka por shkojnë jo në mënyrë të llogaritur mirë. A po bën gjë në këtë drejtim Federata që t’i i kontrollojë me rigorozitet edhe kur të bëhen licencimet e klubeve? Sepse ka klube që vonojnë pagat dhe kjo bëhet problem që demotivon lojtarët.

 

– Fatmirësisht nuk ka asnjë futbollist në Shqipëri që të luajë pa kontratë. Nuk ka as diferenca ngjyrash sepse sot kanë ndryshuar gjërat. Sistemet kanë ndryshuar dhe nuk pranojnë të kenë pagesa në të zezë. Sistemi i licencimit është online. FSHF dhe jo vetëm, por edhe UEFA, për të dhënë licencën e një klubi që merr pjesë në Kupat e Europës është online me sistemin fiskal, me zyrat e tatimeve në Shqipëri dhe çdo gjë shihet online.

Nëse ti ke një detyrim të pashlyer, nëse një futbollist e ka deklaruar apo denoncuar këtë detyrim, atëherë nuk licencohesh. Licencimi është i njësuar tashmë, si për kampionat ashtu edhe për kupat e Europës. Nëse një futbollist nuk paguhet apo paguhet me vonesë dhe arrin një lloj konsensusi me klubin për të vazhduar dhe pritur pagën, nuk përbën kusht për t’u penalizuar apo hequr licenca. FSHF ka dhomën e zgjidhjes së konflikteve që merret me marrëdhëniet kontraktore mes klubeve dhe futbollistëve.

Federata bën edhe ekzekutimin e vendimeve për të shlyer pagat qoftë të futbollistëve. Një lloj garanti mes palëve për ekzekutimin e vendimeve që merr dhoma. Vendimet e DHKZ janë të pakontestueshme. Në një histori 10-vjeçare ka pasur një ose dy apelime, të gjithë të tjerat të pranuara nga palët.


© BalkanWeb


Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Related Posts

Totoshi pret dhe Ibraimi vulos, dy heronjtë e Elbasanit në Kupë
Sport

Elbasani i përgjysmuar, 5 titullarë mungojnë me Flamurtarin

17/04/2026
Totoshi pret dhe Ibraimi vulos, dy heronjtë e Elbasanit në Kupë
Sport

Elbasani i përgjysmuar, 5 titullarë mungojnë me Flamurtarin

17/04/2026
Kategoria e Parë/ Publikohet formacioni më i mirë i javës së 29-të, Magani trajneri më i spikatur
Sport

Kategoria e Parë në fazën vendimtare, java e 31-të sjell përballje direkte në garën për ngjitjen në “Abissnet Superiore”

17/04/2026
Tre vite në krye të Shqipërisë, a përfundoi cikli i Sylvinho-s?
Sport

A do të vijojë Sylvinho në krye të Kombëtares? Duka zbulon bisedat me brazilian, ja kur vendoset e ardhmja e trajnerit

17/04/2026
Tre vite në krye të Shqipërisë, a përfundoi cikli i Sylvinho-s?
Sport

A do të vijojë Sylvinho në krye të Kombëtares? Duka zbulon bisedat me brazilian, ja kur vendoset e ardhmja e trajnerit

17/04/2026
Tre vite në krye të Shqipërisë, a përfundoi cikli i Sylvinho-s?
Sport

A do të vijojë Sylvinho? Duka zbulon bisedat me brazilian, ja kur vendoset e ardhmja e trajnerit

17/04/2026

Argjiroja.net është një media online e pavarur, që informon me profesionalizëm dhe shpejtësi lexuesit. Në vëmendjen tonë të veçantë janë kryesisht ngjarjet në jug të Shqipërisë, por edhe zhvillime të tjera të rëndësishme brenda e jashtë vendit.
Argjiroja.net është pjesë e NaN Studio Sh.P.K me NIPT M02012001P

Për marketing dhe çdo informacion tjetër na shkruani në adresën [email protected]

Të fundit

Presidenti Duka bashkëbisedim me gazetarët: Nga trajneri i Kombëtares te sfidat & reformat. Futbolli kërkon mbështetje reale

Presidenti Duka bashkëbisedim me gazetarët: Nga trajneri i Kombëtares te sfidat & reformat. Futbolli kërkon mbështetje reale

17/04/2026
Totoshi pret dhe Ibraimi vulos, dy heronjtë e Elbasanit në Kupë

Elbasani i përgjysmuar, 5 titullarë mungojnë me Flamurtarin

17/04/2026
  • Kryesore

© 2023 Argjiroja.net Design by NanStudio.al

Nuk ka rezultate
View All Result
  • Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti

© 2023 Argjiroja.net Design by NanStudio.al