Elbasani vijon përgatitjet jashtë fushave për sezonin e ri, por deri në këto momente merkatoja e verdhebluve nuk ka hyrë ende në ritmin që pritej. Drejtuesit po punojnë në disa pista njëkohësisht, megjithatë deri tani vetëm një futbollist është bërë zyrtarisht pjesë e skuadrës.
Bëhet fjalë për sulmuesin francez me origjinë nga Kongo, Edoli Lukoki, i cili është prezantuar si afrimi i parë i verës. Futbollisti 22-vjeçar vjen nga radhët e Eindhoven, skuadër që militon në kategorinë e dytë të futbollit holandez, dhe shihet si një investim për repartin ofensiv të verdhebluve. Një tjetër emër që pritet t’i bashkohet Elbasanit është ai i Ledio Tresës.
Sipas burimeve të “Panorama Sport”, marrëveshja mes palëve është mbyllur dhe lojtari ka hedhur firmën mbi kontratë. Në këto kushte, mbetet vetëm zyrtarizimi nga ana e klubit, që pritet të vijë në ditët e ardhshme.
KOHA NUK PRET – Megjithëse bisedimet vazhdojnë, te Elbasani ekziston dëshira që afrimet të mbyllen sa më shpejt. Arsyeja është e thjeshtë: skuadra do të nisë fazën përgatitore për ndeshjet e kupave të Europës dhe stafi teknik kërkon që grupi të jetë sa më i plotë që në ditët e para të grumbullimit. Trajneri dëshiron të punojë me të gjithë futbollistët që do të jenë pjesë e projektit të sezonit të ri, në mënyrë që të krijojë sa më shpejt automatizmat dhe të ndërtojë një skuadër konkurruese për sfidat që e presin.
Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit po përpiqen të përshpejtojnë negociatat, në mënyrë që afrimet e reja të jenë në dispozicion që në fazën përgatitore dhe jo në prag të ndeshjeve europiane. Nga sa mëson “Panorama Sport”, strategjia e klubit për këtë merkato është e qartë. Elbasani nuk synon të bëjë revolucion në skuadër, por të ruajë ekuilibrat e grupit. Burime pranë klubit bëjnë me dije se raporti mes largimeve dhe afrimeve pritet të jetë pothuajse identik. Për çdo futbollist që do të largohet, drejtuesit synojnë të afrojnë një tjetër me karakteristika të ngjashme, në mënyrë që të mos krijohen boshllëqe në organikë.
Edhe repartet ku do të ndërhyhet do të varen nga lëvizjet dalëse. Nëse largohet një mbrojtës, do të kërkohet një zëvendësues në të njëjtin pozicion; e njëjta logjikë do të ndiqet edhe për mesfushën apo sulmin. Kjo strategji synon të ruajë balancat e skuadrës dhe të shmangë ndryshimet e shumta, duke pasur parasysh se grupi aktual zhvilloi një sezon pozitiv dhe siguroi pjesëmarrjen në arenën europiane.
NGËRÇI ME RINOVIMET – Një tjetër çështje që po mban pezull merkaton është ajo e rinovimeve. Deri në këto momente nuk ka shumë zhvillime konkrete me futbollistët që janë në përfundim kontrate. Sipas informacioneve, negociatat kanë hasur vështirësi kryesisht për shkak të kërkesave ekonomike të lojtarëve. Disa prej tyre kërkojnë kontrata më të larta, ndërsa klubi nuk duket i gatshëm të dalë jashtë politikës së tij financiare.
Drejtuesit e Elbasanit mbeten të vendosur për të ruajtur ekuilibrin ekonomik dhe nuk kanë ndërmend të bëjnë sakrifica të tepruara financiare vetëm për të mbajtur një futbollist. Për këtë arsye, bisedimet pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, në kërkim të një marrëveshjeje që të kënaqë të dyja palët.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









