Ministria e Jashtme e Greqisë ka shprehur shqetësim për incidentet e ndodhura më 30 maj në Zvërnec gjatë protestës së banorëve kundër projektit turistik në zonën e Dalanit, ku sipas Athinës është plagosur edhe një shtetas grek.
Në një deklaratë zyrtare, MPJ greke njofton se Ambasada e Greqisë në Tiranë ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’i ofruar ndihmë konsullore dhe mjekësore të plagosurit, ndërsa i ka kërkuar autoriteteve shqiptare zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive. Athina thekson gjithashtu nevojën për respektimin e shtetit të së drejtës, mbrojtjen e të drejtave pronësore të anëtarëve të minoritetit kombëtar grek dhe ruajtjen e zonave të mbrojtura mjedisore, duke e lidhur këtë me detyrimet që rrjedhin nga procesi i integrimit europian të Shqipërisë.
Përplasjet ndodhën gjatë një proteste kundër ndërtimit të një resorti turistik në zonën e mbrojtur të Pishë Poro–Nartës. Protestuesit pretenduan se u përballën me punonjës të sigurisë private të kompanisë që po zbaton projektin, ndërsa në rrjetet sociale qarkulluan pamje ku shfaqen skena dhune ndaj një protestuesi. Kryeplaku i fshatit Zvërnec, Kostaq Konomi, deklaroi se një prej protestuesve u qëllua në qafë dhe humbi ndjenjat.
Policia e Shtetit deklaroi se një grup protestuesish tentoi të dëmtonte rrethimin e kantierit dhe se janë nisur procedura ligjore si ndaj dy punonjësve të sigurisë private, ashtu edhe ndaj 15 protestuesve. Nga ana tjetër, kompania “Zvërnec South Adriatic Development” dënoi aktet e dhunës ndaj pronës private dhe hodhi poshtë akuzat për dezinformim, pa komentuar drejtpërdrejt pretendimet për ushtrim dhune ndaj protestuesve.
Reagimi i Athinës vjen në një moment kur incidentet në Zvërnec kanë tërhequr vëmendjen edhe të politikës greke, ndërsa eurodeputeti Fredi Beleri ka kërkuar sqarime nga institucionet europiane lidhur me respektimin e së drejtës së protestës në Shqipëri.









