Johan Zarko tashmë është kthyer në Francë, pasi la spitalin e përgjithshëm të Katalonjës, ku mori trajtim pas aksidentit të rëndë gjatë Çmimit të Madh të Katalonjës në MotoGP. Francezi ka dëmtime në ligamentet e gjurit të majtë dhe ka vizituar një specialist që ka trajtuar edhe futbollistë të njohur si Kilian Mbape.
Piloti i LCR Honda tregoi për gazetën “L’Equipe” detaje nga incidenti. “Ishte më shumë frikë sesa dëmtim”, u shpreh francezi. Veterani zbuloi se ishte ende “i tronditur” nga aksidenti i parë, ai i Aleks Markezit. “Këmbën e kisha bërë vjollcë”, rrëfeu Johani. “Më vendosën akull mbi mavijosjen dhe dhimbja u qetësua disi. Pikërisht aty duhej të kisha vendosur të tërhiqesha nga pjesa tjetër e garës. Mes pamjeve të rrëzimit të Aleksit dhe goditjes në këmbën time, nuk ndihesha mirë fare. Nuk isha më i përqendruar kur u rikthyem në start. Pendohem që mora pjesë në nisjen e dytë”, pranoi piloti.
Zarko tregoi edhe mënyrën se si e përjetoi aksidentin pas nisjes së dytë në Montmelo. “U gjenda i bllokuar pas Marinit dhe nuk arrita të frenoja në kohë për ta shmangur”, shpjegoi ai. Më pas, ai mbeti i ngecur te motori Dukati i Françesko Banjajas. “U hodha bashkë me motorin e tij dhe këmba ime e majtë mbeti e bllokuar mes rrotës, sediljes dhe tubit të shkarkimit. Isha i ngecur në zhavorr, duke bërtitur nga dhimbja. Këmba më digjte dhe të gjithë ata që afroheshin kishin frikë të më preknin nga frika se mos ma përkeqësonin dëmtimin. Pastaj e tërhoqa vetë këmbën dhe më në fund arritën të më ndihmonin”, kujtoi ai.
PËRVOJË E TMERRSHME
Francezi tha se nuk kishte kaluar kurrë diçka të ngjashme. “Më imobilizuan, më hapën kostumin dhe më vendosën serum për të lehtësuar dhimbjen… Nuk më kishte ndodhur kurrë diçka e tillë dhe ishte vërtet e frikshme”, përfundoi ai. Skuadra LCR Honda bëri të ditur se, pas vizitës te doktori Bertrand Sonnery-Cottet në Lion, Zarko duhet të presë rreth dy javë përpara se t’i nënshtrohet operacionit për dëmtimet në ligamentet e gjurit. Më pas do të vlerësohen afatet për rikthimin e tij në pista.








