Nga Alma Hoxha
Në kuadër të projektit “Bënja – Destinacion Ndërkombëtar Turistik”️, vijojnë punimet për rehabilitimin e zonës, përmirësimin e infrastrukturës turistike dhe organizimin e shërbimeve për vizitorët, duke ruajtur dhe promovuar vlerat e saj unike natyrore.
Është e rëndësishme të theksohet se zona ndodhet aktualisht në proces rehabilitimi dhe punimet nuk kanë përfunduar ende. Për këtë arsye, pamje të caktuara të publikuara së fundmi pasqyrojnë momente të përkohshme të procesit të ndërhyrjeve dhe jo gjendjen përfundimtare që do të marrë destinacioni pas përfundimit të projektit.
Interesi i lartë për Bënjën mbetet i pandryshuar edhe gjatë zbatimit të projektit. Vetëm gjatë vitit 2025, zona është vizituar nga 103,761 vizitorë vendas dhe të huaj, një tregues i qartë i vlerave të jashtëzakonshme që ofron ky destinacion, por edhe i faktit se ndërhyrjet po realizohen në harmoni me natyrën dhe pa cenuar eksperiencën e vizitorëve, të cilët vazhdojnë të frekuentojnë banjat termale dhe atraksionet e zonës.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura vijon të monitorojë nga afër punimet për të garantuar ruajtjen e vlerave natyrore të Bënjës dhe zhvillimin e saj si një destinacion model të turizmit të qëndrueshëm.
Ndërkohë, Bënja u ofron vizitorëve vendas dhe të huaj një përvojë edhe më cilësore, duke ndërthurur në mënyrë harmonike pasuritë natyrore, historinë, peizazhin dhe standardet e turizmit të qëndrueshëm. ✨









