Një punëtor 46-vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur jetën gjatë punës në një projekt për ndërtimin e rrjetit të ujërave të zeza në zonën e Shpatit, në Janinë të Greqisë.
Sipas mediave greke, 46-vjeçari, baba i dy fëmijëve, ishte duke punuar në gërmime kur një masë dheu u shemb dhe e zuri poshtë.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë ekipet e shpëtimit dhe një ambulancë e EKAB-së. Mjekët tentuan ta rikthenin në jetë përmes manovrave të reanimimit (CPR), por pa rezultat.
Policia ka arrestuar përgjegjësin e kantierit të ndërtimit, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit.
Në vendngjarje shkoi edhe një ekip i Inspektoratit të Punës në Janinë, i cili po heton shkaqet e ngjarjes dhe përgjegjësitë përkatëse.








