Asgjë nuk duket se mund ta ndalë marshimin e Janik Sinerit, i cili vazhdon rrugëtimin fantastik në Internacionalet e Italisë dhe siguron kualifikimin në gjysmëfinale të turneut Masters 1000 që po zhvillohet në Romë. Italiani dominoi ndaj Andrei Rublevit në një ndeshje pa shumë histori, ku tensioni u ndje vetëm gjatë një momenti të shkurtër rënieje në setin e dytë. Në fund, Siner fitoi me autoritet në shifrat 6-2, 6-4 pas 1 ore e 31 minutash lojë.
NDESHJA Mjaftuan vetëm pak më shumë se 90 minuta që Janik Siner të konfirmonte formën e tij të jashtëzakonshme dhe të hynte në historinë e tenisit. Me këtë fitore, italiani regjistroi serinë më të gjatë të fitoreve radhazi në historinë e turneve Masters 1000: plot 32 ndeshje pa humbje, me mundësinë për ta çuar këtë rekord në 34 nëse fiton turneun. Gjysmëfinalja e pestë në Masters 1000 për Sinerin vjen pas një sezoni fantastik që e ka rikthyer në krye të renditjes botërore. Përballë Rublevit, numri 12 në botë, ai zhvilloi një paraqitje bindëse dhe dominoi nga fillimi deri në fund.
Në setin e parë, Rublev nuk arriti asnjëherë të marrë avantazhin. Siner kaloi shpejt në epërsi 3-1 dhe iu përgjigj menjëherë çdo tentative të rivalit për rikthim. Rusi provoi të reagonte dhe ngushtoi diferencën, por më pas humbi tre game radhazi dhe italiani mbylli setin 6-2 në vetëm 38 minuta. Seti i dytë ishte më i luftuar. Nxënësi i Marat Safin tregoi më shumë ritëm dhe agresivitet në lojë. Siner krijoi avantazhin 4-1, por më pas pati një moment luhatjeje që lejoi Rublevin të afrohej në vetëm një “game” diferencë, duke ëndërruar barazimin e seteve. Megjithatë, lideri botëror reagoi me qetësi dhe personalitet. Me dy “ace” dhe një “game” perfekt në shërbim, ai vulosi fitoren me rezultatin përfundimtar 6-2, 6-4 pas 1 ore e 31 minutash lojë. Falë këtij suksesi, Siner kalon në gjysmëfinale dhe bashkohet me Luçiano Darderin.
Për të dytin vit radhazi, Italia arrin të ketë dy tenistë në gjysmëfinalet e “Internazionali d’Italia”, ndërsa tifozët tashmë ëndërrojnë një finale tërësisht italiane. Në gjysmëfinale, Siner do do të përballet me rusin Danil Medvedev. Ky i fundit fitoi dje kundër spanjollit Martin Landaluce me rezultatin 6-1, 4-6, 7-5, pas një ndeshjeje shumë të luftuar që zgjati 2 orë e 24 minuta. Në gjysmëfinalen tjetër do të përballen norvegjezi Casper Ruud dhe Luciano Darderi.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









